Ka një mit se një birrë, një gotë verë, raki apo wiski, nuk është e dëmshme për shëndetin. Por një studim i publikuar së fundmi në revistën Lancet thotë se edhe pija e moderuar është e rrezikshme për shëndetin dhe mund të shkaktojë goditje në tru apo zemër.
Studiuesit britanikë dhe kinezë kanë analizuar mbi 500 mijë kinezë në 10 vjet për të arritur tek ky rezultat.
Çfarë zbuloi studimi?
Hulumtuesit, nga Universiteti i Oksfordit, Universiteti i Pekinit dhe Akademia Kineze e Mjekësisë, gjetën se:
-pirja e një deri në dy pije alkoolike çdo ditë rriti rrezikun e goditjes nga 10-15%
-pirja e katër pijeve çdo ditë rriti rrezikun për të pasur një goditje në tru prej 35%
Për qëllimet e studimit të tyre, një pije u përcaktua si:
një gotë verë e vogël, një shishe birre apo një gotë wiski.
“Pretendimet se vera dhe birra kanë efekte magjike mbrojtëse nuk vërtetohet”, tha autori i studimit Prof Richard Peto, profesor në Universitetin e Oksfordit.
Pra, çfarë do të thotë kjo?
Studiuesit thonë se mesazhi i tyre kryesor është se tani ka prova të qarta se pija, qoftë edhe e moderuar, nuk ka asnjë efekt mbrojtës, përkundrazi.
Kjo do të thotë, se edhe nëse konsumoni sasi të vogla alkooli çdo ditë mund të rrisni shanset për të pasur një goditje në tru.
Çfarë thonë ekspertët e tjerë?
Dr Stephen Burgess, nga Universiteti i Kembrixhit, tha se kishte disa dyshime për studimin, pasi vetëm analizonte popullsinë kineze dhe u përqendrua kryesisht në pijet alkoolike dhe birrën, dhe jo te vera
“Kjo sugjeron fuqishëm se nuk ka përfitim kardiovaskular nga pijet e lehta dhe se rreziku i goditjes rritet edhe me konsum të moderuar të alkoolit”, tha ai.
Prof Kevin McConëay, tha se studimi nuk i është përgjigjur çdo pyetjeje.
“Sigurisht që ka përparuar, por nuk mund të jetë fjala e fundit”, tha ai.
Profesori David Spiegelhalter, tha se studimi po e bënte të lëkundej.
“Unë kam qenë gjithmonë i bindur se konsumimi i moderuar i alkoolit ishte mbrojtës për sëmundjet kardiovaskulare, por tani jam dyshues,” tha ai.