Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asocimit midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë do të drejtohet eurodeputeti grek i Demokracisë së Re Manolis Kefalogiannis, i cili në të shkuarën ka bërë një mori me deklarata aspak miqësore ndaj vendit tonë.
Kefalogiannis është zgjedhur, duke zëvendësuar rumunen Monica Macovei bashkëdrejtuese e këtij komiteti me Taulant Ballën.
Deputeti grek është kritik i Tiranës zyrtare, sidomos pas shembjes së një kishe ortodokse në Dhërmi gjë që i tensionoi marrëdhëniet Greqi-Shqipëri. Kefalogiannis qe shprehur atëherë se ky incident do të gjente vend në Raport-progresin për Shqipërinë.
Kush është Manolis Kefalogiannis
Manolis Kefalogiannis është anëtar i partisë greke në pushtet “Demokracia e Re” dhe është zgjedhur në Parlamentin Europin për herë të parë në vitin 2014. Ai ishte kryetar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar me Turqinë nga 2014 në 2019. Para se të inkuadrohej në politikë në nivel europian ai ka qenë deputet i parlamentit grek nga viti 1990 dhe ka shërbyer si ministër në vitet 2000.
Në reagimin e parë pas marrjes së detyrës, Manolis Kefalogiannis e ka vendosur theksin te detyrat që Shqipëria duhet të realizojë, duke e vënë theksin tek minoriteti grek.
Pas zgjedhjes së tij, eurodeputeti grek deklaroi: “Është një nder i madh për mua që të zgjidhem unanimisht si kryetari i Komitetit të Stabilizim Asociimit Parlamentar BE-Shqipëri. Një Komision shumë i rëndësishëm që shqyrton rrugën e pranimit të Shqipërisë, një vend në Ballkanin Perëndimor që duhet të respektojë vlerat evropiane, sundimin e ligjit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të drejtën ndërkombëtare, të drejtat e pakicave dhe natyrisht të drejtat e pakicës etnike greke”.
Deklaratat kundër Shqipërisë
Në vitin 2014 eurodeputeti i “Demokracisë së Re” Manolis Kefalogiannis ka kërkuar ndërhyrjen e Komisionit Europian, në mënyrë që të rivendoset, – siç thekson ai, – e vërteta historike në librat shkollore të Shqipërisë dhe të shmanget qartë në të ardhmen çdo akt dhe propagandë irredentiste.
Eurodeputeti grek shkruan se “shqiptarët i quajnë në tekstet e tyre mësimore qytetet greke të Prevezës, Igumenicës, Pargës dhe Kosturit si shqiptare”.
“Tekstet në një vend kandidat për në BE, si Shqipëria, përmbajnë me shumicë referenca irredentiste dhe përshkruajnë treva, që gjoja iu përkasin, të një vendi tjetër anëtar të BE-së”, deklaronte ai.
Eurodeputeti i “Demokracisë së Re” një vit më pas ka replikuar në distancë me kryeministrin Edi Rama. Në një status në rrjetet sociale ai deklaronte se: “Me rastin e deklaratave të fundit nga Kryeministri shqiptar Edi Rama i kam paraqitur disa pyetje Komisionit Evropian, në të cilat theksoj se Shqipëria është duke vënë në dyshim sovranitetin e Greqisë dhe po ngre çështjet e sovranitetit territorial të një shteti sovran anëtar të BE-së, duke minuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin rajonal dhe, për pasojë, edhe perspektivën europiane”.