Extra Një i moshuar, një qen i vogël dhe një pub irlandez: Ky...

Një i moshuar, një qen i vogël dhe një pub irlandez: Ky është spoti më i bukur i Krishtlindjes (VIDEO)

The Guardian e ka cilësuar që tani si “reklama më e mirë e Krishtlindjeve e këtij viti”. Përbërësit e thjeshtë janë ato që e veçojnë reklamën e Krishtlindjeve në Charlie’s Bar në Enniskillen në Irlandën e Veriut.

Pubi historik, i hapur në vitin 1944, ka realizuar një rrëfim të shkurtër: një zotëri i moshuar me pamje të trishtuar shkon për të vendosur lule në një varr, pastaj injorohet nga të rinjtë me të cilët ai përpiqet të jetë i sjellshëm. Hyn në Charlie’s Bar, ku merr një pritje të ngrohtë dhe një çift i ri dhe qeni i tyre miqësohen me të.

Pak më shumë se dy minuta video që tregojnë se si miqësia dhe buzëqeshjet e sinqerta mund të ngrohin zemrën e kujtdo: protagonistët Martin McManus, 73 vjeç (anëtar i një grupi teatror amator), çifti vendas Meagan Daley dhe Alex Middlemass dhe qeni i tyre Missy.

Një reklamë perfekte, e shoqëruar me këngën “People Help the People” nga Birdy. Spoti është krijuar me një smartphone për vetëm 700 paund (rreth 800 euro) dhe është shikuar me miliona herë në rrjetet sociale dhe sipas britanikes The Guardian është “Reklama më e mirë e Krishtlindjeve e vitit”.