Histori Një kapiten i shërbimit sekret amerikan në vitin ’43 në Shqipëri: Një...

Një kapiten i shërbimit sekret amerikan në vitin ’43 në Shqipëri: Një rrëfim për Harry Fultz, Mehmet Shehun dhe Enver Hoxhën

Nga Auron Tare

Nga Kajro në Shqipëri. Në fillim te nacionalistët e më vonë me komunistët. James Hudson ish-kapiteni i shërbimit të fshehtë amerikan në një rrëfim për Shqipërinë e vitit 1943.

Do të doja ta filloja me një pyetje të thjeshtë: Kush është Kapiteni James Hudson?

Unë kam mbaruar kolegjin në Pensilvani dhe u diplomova për kimi dhe fizikë. Unë u zgjodha nga ushtria për të qenë një oficer i shërbimeve speciale. Ata më futën në disa projekte si dhe më trajnuan se si të merresha me mikrofilmat dhe gjëra të tjera të këtij lloji. Arsyeja ishte se atyre u duhej dikush që të regjistronte me kamera ne dore ngjarjet e luftës. Dmth një tip kronikani.

Keni marrë pjesë në Konferencën e Kajros, do të donim të ndanit me ne disa kujtime rreth zhvillimeve të saj…

Unë isha në stafin e gjeneral Russell Maxwell, ishte një gjeneral në komandë i forcave të ushtrisë amerikane të Lindjes së Mesme në Kajro. Në atë kohë Kajro ishte kryqëzimi i botës për aleatët. Nëse doje të shkoje në Rusi, shkoje në Kajro, po të doje të shkoje në Indi, shkoje në Kajro. Gjithçka ishte e vendosur në Kajro dhe aty unë takova shumë njerëz. Kështu u përfshiva në Konferencën e Kajros. Mësuam në komandë se Franklin Delawer Roosvelt do të vinte. Shtypi sillej mirë me Roosvelt. Unë njihja shumë njerëz të shtypit, si John Phillips i revistës LIFE etj. Shtypi nuk nxori asnjë fotografi të Roosvelt që e tregonte atë si ulok, as në karrige me rrota dhe as duke e mbajtur James Roosvelt, i biri. Ai trajtohej me gjithë respektin e mundshëm.

Pavarësisht se nuk thuhet, në të gjitha këto konferenca të mëdha e gjithë puna më e rëndësishme nuk bëhej nga Stalini, Churchill apo Roosvelt, por nga stafi i tyre. Gjithë ata gjeneralë, admiralë, forca ajrore që rreshtoheshin një nga njëra anë e një nga ana tjetër, kur ata dilnin për pushim gjatë seancave, bisedonin. Kështu unë dëgjoja gjithë bisedat, duke marrë vesh se cilat ishin planet e këtyre tre vendeve.

James Hudson

A u përmend ndonjëherë Shqipëria aty?

Po u përmend… nga një rus, që doli se e takonte Churchill vazhdimisht.

Kishte ndonjë vendim për Shqipërinë në Konferencë?

Në atë kohë Jugosllavia ishte shumë më e madhe dhe me influencë, por vendi për të cilin Stalini u interesua vërtet ishte Shqipëria. Shqipëria, shpresoj që njerëzit tuaj ta kuptojnë është një vend kyç, është pozita gjeopolitike e saj…

Ju përmendni në kujtimet tuaja se dhe Mbreti Faruk mori një dhuratë nga Roosvelt?

Po, e saktë.

E keni takuar ndonjëherë Mbretin Faruk?

Kam fluturuar në një avion me të shumë herë. Ai ishte pilot.

Shqipëria. Kishit dëgjuar më parë? U surprizuat që do të shkonit aty? Si ishte?

Po kisha dëgjuar. Lërmë të të them se si dhe kur. Unë bëra foton e fundit, të të fundit gjerman që u vra në ishullin Kipan në Tunizi. Ishte gjermani i fundit që u vra në Afrikë dhe më pas u shpërndanë nëpër Mesdhe. Unë u ktheva në Kajro dhe gjatë kthimit i thashë vetes “lufta në Afrikë mbaroi, unë për këtë erdha këtu. Çfarë do të bëj tani?” dhe unë isha vërtet i vetmi për rolin që luajta. Nuk kishte absolutisht njeri tjetër mbi mua. E gjithë karriera ime ishte kaq e çmendur. Asnjë nuk interesohej se çfarë bëja. Gjithsesi një miku im më pyeti se çfarë do të bëja tani. “Sinqerisht po kërkoj për një punë”, iu përgjigja. “Kam dëgjuar diçka që mund të të interesojë”, dhe më treguan për 13 infermierët amerikanë që ishin rrëzuar mbi Shqipëri. Shërbimi amerikan po kërkonte një oficer betejash. Kishin shumë djem OSS, por ata ishin të gjithë nga Harvardi, Prinston, të cilët nuk donin të bënin këtë punë të vështirë. Shërbimi donte dikë që të shkonte aty dhe t’i nxirrte këto infermierë. Në atë kohë nuk dija absolutisht asgjë për Shqipërinë. As kur isha në Kajro nuk e dija se britanikët e SOE ishin në Shqipëri dhe e njihnin atë shumë më mirë se ne. Gjithsesi, një nga arsyet që unë dija diçka për Shqipërinë ishte se kisha një volum të madh me pulla poste shqiptare. Kështu dija për Shqipërinë nga pullat e postës dhe më pëlqente kjo. U paraqita pranë Shërbimit dhe ata më trajnuan për luftimin trup me trup. Më mësuan shumë gjëra të këtij lloji. Aty më shpjeguan edhe historinë e Shqipërisë.

Kush jua tregoi?

Shërbimi Sekret Amerikan.

Ata ishin shqiptarë, shqiptaro-amerikanë apo amerikanë?

Amerikanë. Jam i sigurt se ishin amerikanë të Shërbimeve Sekrete. Ishte një trajnim i shkurtër, më shumë tip informimi. Kështu shkova në Brindizi e më pas në Bari. Këtu takova Harry Fultz.

Si ishte Fultz?

Fultz ishte një djalë shumë serioz, rrallë mund të kem parë ndonjëherë një grimcë buzëqeshjeje. Ai pothuaj nuk ngjante fare me njerëzit e tjerë të OSS. Nuk mbaj mend që të mos e kem gjetur në çfarëdo ore në tavolinën e tij duke studiuar hartat apo raportet që vinin dhe nuk ia dëgjoje zërin. Ai kishte një staf të vogël përkthyesish shqiptarë. Ata dinin anglisht shumë mirë, pasi ai i kishte amerikanizuar ata. Ishin 2 prej tyre që bënin punën më të madhe në përkthimin e dokumenteve. Mund të t’i përshkruaj, por emrat s’i mbaj mend shumë mirë. Njëri quhej Stivens, i amerikanizuar, jam i sigurt. Ishin djem të mirë. Ata të 3 ishin tek e ashtuquajtura Drejtoria shqiptare. Secila drejtori kishte një emër. Ishte ajo greke, jugosllave etj. Ata ishin komplet të pavarur, mezi i flisnin njëri-tjetrit, gjë që ishte një budallallëk, sepse ne ishim të gjithë njëlloj, por grekët i shikonin shqiptarët si të ishin armiq. Nuk kishte ndonjë dashuri të madhe me sa shikoja. Po ashtu edhe jugosllavët. Ballkani është i veçantë. Megjithatë për t’i rënë shkurt, Harry Fultz ishte nëpunësi më punëtor që kam parë ndonjëherë në jetën time.

Kur u futët për herë të parë në Shqipëri dhe kishit mësuar se personi që do t’ju çonte aty ishte aktori i Hollivudit, Sterling Hayden, ishte ai që ju dha informacion për Shqipërinë?

Sterling Hayden, një yll Hollivudi, u zbulua në Neapólis, jo shumë larg Akademisë së Marinës. Ai ishte një marinar. Në atë kohë ishte 22 vjeç dhe mund të humbisje të dashurën nëse ajo e shikonte atë. E adhuronte detin dhe anijet e vogla. Ai kishte disa vjet që e bënte rrugën për në Shqipëri, pra e njihte mirë atë pjesë të bregut. Sterling Hayden ishte martuar me Madaleine Carroll. Ajo ishte me të vërtetë një yll kinematografie. Ajo ishte pjesë e një spektakli amerikan, që shkonte për të argëtuar trupat. Ne sa kishim marrë Romën ato ditë, s’kishte as një javë. Ishim në Otranto duke u përpjekur që të më hidhnin mua në Shqipëri, kur ai dëgjon se Carroll do të vinte në Romë për spektaklin. Kështu ai më thërret “Bill”, sepse ky ishte pseudonimi im. “Bill, nëse unë nuk të çoj dot herët e para më duhet të të lë. Carroll do të vijë në Romë. Unë i njoh ata dreq gjeneralësh aty. Ata do ta joshin dhe unë nuk kam kohë fare. Duhet të shkoj aty që ta mbroj atë prej tyre”. Dhe ashtu bëri. U përpoqëm nja 2 herë, por më në fund shkova me një ekuipazh italian.

Kur erdhët për herë të parë në Shqipëri gjetët një aktor tjetër në Shpellën “Pamje nga Deti”. Anthony Quail, i cili punonte për Shërbimin Sekret Britanik.

E vërtetë, Majori Quail, kur mbërrita unë, kishte malarie dhe ethet e verdha. John Jang kishte të njëjtën gjë, po ashtu edhe radisti i tyre. Në Shqipëri në atë kohë mund t’i merrje këto dy sëmundje dhe malaria ishte kudo.

Si ishte Quail? Ai u bë një aktor i famshëm pas luftës dhe shkroi një libër të bukur për Shqipërinë…

Po e vërtetë. Ai ishte nga ata britanikë që sinqerisht shumica e meshkujve amerikanë nuk i pëlqejnë. Kishte dy grupe oficerësh, ata që e ruajnë rangun dhe ata që janë shumë strikt. Shumica e oficerëve amerikanë ishin me këmbë në tokë, pavarësisht nga rangu që mund të kishin. Kur t’i shkoje në një klub oficerësh, edhe pse kishte 4-5 rangje bashkë, mund të luaje letra apo ç’të doje. Por Anthony Quail ishte klasë e lartë dhe nuk afrohej me të tjerët. Por unë, në fakt, u kujdesa për të në Shpellën “Pamje nga Deti” dhe në fund e evakuuam në Itali.

A e keni takuar pas lufte?

Jo.

Kur ju shkuat në shpellën “Pamje nga Deti”, sa vetë gjetët aty? E çuditshme, sepse është shpellë për të cilën edhe sot në Shqipëri nuk dihet se çfarë ndodhi aty ku Shërbimet Sekrete Amerikane dhe ato Britanike e ndanë atë hapësirë dhe ndërtuan rrjetin e agjenturës. Donim të dinim se cili ishte kontakti juaj në Shqipëri? Dhe një pyetje tjetër interesante është se a i përdori Harry Fultz ish-studentët e vet për të ndërtuar një rrjet informatorësh?

Në udhëtimin e parë, siç ju thashë, kur erdhën në Kajro, atyre u duhej dikush që të hynte aty. Shumë dolën vullnetarë, por ata kërkonin dikë si unë dhe unë isha gati ta bëja. Kështu që shkova aty si i dyti në komandë, duke ndjekur Makadu, i cili kishte pseudonimin Tank. Unë nuk dija shumë gjëra për këtë mision, as se si ishin 13 infermierët amerikanë. Harry Fultz nuk u largua kurrë nga tavolina e vet. Ai nuk flinte, nuk hante, qëndronte aty si statujë e vërtetë. Ai asnjëherë nuk e preku Shqipërinë gjatë asaj kohe. As nuk iu afrua asaj. Ne ishim dy oficerë që vareshin nga Fultz, të dy kapitenë, Tom Stefani dhe unë. Unë isha oficeri kryesor për inteligjencën. Ai ishte oficeri i specializuar për Shërbime Speciale. Puna e tij ishte të merrej vesh me Hoxhën…

Kur arritëm aty nuk kishte asgjë të ngritur, asnjë rrjet për inteligjencën. Pavarësisht se ç’mund t’ju kenë thënë ju, ne nuk morëm asnjë inteligjencë nga komunistët. Kisha një person në Dukat që ishte kontakti im i parë, quhej Hodo Meto. Ai ishte diplomuar në shkollën e Fultz-it. Kështu ishte dhe Xhelil Çelo. Ishte shumë trim. E vranë pasi unë u largova nga aty. Më pëlqente shumë, por ai nuk bëri asgjë për inteligjencën. Ai vinte me mua për të mbledhur dokumentet, përkthente për mua e kështu me radhë. Hodo ishte ai që kishte lidhjet. Ai kishte një kontakt të rëndësishëm, Petron, që ishte Sekretar i Bashkisë së Vlorës. Ajo ç’ka ai bënte ishin kopjet e dokumenteve gjermane. Ai ishte mjeshtri i kopjimeve dhe pjesën më të madhe të korrespodencës ma jepte mua me anë të Hodos. Po kështu ata kishin një korrier. Gjithsesi, ne filluan të hapemi me degë kudo në Berat, Gjirokastër, Tiranë etj.

Pra krijuat një rrjet të mirëfilltë spiunazhi?

Po dhe ne i trajnuam agjentët tanë sa më mirë mundëm. Nuk i njihnim të gjithë sigurisht, pasi ne shikonim vetëm fundin e rrjetit. Kjo ishte pjesë e marrëveshjes, përndryshe ti e humbisje idenë e rrjetit. Si fillim kishim rreth 20 agjentë, nuk i mbaj mend të gjithë, por mund të të them disa emra.

Cili ishte qëllimi i inteligjencës? Lëvizjet e gjermanëve apo më saktë ato kishin të bënin me gjermanët, vetë vendin apo fraksionet politike?

Harry Fultz ishte politikan. Ai donte të dinte më shumë për vendin, politikat dhe lojën midis Ballit Kombëtar dhe komunistëve. Kjo ishte ajo që atij i interesonte më shumë. Ne kishim një mision ushtarak. Ajo që i shqetësonte më shumë Shërbimet Sekrete Amerikane ishte Divizioni Malor Gjerman që po vinte nga Stalingradi. Dihej se çfarë iu kishte ndodhur atyre në Rusi dhe ata ishin në formë të keqe. Gjithsesi ata po vinin në Shqipëri për të rikuperuar forcat. Kjo ndodhi në 1944. Gjermanët po merrnin trupa nga Hungaria, Bullgaria, Rusia e bardhë, ngado ku mund t’i gjenin. Disa nga Franca, por jo shumë, ca polakë, disa çekosllovakë dhe i sillnin në Shqipëri për t’u trajnuar dhe për t’u bërë rezervë taktike. Kjo ishte një nga punët e mia, të shihja se si trajnoheshin këto forca, nëse ishin një forcë e gatshme për të lëvizur apo jo. Fultz mblidhte gazeta shqip dhe unë i dërgoja shumë prej tyre. Kisha një koleksion të tyre, por humba gjithçka më vonë. Gjithë pajisjet e mia të bukura i humba. Shumë nga shqiptarët ishin hajdutë lart në male, ata kishin një jetë të vështirë. Merrnin çdo lloj ushqimi që gjenin.

Operacioni juaj kryesor aty ishte në Dukat? Doja të dija përshtypjet tuaja për jetën në Dukat në atë kohë, duke ditur se Dukati ishte më shumë i lidhur me Ballin Kombëtar sesa me partizanët…

Maliqi ishte njeriu kryesor me të cilin punonim atje. Më duket se Maliq Koshena, shpesh i harroj mbiemrat e tyre. Ai ishte shumë i fortë në krahasim me burrat e fshatit, por ata shqetësoheshin për Gestapon dhe trupat SS.

A mbani mend nga kujtimet tuaja kur thoni se kishte një farë tensioni midis bazës në shpellën “Pamje nga Deti” dhe fshatarëve në Dukat?

Jo, kishte në fillim, por ndryshoi më pas. Ky tension ishte kur ne sapo kishim arritur dhe banorët e Dukatit kishin frikë. Dhe kishin të drejtë, sepse nuk kishin pas kurrfarë ndihme nga askush. Italianët erdhën dhe bënë atë që deshën, grekët po ashtu. Pra, ishte një kohë e frikshme për shqiptarët, por edhe për vendet që luftonin në Ballkan. Por kjo deri sa gjermanët filluan të iknin. Kur gjermanët po largoheshin, ata u ndjenë më të fortë. Ata thoshin se gjermanët ikën dhe ne tani të kemi ty dhe duhet të të mbrojmë. Unë mbaja ar në xhep dhe në brez. Kisha disa shqiptarë me rrogë mujore. I jepja Ali Babës 3 monedha ari në muaj dhe detyra e tij ishte të më sillte gjërat nga Vlora. M’i sillte me ato kafshët e vogla, si i quajnë? Ah po, gomerë. Burrat shqiptarë ishin të ashpër me gratë dhe gomerët. Jam i sigurt se gjërat kanë ndryshuar tani, por atëherë gratë dhe gomerët ngarkoheshin njëlloj.

Shpella “Pamje nga Deti” ishte një territor i Ballit Kombëtar. Si ishin marrëdhëniet tuaja me këtë organizatë?

Fantastike për mua, po flas për veten. Ata u sollën mirë me mua dhe të gjithë kishin një ndjenjë të fortë pozitive për Amerikën. Dukej se u pëlqenin shumë amerikanët, edhe më shumë se anglezët. E ndeshëm kudo këtë, sepse amerikanët ishin më të lehtë për t’u marrë vesh. Anglezët, qoftë edhe me ta që kam punuar, ishin më të rëndë.

Ju pyeta për Skënder Muçon…

Më pëlqente shumë ai njeri. Më erdhi shumë keq kur mora vesh se atë e kapën dhe e vranë, jo shumë kohë pasi më kishte vizituar mua. Kaluam një javë bashkë. Ai ishte veshur në mënyrë fantastike. Për të qenë i sinqertë me ju, e kuptova se do të vritej një ditë, pasi ai kishte të njëjtën veshje si në Angli, të hekurosur bukur, çizme të gjata kalërimi. Burrat shqiptarë ishin me fat nëse kishin sandale, të cilat i bënin vetë nga gomat e makinave. Skënder Muço nuk fliste shumë, por ishte trim dhe kuptohet unë kisha edhe Hodon e Xhelilin. Inteligjentë ishin ata që kishin qenë në shkollë. Mua më dukej se Harry Fultz kishte pasur si qëllim t’u mësonte studentëve të tij anglishten amerikane. Po në këtë kohë unë takova edhe dy njerëzit më të rëndësishëm në Shqipëri: Mehdi dhe Mit’hat Frashërin, por ata ishin të shkollës së vjetër. Skënderi ishte më i ri, një djalë i pashëm, i dashur e i qeshur. Thoshte gjëra të bukura për Amerikën. Më jepte mesazhe që t’ia dërgoja presidentit Roosvelt, të cilat unë ia përcillja Zyrës në Bari, por nuk e di nëse Presidenti Roosvelt do të kishte mundësi t’i merrte apo jo.

Ju thatë se i takuat të dy Frashërit? Cila ishte përshtypja juaj për ta?

Më pëlqenin që të dy. Ishin shumë të zgjuar, por nuk flisnin anglisht. Ata më shpjeguan disa herë nëpërmjet Xhelil Çelës që ata nuk ishin aty, sepse pëlqenin gjermanët apo se i mbështesnin ata, por kjo ishte mënyra e vetme që ata mendonin për të mbajtur vendin në këmbë. Të gjithë donin të drejtonin dhe nuk ishte thjesht çështje ushtarake. Ishte e rëndësishme që paratë të qarkullonin midis qyteteve, administrata të punonte dhe ju e dini se në një vend të ngadaltë si Shqipëria kishte një ndryshim të madh midis veriut apo Gjirokastrës në jug. Unë isha dakord me ta dhe mendoj se Frashërit luajtën pjesën e duhur. Ata mbajtën shtetin në këmbë, mbajtën gazetat në qarkullim dhe vendin në lëvizje. Hoxha ishte në Shtabin e Përgjithshëm me djemtë e vet dhe sulmonte mjaft patrulla gjermane, vetëm që të kishin pak reklamë tek anglezët. Amerikanët e urrenin këtë gjë.

A takuat ndonjë udhëheqës të partizanëve vendas?

Partizanët më trajtonin mirë dhe asnjëherë nuk pata probleme me ta. Pothuaj kisha gjithnjë me vete një shqiptaro-amerikan, si Albert Toli apo Nik Kukiç, të cilët përkthenin për mua, pasi nuk flisja shqip, gjë që duhet ta kisha mësuar që në fillim. Isha pak dembel. Nuk mund të bisedoja si duhet me ta, megjithëse është e çuditshme se si ndonjëherë arrin të merresh vesh me shenja e lëvizje pa e ditur gjuhën. Ata më jepnin ushqime herë-herë, edhe pse unë kur hidhesha kisha 20-30 pako me vete. Nuk mund të merrnim shumë, sepse nuk është mirë të kesh shumë parashuta me pajisje kur hidhesh. Udhëheqësit më trajtuan gjithnjë mirë. Fjala që përdornin shpesh ishte “Tedski”, tregonin me gisht nga një drejtim e donin të më thoshin të kisha kujdes nga gjermanët.

Sipas pikëpamjes suaj, a mendonit se partizanët po luftonin gjermanët? A ju krijua përshtypja se ata ishin forca e vetme që po luftonin gjermanët?

Jo, aspak. Ia thashë këtë Fulzit dhe të gjithë të tjerëve. Unë nuk isha dakord me Tom Stefan gjatë gjithë kohës. Partizanët qëndronin në zona të veçuara. Një nga gjërat që ata bënë ishte se kishin një perimetër të mirë mbrojtës. Sa herë që një kamion gjerman kalonte kishte një skuadër mbi të, pra pothuaj çdo lloj kamioni gjerman që shihje do të kishte 12 vetë. Ata ishin stërvitur që në prita të ndalonin menjëherë dhe hidheshin nga anët e kamionit. Ishin trajnuar të mos bënin zhurmë, pra ata hidheshin dhe nuk gjuanin. Po ju them se është shumë e vështirë që të gjesh guerilje, të cilat mund t’i trajnosh. Ata janë një grup i pavarur dhe secili në kokë të vet dhe qëllonin kudo. Si përfundim, gjermanët i zbulonin menjëherë dhe i qëllonin. Ngaqë gueriljet humbisnin shumë burra në këtë mënyrë, ajo që ata bënin zakonisht ishte t’i linin të iknin, sepse nuk kishte asgjë strategjike aty, por vetëm male. Pajisjet e tyre i kishin në zona shumë të veçuara lart në male në ato kampet partizane ku ndoshta qëndronte Hoxha. Unë e imagjinoj, sepse nuk e kam parë kurrë, se duhet të kenë bërë edhe ndonjë luftë të fortë, sepse përpiqeshin të gjenin pajisjet më të mira. Por ata që kam takuar ishin zakonisht në këtë perimetrin e mbrojtur. Ata më trajtonin mirë, më ndihmonin.

Çfarë mendoni për dokumentin e gjeneral Trockit, që thotë se partizanët ishin ata që duhej të pajiseshin me armatime?

E mendova si një gjë jo të mençur. Mund ta shikoja se sa pa kuptim ishte si strategji, ne nuk kishim një mision taktik, ne nuk kishim trupa në Shqipëri. Taktikisht ne nuk kishim punë të ishim aty, strategjikisht po meqë ishte si pjesë e Ballkanit. Misioni ynë ishte që të çlironim Shqipërinë dhe jo të luftonim me Shqipërinë, as të luftonim me gjermanët në Shqipëri. Ne donim ta çlironim atë, ju e dini, do të ishte vendi i parë që do çlirohej në të gjithë Europën. Pra ne donim vetëm ta çlironim dhe mënyra më e mirë për ta çliruar ishte ta linim në rregull. Gjermanët ikën dhe ju keni një shtet, një qeveri. Nuk është aq e lehtë të formosh një shtet, ka shumë për të bërë. Kështu njerëzit si puna e Frashërve po e mbanin shtetin në këmbë. Ata e kishin një infrastrukturë, jo shumë, por ishte diçka.

A ju instruktoi Fultz se si të silleshit me partizanët?

Jo, asnjëherë.

A ju instruktoi, apo dëgjuat idenë për të krijuar një rrjet spiunazhi që do të përdorej edhe pas luftës? A mendonte Fultz për pas lufte?

Në të vërtetë ai asnjëherë nuk ma tha hapur këtë, por unë me siguri që e ndieja një gjë të tillë.

A po përpiqej ai të krijonte një rrjet që do të përdorej pas lufte?

Po, por nuk mund ta them me siguri nëse ai e ka shkruar apo ma ka thënë një gjë të tillë. Ai e bënte 99% të punës së vet me Memo.

Enver Hoxha e akuzoi Fultz se ai ishte një spiun i amerikanëve dhe se përdorte studentët e vet për të mbledhur informacione. A mendoni se kishte të drejtë për këtë çështje?

Jo, nuk mendoj kështu. Mendoj se Fultz ishte dakord me marrëveshjen apo vendimin e anglezëve për të pajisur partizanët kundrejt Ballit Kombëtar. Fultz pothuaj kishte të njëjtat mendime me mua në lidhje me Ballin Kombëtar. Ai ishte një djalë Tirane, ai kishte jetuar në Tiranë dhe e njihte mirë qeverinë. Ai nuk ishte tipi i Hoxhës. Atë nuk do ta shihje nëpër male, ishte një djalë qyteti i shkolluar, i mprehtë dhe shumë i zgjuar. Nuk më la në asnjë moment përshtypjen se pas lufte do të bënte diçka kundër dikujt. Mendoj se ai po luante drejt dhe ishte pjesë e ushtrisë amerikane, duke u munduar të fitonte luftën.

Kam lexuar disa raporte ku OSS amerikane po ankoheshin nga trajtimi i anglezëve. Dukej sikur kishte një lloj rivaliteti midis OSE dhe OSS në Shqipëri dhe se OSE nuk i pëlqente t’i kishte amerikanët nëpër këmbë…

Në grupin me të cilin punoja unë me të tjerët, ishim kudo në Shqipëri, asnjëherë nuk patëm ndonjë problem me Shërbimin Sekret Britanik, ishim të gjithë një. Djemtë e Shërbimit anglez që vinin për misione speciale të tipit të hidhnin ura në erë etj, ishte zor që t’i takoje. Shumë rrallë mund të kem parë ndonjë prej tyre.

Kë takuat ju nga britanikët? Takuat Smiley apo…?

Po, e kam takuar Smiley.

Julian Emery?

Jo, nuk e mbaj mend këtë.

Po Smiley-n e keni takuar?

Po, po.

Do të doja të dija ndonjë detaj personal të shqiptaro-amerikanëve me të cilët ti ke punuar siç është Tom Stefani. Si ishte Tom Stefani?

Po e njihja mjaft mirë. Ai ishte një djalë shumë zyrtar që nuk pëlqehej shumë nga njerëzit e vet, por që e zotëronte mirë gjuhën shqipe dhe ishte oficer. Ky ishte një ndryshim shumë i madh dhe ishte e habitshme, sepse edhe në Shërbimin amerikan oficerët ndiheshin ndryshe dhe trajtoheshin ndryshe.

Harry Fultz e dinte se ju operonit dhe punonit në një territor të Ballit Kombëtar. Pse ju parashutoi në Shtabin e Enver Hoxhës?

Për një arsye shumë të mirë. Ata e dinin se koha e këtij komandanti po vinte.

Harry Fultz ju parashutoi pranë Shtabit të Hoxhës, për çfarë arsyeje?

Fultz nuk i besonte më Tom Stefanit. Tomi u afrua aq shumë me Hoxhën, sa zor se ndaheshin. Djemtë e Shërbimit vlerësoheshin vazhdimisht nga eprorët e tyre dhe përdoreshin terma si “prirjet” dhe ai prirej…, unë nuk e akuzoj atë, por ai prirej drejt komunistëve. Në rastin tim nuk kishte mëdyshje, të gjithë e dinin që unë isha pro Ballit Kombëtar.

A kishit ndjesinë se ndoshta komunistët kishin penetruar në informacionet e OSS?

Po, e kisha. Gjithsesi e besoj këtë.

A besoni se partizanët infiltruan në Shërbimin amerikan?

Po. Dhe do t’ju them pse. Unë njihja disa oficerë OSS që nuk kishin lidhje me ne, por ata dinin shumë. Dhe mendoj se ata ishin komunistë, amerikanë. Ata m’u afruan në Bari qetësisht dhe me kujdes, por unë i thashë se i urreja aq shumë komunistët, saqë ata u larguan prej meje. Por sigurisht besoj se kishte komunistë të infiltruar në radhët e Shërbimit amerikan.

Ju takuat Enver Hoxhën. Çfarë ndjetë gjatë bisedës me të? Apo ndonjë detaj rreth tij apo njerëzve që e rrethonin?

Unë kurrë nuk u shoqërova me të. Kisha vetëm takime zyrtare në lidhje me atë problemin e zbarkimit të komandove. Ajo që ai bëri sa më takoi, ishte se filloi të më kërkonte një listë me materiale si p.sh., “dua më shumë municione, dua më shumë nga kjo apo ajo”. Asnjëherë nuk patëm ndonjë bisedë strategjike me të se çfarë do të bënte në fushën ushtarake. Por ama kisha dëgjuar mjaftueshëm nga njerëzit e tij, se ata kishin ndërmend të merrnin në dorë drejtimin e vendit dhe për këtë nuk kishte asnjë dyshim. Ata nuk jepnin detaje nëse do t’i vrisnin të gjithë armiqtë e tyre, por unë kisha përshtypjen se kjo do të ndodhte dhe do të derdhej shumë gjak kur ata të arrinin aty ku synonin. Të gjitha këto që ju them i kam të dokumentuara. Shumë të tilla, letra nga Fultz se si të ndërtojmë inteligjencën, se si Tomi po merrte një rol tjetër etj.

Çfarë menduat kur takuat Hoxhën? Ju duk si një luftëtar gueril, apo si një komandant i njerëzve të vet?

Patjetër që e ndjeva se ishte si një që komandonte. Nuk kishte dyshime mbi këtë, ai ishte një udhëheqës. Dhe njerëzit e ndiqnin, por kishte edhe shumë frikë mes tyre.

A ishte një diktator që atëherë?

Të jem i sinqertë me ty, nuk e quanin të tillë, por ai sillej si udhëheqës dhe kishte gjithë lidhjet me Rusinë. Por ata kërkonin një autoritet të lartë, sepse nuk kishin një të tillë. Kjo ishte tipike e të gjithë shqiptarëve të asaj kohe, ata nuk kishin një autoritet për t’i udhëhequr. Komunistët kishin Hoxhën, sepse ai ishte i vetmi person që kishte një staturë me këdo.

Mund ta klasifikoni si një njeri të zgjuar?

Unë nuk fola mjaftueshëm me të që të kem ndonjë mendim filozofik për të, por personi i tij të jepte të kuptoje se padyshim ai ishte komandanti. Nuk kishte asnjë që e sfidonte atë me sa shihja unë. Nga ky këndvështrim unë them se ai kishte kontroll të plotë.

Enver Hoxha me Vasil Shanton, Labinot 1943

A mendoni se OSS kishte njerëzit e vet mes partizanëve? Është bërë një debat i madh në Shqipëri për ish-kryeministrin shqiptar Mehmet Shehu, i cili ishte një ish-student i Fultz dhe një udhëheqës i famshëm partizan. A ka punuar ai për Fultz gjatë luftës?

Opinioni im është se në atë kohë Fultz nuk kishte arritur në atë shkallë të lojës. Ai filloi të ndryshojë në vjeshtë të 1944. Atëherë të tërë filluam të mendoheshin për këtë dhe kjo është arsyeja pse unë u largova dhe shkova në Austri për të komanduar një rrjet të Shërbimit Amerikan atje. Personalisht nuk besoj se Fultz donte të shkonte në atë drejtim më parë. Por pas vjeshtës së 1944 po.

Në të gjitha dokumentet që keni parë, në njohuritë tuaja, apo në ato që mund t’ju ketë thënë Fultz, a ka ndonjë kontakt pikërisht për Mehmet Shehun që ishte një nxënës i Fultz dhe u bë një udhëheqës shumë i famshëm komunist?

Unë isha me të vërtetë shumë afër Fultz, megjithëse ai nuk ishte ndonjë i muhabetit siç e përmenda. Mehmet Shehu ishte ndryshe. Nuk është se u afrova shumë me të, por e njihja. Gjithsesi nuk kam dëgjuar asgjë të tillë.

Zbarkimi anglez në Sarandë si dhe urdhrat e famshme që ju morët nga Hoxha që të shkonit te britanikët dhe të ndalonit pushtimin e Shqipërisë. A mund të më thoni diçka për këtë?

Po, me detaje. Si fillim bëra një udhëtim prej 120 miljesh për 3 ditë, gjë që ishte vetëvrasje. Lumi i Dukatit ishte fryrë dhe përrenjtë në ato male janë të rrezikshme kur janë në lulëzim. Kisha me vete një toger të plagosur të forcave ajrore amerikane në një barelë dhe duhej të kalonim lumin e Dukatit për të arritur në bregdet. Në një moment u ndamë, por më në fund i gjeta përsëri në anën tjetër të lumit dhe kështu vazhduam drejt bregut. Gjëja tjetër është se ata kishin vendosur trupat përgjatë malit në pjesën lindore që nuk bënin gjë tjetër, veçse qëndronin në shi dhe i zuri gangrena e sëmundje të tjera në këmbë, e nuk kishin as një palë këpucë që t’i ndërronin, nuk më besohej që ishin komando.

A bënë ndonjë betejë atje me gjermanët?

Jo, deri atëherë. Por më vonë po, bënë, por jo shumë. Gjermanët u përpoqën t’i ngacmonin pak.

Po partizanët? Sepse përmendët një betejë të famshme midis partizanëve dhe gjermanëve?

Po, e di. E vetmja gjë që ne pamë ishte ajo puna e Korfuzit, që gjuanin nga anijet me armë të rënda.

D.m.th. anglezët nuk bënë shumë luftime aty?

Jo, me siguri që jo.

Në kujtimet tuaja ju përmendni të famshmin Libër të Bardhë, në të cilin amerikanët mbajnë emrat e miqve që i ndihmuan gjatë luftës. Çfarë ndodhi me këta miq?

Ju e dini se ai libër ishte një pjellë e imagjinatës sime.

Po, e di, por jam i interesuar të di se çfarë ndodhi me miqtë? Miqtë u vranë apo jo?

Po.

Meqë ra fjala që atëherë jam përpjekur ta bëj ushtrinë tonë që të ketë një libër të tillë. Edhe tani ka shembuj të tillë tek CIA apo Shërbimi Ushtarak, por askujt nuk i intereson. Shiko se çfarë bëni ju, ne, të gjithë ne. Shkojmë andej–këtej dhe u kërkojmë njerëzve të japin jetët, paratë, shtëpitë për ne.

Çfarë ndodhi me rrjetin e OSS që ndërtuat? Çfarë ndodhi me ata njerëz?

Kjo është një pyetje shumë e mirë. Kuptohet që unë di për ata që u kapën dhe u vranë, por jo për të tjerët.

Por a nuk mendon se ata njerëz u braktisën në fatin e tyre?

Po. Kjo është ajo që më bën të ndihem keq, dhe ne e bëmë këtë.

Disa britanikë të SOE, në fakt, si Julian Emery apo David Smiley njerëz të njohur në shoqërinë angleze, kanë shkruar në librat e tyre apo e kanë thënë publikisht se si britanikët ndiheshin të turpëruar që kishin braktisur miqtë e tyre shqiptarë në duart e komunistëve. Mendoni se e njëjta gjë ndodhi dhe me njerëzit që ndihmuan OSE, d.m.th. u braktisën tek komunistët?

Po. Lejomëni t’ju them se çfarë më zhgënjeu. Nuk kam parë fare interes tek amerikanët, duke përfshirë dhe OSS. Mendoj se ata nuk kanë treguar aspak dhembshuri për atë që ndodhi, ose përgjegjësi. Kjo të lëndon karakterin. Por unë me të vërtetë fajësoj shumë frikën tonë dhe Konferencën e Teheranit dhe bashkë me të faktin se ne kishim kaq shumë frikë se mos irritonim rusët.

Kush ishte Kapiten James Hudson?

Ka mbaruar kolegjin në Pensilvani dhe është diplomuar për kimi dhe fizikë. Është përzgjedhur nga ushtria për të qenë oficer i shërbimeve të fshehta të SHBA-së. Është trajnuar në disa projekte për t’u angazhuar me mikrofilmat dhe procese të tjera speciale. I thirrur në shërbimet inteligjente fillimisht nga nevoja se duhej që dikush të regjistronte luftën. Ka shërbyer për disa kohë në Kajro në stafin e Gjeneralit Russell Maxwell, kreut të komandës së forcave të ushtrisë amerikane të Lindjes së Mesme. Më vonë ka ardhur me mision në vendin tonë.

(Marrë nga faqja e Facebook e autorit)