Kosova do të ketë një ministër të ri Mbrojtje. Ai është koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci që do të zëvendësojë Armend Mehajn.
“Ministër të ri të Mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë”, njoftoi ministri Albin Kurti.
Kurti bën me dije se Mehaj dha dorëheqje për shkaqe familjare.
“Sot, me kërkesë të ministrit të mbrojtjes, Armend Mehaj, kam pranuar dorëheqjen e tij. Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës“, tha Kurti.
Me këtë rast, Kurti ka pasur edhe një takim të përbashkët me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin.
Mehaj ishte në krye të ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës që prej vitit 2021.