Sport Huliganët kroatë terrorizojnë Athinën, vritet një 22-vjeçar. Shtyhet ndeshja AEK-Dinamo Zagreb

Huliganët kroatë terrorizojnë Athinën, vritet një 22-vjeçar. Shtyhet ndeshja AEK-Dinamo Zagreb

Është shtyrë zyrtarisht ndeshja mes AEK-ut të Athinës dhe Dinamos së Zagrebit, e vlefshme për turin e tretë eliminator të Champions League.

Vendimi për shtyrjen e ndeshjes erdhi pas dhunës së paprecedentë mbrëmjen e së hënës në kryeqytetin grek mes tifozerive të dy ekipeve, ku për pasojë humbi jetën një mbështetës i AEK, i cili u qëllua disa herë me thikë.

Si pasojë e përleshjeve në Athinë u plagosën dhe 8 persona të tjerë, ndërkohë që të arrestuarit nga të dyja palët janë mbi 100.

Polemika kanë shpërthyer mëngjesin e sotëm në Greqi për incidentet pasi tifozët kroatë, ndonëse të ndaluar për të udhëtuar drejt Athinës, kanë kaluar për qindra kilometra të organizuar me makina dhe autobusë dhe nuk janë ndaluar për asnjë moment nga policia.

Kur kanë shkuar në Athinë, ata janë shoqëruar me tifozë të Panathinaikos, skuadër tjetër greke. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se sulmi dukej i organizuar. Një pronar lokali shpjegoi se çfarë ndodhi në “mësymjen” e huliganëve kroatë.

“Rreth orës 22:00 e kisha lokalin gjysmë plot. Dikush erdhi dhe më paralajmëroi. Një tifoz i AEK erdhi dhe më tha se po vinin kroatët. Më tha që të largoja njerëzit. Pas 10 minutash nisën që të ndiznin zjarre. Rreth 200-300 vetë filluan të thyenin çdo gjë. Rrugës poshtë, lokalet u boshatisën, nisën të hidhnin karriget dhe u përplasën me 20-30 fansa të AEK-ut”, përshkroi ai.

Më tej tregoi se 22-vjeçarin e gjetën të vrarë me thikë dhe ishte i mbuluar me gjak. Ndërkohë një kroat ishte po ashtu i mbuluar me gjak në gjendje të rënduar. Autoritetet greke vijojnë hetimet për këtë ngjarje.

Trazirat e fundit në Athinë kanë anuluar edhe takimin e sotëm të ministrit grek të Mbrojtjes së Qytetarit, Ioanis Ikonomou dhe ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla në pikën kufitare të Kakavijës.