Aktualitet Një kujtim pikant nga ndeshja me “Vetëtimën” e Himarës – Një bisedë...

Një kujtim pikant nga ndeshja me “Vetëtimën” e Himarës – Një bisedë me aktorin e mirënjohur, Vasil Vaso për Memaliajn

Ekipi i futbollit "Minatori" të Memaliaj, që përfaqësonte rrethin e Tepelenës. (1968)

– Pjesa e shtatë, pjesën e gjashtë e lexoni këtu

Ndeshjen me Himarën, e kishim më larg si distancë, nga ekipet e tjera që kishin në grup. Si e tillë, shkonim një ditë më parë, duke udhëtuar gjashtë orë; duke kaluar nga rruga për në Sarandë.

Udhëtonim me një makinë të mbuluar me mushama, e cila kishte disa reshta me stola prej druri dhe merrte rreth 25 veta. Këtë mjet transporti, e quanin “Korier”.

Në atë kohë, në Memaliaj kishte vetëm një autobus, që shkonte çdo ditë në Gjirokastër, dhe kthehej. Shofer ishte Dhimo Ferro. Fliste shumë pak. E pyesje në Memaliaj:

– Kur do mbërrijmë në Gjirokastër?, – dhe të kthente përgjigje, në Tepelenë.

Rruga për në Himarë, ishte e ngushtë dhe jo e mirë. Ndalonim dhe kalonim pak kohë, në qytetin e Sarandës, sa për kafe. Ndërkohë, unë merrja me vete aparatin fotografik të babait tim, i cili punonte si fotograf profesionist, në atë kohë. Këtë e bëja, pasi e përdorja për të fiksuar pamje dhe kujtime të ndryshme, siç ndodhi edhe në Himarë.

Pjesëmarrja ime në këtë turne, ishte e domosdoshme, sepse lozja dhe rolin e përkthyesit kur nevojitej. Në Himarë flisnin të gjithë greqisht. Sa mbërritëm, të lodhur, shkuam menjëherë në hotel, që kishte disa dhoma në një pallat dykatësh, me nga tre ose katër krevate.

Poshtë pallatit, ishte dyqani me rroba, që i thoshin, “Mapo”, që ishte thjesht një magazinë popullore.

Hotelxhiu, pasi bëri regjistrimet përkatëse, na tha:

– Nuk dua të bëni zhurmë…

Në dhomën N. 5, ka një javë, që fle një prokuror, i cili ka ardhur me shërbim nga Tirana.

Hëngrëm darkë dhe fjetëm për të qenë gati për ndeshjen e nesërme.

Të nesërmen, për një veprim të gabuar nga ne, ndodhi një incident. Në Mapo, punonte një vajzë e re dhe e bukur, e cila për një moment, doli jashtë.

Ne ishim si grup dhe po qëndronim 15 metra larg. Ahmet Ahmeti, i cili ishte lojtari jonë, më merr aparatin fotografik, dhe fotografon Mapon dhe vajzën.

Aty ndodhej dhe i vëllai saj, i cili, pasi e  pa këtë skenë, iu afrua Metit dhe mundohej t’i merrte aparatin.

Unë e pashë këtë dhe vrapova për të ndihmuar, Metin, që i vëllai i saj të mos mundte t’i merrte aparatin fotografik.

Ai, s amë pa që po i afrohesha, e la Ahmetin, dhe mu sul mua, në atë ë atë mënyrë, që të linte të kuptoje se kërkonte të ziheshim.

Unë për t’iu shmangur, i thashë:

– Të shkoj të heq syzet e diellit, dhe pastaj zihemi..?, – dhe shkova tek shokët.

Një polic i ndodhur aty, erdhi dhe bisedoi me vëllanë e vajzës, i cili ishte mërzitur shumë, ngaqë i fotografuan motrën…

Po theksoj, se himariotët ishin fanatik, dhe nuk pranonin ngacmime të tilla.

Polici më thirri mua dhe më tha:

– Do vish me mua me gjithë aparatin, dhe do shkojmë tek dyqani i fotografit, për të larë filmin dhe të shikojmë çfarë ndodhi…

Shkuam tek studioja, e cila ishte jo më shumë se 50 m larg.

Thirri fotografin dhe e porositi të vepronte. Unë u futa në dyqan, ndërsa polici priste jashtë.

I shpjegova fotografit, se duhej të lanim filmin dhe të shuanin gjatë larjes, një fotografi.

Ai, i trembur, më tha:

– Mos keni marrë ndonjë fotografi nga zona ushtarake?!

Kjo zonë, për të cilën ai fliste, ishte në bregdet…

Unë i shpjegova si ndodhi, dhe duke biseduar, doli që njihej me babain tim, të cilët ishin njohur kur vinte në Himarë. Nuk kaloi shumë dhe ai nuk nguroi të më thoshte: -E lamë filmin dhe e nximë fotografin, që ju nuk doni që të shikohet nga polici!

Pasi e mora filmin, ja dhashë policit, i cili po priste jashtë. Ai e mori dhe pasi u sigurua, shkoi menjëherë tek i vëllai i shitëses dhe e qetësoi atë.

Nuk kaloj pak dhe gjendja u qetësua …

Ndeshja u zhvillua pasdite, në fushën që ndodhej në një kodër, në fund të qytetit. Anash fushës, ishin himariotët, të cilët e ndiqnin me shumë interes ndeshjen. Midis sportdashësve të shumtë, kishte edhe gra e vajza.

Ndeshja përfundoi 1-0. Fituam ne dhe për habi, golin e shënova unë me këmbën e majtë, në një rrëmujë para portës, megjithëse luaja si sulmues i djathtë. Ishte i vetmi gol që kam bërë, gjatë gjithë kohës që kam luajtur me skuadrën.

Të gëzuar, u kthyem në hotel…

Sa errej, s’kishe ku shkoje.

Mbylleshim në dhomat e hotelit dhe luanim letra. Ishte i vetmi argëtim…

U mblodhëm të gjithë në një dhomë dhe vendosëm, që fituesi do merrte një shumë parash, pasi të gjithë çuam nga një dhjetëshe prej letre, të cilat i çuam në një pjatë.

Mbyllëm portën mirë me çelës, që të mos rrezikoheshim nga prokurori.

Në orën 22:00, nga dhoma doli Dilaveri dhe shkoi në banjo. Kur u kthye, e la portën pa mbyllur. Për një mosmarrëveshje, u bë zhurmë.

Pas pak, u hap porta dhe hyri prokurori, i cili qëndroi në këmbë, duke na vështruar.

Ishte rreth të dyzetave.

– Çfarë bëhet këtu? – pyeti ai.

Në ngrimë të gjithë….

– Ja, po lozin letra,… – se kush iu përgjigj…

– Jashtë, s’ke ku shkon…, , – iu përgjigj një tjetër.

– Dhe lozni me lekë..?!, – pyeti ai.

– Kemi vënë një bast, – i thamë.

– E dini se çfarë dua unë nga ju?,- na pyeti prokurori.

Për momentin, ra një qetësi e plotë!

-Na e shprehni dëshirën se çfarë kërkoni dhe ne do ua plotësojmë, nëse kemi mundësi..? – foli Karafili, – por vetëm na e fal. Ne jemi futbollistët e “Minatorit” të Tepelenës dhe po luajmë me letra, sa për të kaluar kohën dhe asgjë më shumë!

– Atëherë, prokurori, pasi e dëgjoi, – i tha: -Më hapni dhe mua një vend, që të luajmë së bashku?

Plasën të qeshurat….

Gjendja u normalizua dhe luajtëm letra, deri në mesnatë …

Dua të theksoj se me skuadrën e Himarës, kishim marrëdhënie të mira.

Në mëngjes, u mblodhëm të gjithë në kafene, për të na përcjellë.

Duke pirë kafe, ja morëm një këngë polifonike labe dhe një himarjote, por për fat të mirë, nuk ra shi!

FUND.

Përgatiti: Edmond Ismailati

Prill 2022