Pasi ka siguruar disa transferime në mesfushë dhe në sulm, Milani është vënë në kërkim të një mbrojtësi, duke qenë se disa lojtarë vijojnë të jenë ende të dëmtuar.
Kuqezinjtë arritën të shesin Lucas Paquetà-n në Lyon për rreth 20 milionë euro dhe u mendua se blerja e Wesley Fofana nga Saint-Étienne do të kryhej, por mbrojtësi kaloi këtë të martë në Premier League, te Leicester.
Në këtë pikë, mediat italiane kanë shkruar se Milani mund të transferojë mbrojtësin japonez të Bologna-s, Takehiro Tomiyasu, ndërsa së fundmi një emër tjetër i përmendur është edhe shqiptari Berat Gjimshiti.
TMW shkruan se Gjimshiti është mes alternativave, por lojtari duket se nuk e ka ndërmend të largohet nga Atalanta, aty ku mbylli një sezon të shkëlqyer dhe sërish shihet si një nga shtyllat e mbrojtjes nga Gasperini. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare është grumbulluar me Atalanta-n edhe në ndeshjen ndaj Lazio-s.