Një grup shkencëtarësh në Kaliforni shprehen se kanë gjetur një kurë të mundshme për të mposhtur Covid-19. Ekipi ishte duke punuar në garë me kohën për të gjetur sa më shpejt armën që mund ti jap fund kësaj lufte që ka përfshirë të gjithë botën. Por së fundmi ata janë besim plot se e kanë gjetur kurën e duhur.
“Jemi të lumtur të njoftojmë që kemi përfunduar projektimin dhe kemi disa antitrupa shumë të fuqishëm që mund të jenë efektivë kundër virusit”, shkruan në rrjetin social Twitter Dr. Jackob Glanville pjesë e ekipit. Ai nënvizon se pas 9 javësh kanë arritur të gjenerojnë “antitrupa ekstremisht të fuqishëm pikomolarë që bllokojnë epitopët e njohur neutralizues ACE2, duke ndaluar që koronavirus të infektojë qelizat njerëzore”.
Në një intervistë për mediat, mjeku nënvizon se ajo çka ata kanë arritur të ndërtojnë mund të jetë një kurë e mundshme për të mposhtur virusin. Eksperti thekson se skuadra e tij ka marrë me sukses pesë antitrupa që në vitin 2002 që ishin të përcaktuar për të neutralizuar, dhe bllokuar virusin SARS. Më pas këto antitrupa janë përpunuar në laborator dhe sot është bërë e mundur që të bllokohet me forcë edhe Covid-19.
Glanville e quajti terapinë “një lloj vaksine afatshkurtër, vetëm nëse funksionon menjëherë”. Ju mund t’ia jepni një pacienti të sëmurë, me COVID-19, pastaj brenda 20 minutave trupi i tyre është i mbushur me ato antitrupa. Këta antitrupa do të rrethojnë virusin dhe do ta bëjnë atë që të mos jetë më infektiv”. Disavantazhi, sidoqoftë, nënvizon eksperti është se këto antitrupa do të mbrojnë marrësit vetëm për 8 deri në 10 javë, ndryshe nga një vaksinë e zakonshme.
Antitrupat do të dërgohen në Institutin e Kërkimeve Mjekësore të Ushtrisë Amerikane të Sëmundjeve Infektive, e cili do t’i përdorë ato kundër virusit për të demonstruar nëse ata funksionojnë ashtu si synohet. Testimet tek njeriu do të kryhen më vonë. Studiuesit – të vetëdijshëm që COVID-19 “është një virus i ngjashëm me SARS krijuan “qindra miliona versione” antitrupash për atë virus, “i ndryshuan pak”, dhe në atë grup versionesh të mutuara, gjetën versione që mund të ndihmojnë për ti dhënë fund pandemisë globale.