Kontrata prej rreth 630 milionë eurosh nuk e frikëson Florentino Perezin, presidentin e Realit, i cili është gati për sulmin e dytë. Francezi mund ta lërë PSG-në në 2024-ën, por në Spanjë e presin më parë.
“Më të mirët duhet të jenë te Real Madrid”, – ka thënë Guti, duke folur për Kilian Mbappe, që dje mbushi 24 vjeç. Ka festuar përgjysmë futbollisti francez, pasi pas atij Botërori të jashtëzakonshëm i shpëtoi trofeu në finale.
Mbappe është një fenomen dhe me teorinë e Gutit ai duhet të transferohet në ‘Bernabeu’.
Ish-mesfushori nuk është i vetmi madrilen që mendon kështu, janë të shumtë ata që i kërkojnë Florentino Perezit të provojë sërish në verë.
I bërë për Madridin- “Unë e kam falur menjëherë pasi tha ‘jo’, – ka theksuar Guti për ‘Chiringuito’. – Kur e shoh të luajë për PSG-në inatosem jo vetëm për Realin, por edhe për La Ligën. Një si ai do t’i jepte shumë forcë kampionatit tonë, që duhet të ketë më të mirët në botë. Tifozët u ndjenë keq, sepse të gjithë e shihnim Mbappe si një lojtar të ri të Realit.
Ishte zhgënjim i madh. Por ishte një vendim personal dhe Madridi nuk mund t’ia mbyllë dyert një lojtari kaq spektakolar. Mbappe është një lojtar i lindur për Realin. Për të bërë atë që kanë bërë Messi dhe Cristiano Ronaldo, duhet të luajë te Reali. Në merkato ka elementë të mirë, por asnjë si ai. Haland ndoshta, por një shkallë poshtë tij”.
Po Florentino Perez? Po reflekton. Po dëgjon. Zhgënjimi i pak muajve më parë djeg akoma. Presidenti i Realit ishte i bindur se do ta merrte sulmuesin, por shumë faktorë mes Dohës dhe Parisit prishën planet. Në Katar ofruan 486 milionë euro mes firmës, bonusit të besnikërisë dhe një page monstruoze (72 milionë euro në sezon). Ndikim pati edhe Macron.
Ai frenon– Dhe Mbappe firmosi një kontratë 2-vjeçare, 2022-24. Verën e ardhshme mund të vendosë për opsionin e zgjatjes deri në 2025-ën, në të kundërt 12 muaj më pas do të jetë i lirë. Te PSG lojtari është i lumtur pjesërisht. Në një farë mënyre e ka larë borxhin me emirin e Katarit, duke luajtur një Botëror të madh.
Porta e hapur- Te Reali po kërkohet një zëvendësues për Benzema dhe tifozët kërkojnë Mbappe. Perez në maj tha: “Do të pendohet që nuk erdhi”. Më pas nuk ka folur dhe kjo ka dy shpjegime. E para: asnjë lojtar nuk është mbi klubin. E dyta: derisa Perez të jetë president, dera e Realit nuk do të mbyllet për Mbappe.
Ndeshja është e hapur. Botërori mund ta shtyjë Realin të rritë ofertën. Një mega-ofertë, që mes kartonit, pagës dhe sponsorëve shkon në një miliard. Në çdo rast, do të fitojë Kylian Mbappe. Të gjithë duan ta mbulojnë me ar.