Sport Një milion euro për të diskredituar Messin, Pep dhe Piqué: Çfarë duhet...

Një milion euro për të diskredituar Messin, Pep dhe Piqué: Çfarë duhet të dini mbi kaosin te Barça

“Makineria e baltës” rrezikon ta njollosë keq Barcelonën, në mënyrë të pashlyeshme. Mbrëmjen e së dielës, “Cadena Ser” denoncoi lidhjen midis klubit katalanas dhe kompanisë “I3 Ventures”.

Një milion

Sipas medias në fjalë, klubi e ka kontraktuar me një milion euro kompaninë e imazhit, të cituar më lart, duke e shlyer përmes gjashtë pagesave më të vogla se 200.000 euro. Këto shifra nuk kanë nevojë për autorizim nga autoritetet përkatëse, ndaj janë përdorur për të krijuar dhe menaxhuar llogari sociale që të diskreditojnë e hedhin baltë mbi disa njerëz, përfshirë Mesin dhe gruan e tij, Antonela; Piqué, Xavi, Guardiola, presidentin e “Mediapro”, Roures, ish-presidentin katalanas, Puigdemont etj.

Mbrojtja

Barcelona u mbrojt me një deklaratë, në të cilën pretendoi se bashkëpunonte me “I3 Ventures”, por vetëm për të monitoruar mesazhet ofenduese në rrjetet sociale për klubin. Ajo sqaronte se “I3 Ventures” nuk kishte asnjë lidhje me llogaritë sociale, të përmendura nga “Cadena Ser”.

Konfirmimi

Sidoqoftë, e njëjta radio publikoi një dosje prej 36 faqesh, që konfirmon menaxhimin e llogarive të mësipërme nga “I3 Ventures”. Pas pak, dy nga faqet e kompanisë, të lidhura me skandalin, u mbyllën papritmas.

Bartomeu

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, do të takojë lojtarët e përfshirë në këtë histori sot. Numri një i klubit Blaugrana do t’ua përsërisë lojtarëve atë që u tha publikisht në orët e para të pasdites, nga ceremonia e një çmimi gazetaresk, për të cilin ishte ftuar: “Në asnjë moment klubi nuk dëshiron të diskreditojë dikë, askënd. Në vitin 2017 kemi filluar të bashkëpunojmë me disa kompani, që monitorojnë rrjedhën e lajmeve për klubin tonë në rrjetet sociale dhe në internet, siç bëjnë të gjitha ekipet e shkëlqyera. Por, kur zbuluam se disa prej tyre ishin të lidhura me njerëzit, të cilët publikonin komente negative për njerëz të lidhur me Barcelonën, e ndërpremë menjëherë kontratën. Ne do të mbrohemi në mënyrë të ligjshme kundër atyre që pretendojnë ndryshe”.

Situata

Ndërkohë, polemika po rritet. Roures ka treguar publikisht pakënaqësinë e tij për ato që janë zbuluar dhe shqetësimin për keqpërdorimin e parave të klubit, i cili mbetet pronë e anëtarëve. Do të ketë procese gjyqësore, por më shqetësuese për Bartomeu është tensioni në marrëdhëniet me dhomën e zhveshjes së skuadrës, veçanërisht me kapitenin Leo Messi, i cili tashmë është zemëruar publikisht me Eric Abidal, drejtorin sportiv, për çështje të tjera. Leo ende nuk është prononcuar, por ky skandal e komplikon edhe më shumë marrëdhënien e tensionuar tashmë me klubin. Nisur edhe nga ky incident i veçantë, Messi do të jetë në gjendje ta çlirojë veten nga Barcelona në qershor, pavarësisht se ka kontratë deri në vitin 2021.

Zgjedhjet e parakohshme

Bartomeu duhet të përpiqet ta kthejë situatën sa më shpejt që të jetë e mundur në favor, sepse në Barcelonë njerëzit po flasin për zgjedhje të parakohshme në “Camp Nou”. Mandati aktual i Bartomeu skadon më 2021. Presidenti aktual i ka shteruar shanset e tij për të rikandiduar.