Edmond Ismailati
Do të ndihesha borxhli në çdo botë, nëse nuk do të shkruaja për futbollistët memaliotë dhe stafin e KFSH, që bënë të mundur të realizonin ëndrrën e vjetër të memaliotëve ndër breza!
Është ajo e fitoreve të disa trofeve njëra pas tjetrës, brenda të njëjtit sezon futbollistik 2008-09, siç ishte ajo e shpalljes përherë të parë, Kampion të Kategorisë së II-të, fitorja e Super Kupës për këtë kategori, dhe ngjitjen historike për në Kategorinë e I-rë.
Dihet për legjendën urbane dhe me tej, se trashëgimtarja e ekipit të futbollit “Minatori”, që përbëhej nga futbollistë memaliotë dhe përfaqësonte rrethin e Tepelenës, në vitet ‘90 u pagëzua me emrin “Memaliaj” dhe në vitin 2011, mori një tjetër status nga gjykata, ku u regjistrua Futboll Klub Memaliaj (FKM). Gjithmonë ky ekip ka patur lojtarë të kalibrit profesionist, që nga futbollistët e parë, të cilët hodhën themelet e futbollit tepelenas e deri në ditë e sotme. Janë këta emra që e bënë të njohur futbollin tepelenas, pasi disa prej tyre kanë luajtur edhe me klubet më me zë të Republikës, me shpresat dhe kombëtaren shqiptare. Me ndryshimin e sistemeve, kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë me klubet profesioniste të vendit, ato greke dhe italiane.
Pas presidencës së Klubit të Futbolllit Memaliaj, që e drejtonte Bernard Lola, u zgjodh memalioti tjetër, Hamza Muka. Ky i fundit, ngaqë ishte donatori i klubit, kishte të drejtë të zgjidhte për shef klubi, cilindo që ai dëshironte, por la në detyrë, ish-futbollistin veteran, Asllan Seferi. Trajner i ekipit, ishte Prof. Vladimir Bushi, i cili është një ndër veteranët e futbollit të rrethit tonë, por edhe një trajner i vjetër dhe me shumë eksperiencë. Infermier i ekipit, ishte Robert Nasi dhe tekniku i mirëmbajtjes së stadiumit “Karafil Asllani”, ishte Petrit Bilaj.
Futbollistët e famshëm të ekipit “Memaliaj”, që luajtën me të gjithë potencialin e tyre atletik, fizik, teknik, mendor dhe shpirtëror, nën drejtimin e trajnerit të talentuar. Prof, Vladimir Bushit, janë si: Ervin Merdani (portier i parë), Altin Fetaj (mbrojtës i majtë), Klaudio Hoxha (qendërmbrojtës), Adelajd Caushi (mbrojtës i lirë), Shpati (mbrojtës i djathtë), Altin Zhupa (mesfushor organizator dhe kapiten), Artan Malasi (nga Ballshi mesfushor i majtë), Krenar Bilaj (mesfushor i qendrës), Armando Mata (nga lagja “Ali Demi” i Tiranës. Luante mesfushor i djathtë me karakter sulmues dhe shumë i shpejtë dhe bënte spektakël në lojë), Erjon Tata (mesfushor i djathë), Dritan Seferi (sulmues), Alban Sharka (nga Lushnja, mbrojtës i djathtë), Klodian Mustafaj (portier), Dorian Hima (mbrojtës krahu), Adi Lika (mesfushor), Joni Zhupa (mesfushor), Gentian Arapi (mbrojtës krahu), Olti Rapa (qendërmbrojtës), Klajdi Hoxha (qendërmbrojtës), Mikel Brahimaj (mbrojtës i majtë), Maklaud Kashari (sulmues nga Tirana).
Ekipi nuk pësoi asnjë gol në pesë ndeshje rresht. Ndeshja e kthesës ishte, kur “Memaliaj” luajti në Berat me ekipin “Tomorri”, ku fituan 1-2, ndërsa ndeshja e kthimit në Memaliaj u fitua 6-1, po nga memaliotët. Ekipi “Memaliaj”, pësoi vetëm dy humbje. Faza e parë përfundoi me këto rezultate: Këlcyra – Memaliaj 0-2, Memaliaj – Butrinti 4-1, Pojani – Memaliaj 1-3, Memaliaj – Tepelena 3-2, Poliçani – Memaliaj 0-2, Memaliaj – Maliqi 2-0, Himara – Memaliaj 2-2, Memaliaj – Vlora Norga 2-2, Tomori – Memaliaj 1-2, Memaliaj – Delvina 1-0, Domosdova – Memaliaj 0-1, Memaliaj – Përmeti 4-1. Ndërsa faza e dytë përfundoi me këto rezultate: Memaliaj-Këlcyra 4-1, Butrinti – Memaliaj 0-2, Tepelena – Memaliaj 1-2, Memaliaj – Poliçani 2-1, Maliqi – Memaliaj 2-0, Memaliaj – Himara 1-0, Vlora – Memaliaj 3-0, Memaliaj -Tomorri 6-1, Delvina – Memaliaj 1-2, Memaliaj – Domosdova 6-3, Permeti – Memaliaj 2-4. Bilanci i të dy fazave: 24 ndeshje, 20 fitore, 2 barazime, 2 humbje, 61 gola të shënuar, duke kryesuar me 62 pikë.
Kisha besim tek futbollistët e ekipit “Memaliaj”, pasi disa prej tyre ua njoh vlerat e tyre dhe të tjerëve nga bisedat që kam shkëmbyer me sportdashësit. Mirënjohje të thellë, për veteranin Altin Zhupa, i cili është një ndër futbollistët memaliotë që ka luajtur më gjatë nga të gjithë dhe me shumë vlera për lojën e tij spektakolare, që padyshim e udhëhoqi ekipin drejtë nivelit profesionist. Një tjetër profesionist, që sa herë e shikoja duke luajtur, më kujtonte lojtarët brazilianë dhe ky është memalioti, Dritam Seferi, i cili mbahet mend edhe si një ndër nga golashënuesit më të rrezikshëm, jo vetëm si goleador, por edhe një njohës i shkëlqyer i portës nëpër situata dhe distanca të ndryshme. U fut në histori edhe me golin e parë, që shënoi në portën e Gramshit, në ndeshjen që u fitua Super Kupa. Ndërsa golin e dytë, për fitimin e kësaj Super Kupe, e shënoi mesfushori i talentuar, Erjon Tata. Futbollisti i talentuar nga Tirana, sulmuesi Armando Mata dhe futbollistë nga rrethe të tjetra si, Maklaud Kashari (Tirana), Artan Malasi nga Ballshi dhe Alban Sharka nga Lushnja, të cilët përfaqësonin qytetin tonë, të emocionuar, jo vetëm nga futbolli memaliot, por edhe nga sportdashësit e flaktë dhe mikpritja, sa herë që shënonin gol, e puthnin me shpirt fanellën e Memaliajt. Ervin Merdani, një nga portierët e shkëlqyer, që ka vazhduar të mbrojë me dinjitet, portën e memaliotëve dhe vinte nga një eksperiencë e gjatë, pasi kishte luajtur edhe me ekipe të tjera, të kampionatit shqiptar. Ka luajtur 5-sezone rresht, pa u zëvendësuar. Ka luajtur me ekipin e Butrintit, në sezonin futbollistik 2004–2005, kur doli në Kategorinë e I-rë. Gjithashtu, ka luajtur edhe me ekipin e Tepelenës. Në sezonin 2010-2011, shkoi të luaj me Përmetin, pasi ekipi “Memaliaj”, ra nga Kategoria e I-rë. Është një portier i shkëlqyer që do të mbahet mend, jo vetëm për sigurinë në mbrojtje të portës, por edhe për pritjet dhe planzhonet spektakolare!
Merita të mëdha kishte trajneri i ekipit, Prof. Vladimir Bushi, i cili me eksperiencën e gjatë dhe studimet e tij, të programeve të ndryshme stërvitore, të cilat aplikoheshin në lojë nga ekipet më me zë në botë, ai me shumë durim dhe përkushtim, i kultivonte dhe i mëshironte edhe tek futbollistët e ekipit. Meritat shkojnë edhe për përkushtimin e shefit të klubit, futbollistin veteran, Asllan Seferi, i cili shquhet edhe për disiplinën e tij, që ua trashëgoi edhe futbollistëve, ku ndikuan pozitivisht për të arritur suksesin historik. Nuk duhet harruar edhe kontributi i infermierit të ekipit, Robert Nasi, i cili kujdesej për shëndetin futbollistëve dhe atë të teknikut të mirëmbajtjes së stadiumit, Petrit Bilaj.
Mirënjohje të thellë, që gëzon tek të gjithë memaliotët, është edhe presidenti i klubit, Hamza Muka, i cili me kontributin e tij, si drejtuesi kryesor i klubit, por edhe si sponsori i vetëm, që ndikoi fuqishëm, për të fituar të gjitha arritjet e sezonit futbollistik 2008-09. Edhe pse fondi i Bashkisë ishte 30 milion lekë të vjetra, ai pagoi 30 mijë euro nga kursimet e tij, për të mbështetur lojtarët me pagesa shtesë, dieta, bazë materiale, qira banesash për lojtarët nga rrethe të tjera, të cilët i përzgjidhte, e deri tek transporti i tifozëve dhe furnizimi i tyre me bazë materiale, për të krijuar atmosferë festive…etj. Për këta të fundit, kishte ngarkuar djalin e tij, Gledian Muka dhe ish-futbollistin, Edvael Hysi, të cilët edhe këta kanë merita, pasi e kryen me sukses, duke mbajtur të gjallë në çdo ndeshje, shpirtin e tifozëve; atë të lojtarit të dymbëdhjetë që të jep zemër për të fituar, duke përmbysur edhe rezultate!
Ata që meritojnë mirënjohjen më të vyer dhe të patjetërsueshme, janë memaliotët e moshave të ndryshme, pasi e kanë treguar me mbështetjen e tyre, që u kanë dhënë futbollistëve, duke u lutur e deri tek pritja madhështore që u bënë në qendër të qytetit, gjithë ekipit, kur u kthyen nga fitorja ndaj Përmetit, të cilët i shpalli edhe kampion. I madh dhe i vogël, dolën për t’i pritur heronjtë e tyre, fitimtarët, të cilët ktheheshin, duke mbajtur në duar trofeun e ëndërruar ndër breza memaliotësh. Ishte festë madhështore, pasi autobusi i futbollistëve shoqërohej me mbi 50 autobusë dhe me qindra makina, autokolonë kjo e gjatë prej 4 km, që e nisi paradën prej qytetit të Përmetit, kaloi në Këlcyrë, Tepelenë dhe mbërriti në Memaliaj.
Qyteti ofshëtinte nga boritë dhe brohoritjet e memaliotëve, që gërshetoheshin e dëgjoheshin si një simfoni dollirash. Të gjithë u gëzuan dhe e festuan për disa orë, sipas mënyrës të tyre; disa në shesh; disa nëpër lokale dhe të tjerët nëpër shtëpitë e tyre. Ndërsa festa pas ndeshjes, ku u fitua Super Kupa, ishte akoma më madhështore. Erdhën për ta festuar edhe memaliotët me banim në rrethe të ndryshme dhe jashtë vendit.
Ishte e veçantë si festë, pasi u organizua një ceremoni me një podium të improvizuar në sheshin kryesor të qytetit, ku ishte ngjitur kryetari i bashkisë së kohës dhe disa nga administrata, pa harruar edhe disa ish-futbollistë, ku njërin prej tyre mbajti edhe fjalimin historik! E pabesueshmja ndodhi po atë natë festive, ku përveç gjithë popullit që u dëshpërua jashtë mase, ishin edhe veteranët e futbollit, presidenti i klubit, Hamza Muka dhe futbollistët që luajtën me shpirtin e gladiatorëve, për të arritur këtë ditë historike!
Kjo ndodhi për arsye se, jo vetëm që nuk ua përmendën emrat e veteranëve, por as emrat e futbollistëve dhe të presidentit, madje, këta të fundit nuk u thirrën në podium, pa harruar edhe ata veteranë që ende jetojnë! Të jem i sinqertë, nuk duhet t’ia linin Bashkisë për të vendosur se kush duhej të ngjitej në podium?; Cilët duhej të merreshin me përgatitjen dhe leximin e fjalimit historik? Kjo i takonte presidentit, shefit të klubit, pa harruar edhe trajnerin, kapitenin, në prani edhe të disa veteranëve dhe sportdashësve të vjetër, të cilët nuk kanë reshtur së mbështeturi me dekada, ekipin e zemrës! Ndërsa bashkia, dihet që, përveçse do kishte përfaqësuesit në podium me në krye kryetarin e saj, do merrej edhe me dekorin e qytetit dhe aktivitet festive!
Të gjithë ata që kam pyetur, kanë qenë të pakënaqur më atë podium, pasi e cilësuan si partiak! Asnjë fishekzjarr nuk u dëgjua për të shoqëruar brohoritjet dhe të thërrmonte sadopak errësirën qiellore të asaj nate! Nuk mundën të gjenin letra të ngjyrave të ndryshme dhe t’i prisnin në përmasat e flokëve të borës, për t’i lëshuar nga tarraca e Pallatit të Kulturës dhe ballkonet e pallateve përqark sheshit?!
Nuk kishte aq fonde Bashkia, për të blerë balona dhe t’i mbushte me hidrogjen dhe pasi të shkruhej tek secila, emrat e veteranëve dhe futbollistëve kampion, t’i lëshonin në të njëjtën kohë, për tu ngjitur në qiell, në shenjë nderimi! Duhet të kishte një koncert me këngëtar memaliotë, të cilët besoj se nuk do kërkonin lekë, pasi do e bënin për vendlindjen! Pra, një festë e thjeshtë dhe madhështore, nëse do të organizohej me shpirt të sinqertë!
Nga një bisedë me portierin e talentuar, Erjon Merdani, dëgjova të shprehej: “Jemi brezi parë që dolëm kampion, u ngjitëm në Kategorinë e I-rë dhe ngritëm Super Kupën! Vazhduam të shkruanim historinë që kishin filluar të parët tanë dhe e kurorëzuam duke e pagëzuar me sukses! Ajo që të jep një ndjenjë dhe kujtesë të shëmtuar, është se të gjithë ne si futbollistë, nuk u vlerësuam kurrë! Për mua, ka qenë ekipi më i mirë i asaj kategoria, për 10 vitet e fundit. Kishim çdo ekip kundra. Jo vetëm që nuk u vlerësuam, por padyshim që koha e tregoi që të ndihemi ende të ofenduar! U mjaftuan, thjeshtë me një darkë me ne futbollistët dhe 5-6 veteranë. Kjo ishte një festë e përbashkët dhe duhej të ishin të ftuar, që të gjithë veteranët, pasi ata që nuk kishin ftesa, shkuan së bashku për ta festuar nëpër lokalet në periferi të qytetit. Asnjë kontribut të vogël financiar, nuk përfituam edhe pse FSHF-ja, i jepte 10 milion lekë të vjetra Bashkisë, për t’ua shpërndarë futbollistëve që fituan Super Kupën, por nuk mësuam kurrë se çfarë u bë me këtë shumë parash, pasi për fatin e tyre duhej të interesohej shefi i klubit dhe Bashkia! Më dëshpëruese ishte, kur u bë prezantimi emrave tanë, por nuk u thirrëm të ngjiteshim në tribunë, sado që atë ditë, ishte mbushur qyteti plot e përplot. Madje kishin ardhur edhe futbollistë dhe sportdashës nga Përmeti, Këlcyra, Tepelena, Gjirokastra, Saranda …etj. Më vonë, nuk patëm asnjë rrugë punësimi edhe pse të gjithë ishim me diploma të ndryshme. Të gjitha këto pakënaqësi, ndikuan negativisht në gjendjen shpirtërore tek çdo lojtarë. Ishim ekip që meritonim të renditeshim në mesin e tabelës, me ato ekipe të forta që shin në grup. Ishin 16 ekipe dhe meritonim vendin e tetë. U mundëm me play-off, me Beratin. Duhej të ngeleshim disa vite në të parën, që të nxitej brezi i ri. Ishim ekip i mirë dhe duhet thënë se, kishte edhe ekipe shumë të forta si Partizani, Elbasani, Bylisi…etj. Kishim edhe ekipe që na sulmonin, siç ishte ajo e Vlorës, e cila paguante ekipet kundërshtare, por edhe arbitrat, vetëm e vetëm që ne të humbisnim. Atë vit, kur luanim në Kategorinë e I-rê, presidenti i klubit, ishte memalioti, Adriatik Kalemi, i cili mundohej të na mbante sa më afër dhe na jepte kurajo. Ai ka dhënë kontributin e tij, duke sponsorizuar shumë para nga kursimet e tij, jo vetëm për pagat mujore të futbollistëve, por edhe për bazën materiale dhe ne i jemi mirënjohës.”
Nëse do të pyesim veteranë dhe futbollistë të tjerë, padyshim që do ndajnë kujtime dhe opinione të ndryshme, për rrugëtimin e gjatë e deri tek brezi që shënoi ditën historike!
Të gjithë këta futbollistë të ekipit “Memaliaj”, që luajtën në sezonin futbollistik 2008-09, pa harruar edhe drejtues të tjerë të klubit, të cilët na bënë krenarë, duhet të ishin vlerësuar po atë natë festive, me titullin e lart “Qytetar Nderi” të Memaliajt. Por asnjëherë nuk është vonë, që Këshilli Bashkiak të mblidhet dhe të marrë një vendim të tillë vlerësues.
Mirënjohje pakufi, për këtë brez futbollistësh dhe drejtuesish, të cilët na dhuruan një krenari që do të kujtohet dhe nderohet ndër breza memaliotësh!
Me këtë rast, shpreh mirënjohje pakufi edhe për të gjithë brezat e futbollistëve memaliotë, që nga fillimet e futbollit e deri më sot!