Një nga shqiptarët më të kërkuar në botë përfundoi në prangat e policisë londineze pas 23 vitesh në arrati.
Top Channel raporton se skuadra e ekstradimeve në policinë metropolitane londineze ka mundur të arrestojë vrasësin Defrim Isiberi.
Ky i fundit ishte listuar nga Interpol Tirana si një prej shqiptarëve më të kërkuar në botë.
Në vitin 1997, te hotel “Gjallica” në Kukës ai goditi me armë për vdekje një roje sigurie, i cili disa muaj më pas ndërroi jetë në spital. Dëfrim Isiberi do të futej ilegalisht në vitin 1997 në Angli, ndërkohë që drejtësia shqiptare e dënoi në mungesë me 20 vite burg.
Policia britanike kërkoi edhe ndihmën e publikut përmes programit televiziv CrimeWatch në BBC1 për kapjen e tij. Megjithëse në kërkim nga drejtësia shqiptare, Defrim Isiberi në vitin 2011 kishte postuar një video në YouTube duke luajtur futboll.
Nga kjo video, policia angleze mundi të përftojë një imazh të ri se si dukej i shumëkërkuari drejtësisë shqiptare. Isiberi në Angli përdorte një identitet të rremë nën emrin Agim Mema. Megjithëse ishte i kërkuar për vrasje në Shqipëri, Isiberi kishte gjetur guximin të aplikonte për nënshtetësi britanike madje merrte edhe asistencë sociale si person në nevojë.
Ndaj Isiberit kanë nisur procedurat e ekstradimit në gjykatën londineze.