4 krerët e kompanive më të mëdha teknologjike, Tim Cook i Apple; Mark Zuckerberg nga Facebook; Jeff Bezos i Amazon dhe Sundar Pichai i Google japin llogari para Kongresit Amerikan për abuzim me të dhënat dhe konkurrencë të pandershme
Një bashkim historik, por edhe një përballje e mbushur me tension. 4 krerët e kompanive më të mëdha teknologjike, Tim Cook i Apple; Mark Zuckerberg nga Facebook; Jeff Bezos i Amazon; Sundar Pichai i Google virtualisht iu përgjigjën pyetjeve të ligjvënësve amerikanë për të përcaktuar nëse kompanitë e tyre janë bërë më të pushtetshme seç duhet dhe po dëmtojnë konkurrencën.
Pas gati një vit hetimesh ligjvënësit amerikanë pretendojnë se kanë zbuluar modele abuzimi nga 4 platformat online. Demokratët u bazuan në çështjet e konkurrencës, ndërsa republikanët tek mënyra sesi këto kompani menaxhojnë informacionin.
“Shumë nga praktikat e përdorura nga këto kompani kanë efekte të dëmshme në ekonomi. Ato dekurajojnë sipërmarrjen, shkatërrojnë vende pune, rrisin kostot dhe dëmtojnë cilësinë. E thjeshtë, ato kanë më shumë pushtet seç duhet”, tha kongresmeni David Cicilline.
“Udhëheqja amerikane e teknologjisë nuk është e pashmangshme. Suksesi i vazhdueshëm i Google nuk është i garantuar. Konkurrentë të rinj shfaqen çdo ditë. Dhe sot përdoruesit kanë më shumë akses në informacion se kurrë më parë. Konkurrenca na shtyn të krijojmë. Dhe gjithashtu çon në produkte më të mira”, u shpreh Sundar Pichai, themeluesi i Google.
“Ne jemi nëntëdhjetë e shtatë ditë para zgjedhjeve. Dhe siç ka thënë kryetari i mëparshëm dhe një tjetër anëtar, fuqia që këto kompani kanë duke ndikuar gjatë zgjedhjeve, në atë se çfarë qytetarët amerikanë duhet të shohin përpara se të votojnë, është goxha e rëndësishme”, tha kongresmeni Jim Jordan.
“Ne ndërtojmë platforma për shkëmbimin e ideve dhe debate të rëndësishme janë pjesë e shërbimeve tona. Unë besoj se kjo përfundimisht çon në më shumë progres, por kjo do të thotë që ne shpesh e gjejmë veten në mes të mosmarrëveshjeve të thella rreth çështjeve sociale dhe zgjedhjeve me interes të lartë. Unë personalisht nuk besoj se ndërmarrjet private duhet të marrin vetë kaq shumë vendime në lidhje me këto çështje. Dhe kjo është arsyeja pse vitin e kaluar unë kërkova që duhet të ketë rregullore të re për Internetin”, u shpreh Mark Zuckerberg i Facebook.
Konkurrenca ose mungesa e saj, censura dhe vjedhja e ideve të konkurrencës ishin të gjitha pretendimet e ligjvënësve, por që u mohuan nga të katër shefat ekzekutivë.
Komiteti i Kongresit nuk ka autoritet të rregullojë kompanitë, por ai mund, të rekomandojë ndryshime në ligjet e antitrustit. Një raport i detajuar kundër katër platformave, por edhe rekomandime pritet të publikohet në muajt në vijim.