Kulturë Një profil i pazakontë për Cervantesin e Don Kishotit: Si u zu...

Një profil i pazakontë për Cervantesin e Don Kishotit: Si u zu rob nga një pirat shqiptar

Ushtar, spiun, agjent taksash por edhe skllav e i burgosur. Shkrimtari Miguel de Cervantes përpara se t’i dedikohej romaneve të tij ka pasur mijëra aventura. Gjithçka ndryshoi në janarin e vitit 1605 kur u publikua romani i tij i suksesshëm “Don Kishoti”.

Ndoshta nuk e dinte se ishte i lindur për të shkruar ose thjesht nuk ishte i bindur se të qenit shkrimtar ishte një punë shumë e dobishme. Por Miguel de Cervantes Saavedra, autori i romanit Don Kishoti, kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij duke bërë punë që nuk kishin lidhje me penën e aq më tepër me administratën publike. Romancieri jetoi në të ashtuquajturën “Epoka e Artë” pas zbulimit të Amerikës, një periudhë shumë e mirë për Spanjën, pionere e rrugëve të reja të tregtisë në Atlantik dhe Paqësor. Në arkat spanjolle, falë kolonive përtej oqeanit, rrodhën ar e argjend, dhe vullneti e aftësia për të bërë biznes ishte e vërtetë. Kështu ishte edhe për Cervantesin, që në disa momente të jetës së tij pati disa fitime, por shpesh gjendej trokë për arsye se nuk ishte administrator i mirë i pasurisë.

Migueli lindi më 29 shtator 1547 në Alcala de Henares, i katërti në 7 fëmijë. Tepër i rezervuar, Migueli i vogël i mësuar me ndryshimet e fatit, në vitet kur familja e tij lëvizte nga Madridi në Valadolid dhe Sevilje si karvan cirku, u detyrua të krijonte idenë se në jetë mund të bëje më mirë.

Megjithatë, fillimi nuk ishte një nga më të mirët, në moshën 22-vjeçare u akuzua (padrejtësisht) se gjatë një dueli kishte plagosur një murator me emrin Antonio de Sigura pranë Pallatit Mbretëror në Madrid. Migueli u arratis në Itali dhe ndërsa ishte në arrati, u dënua me prerje të dorës së djathtë.

***

Në Romë, Migueli punoi disa kohë si shërbëtor dhome i kardinalit Giulio Acquaviva, dhe pikërisht aty nisi formimi i tij letrar në mënyrë autodidakte. Edhe pse të shkruarit i pëlqente shumë, Cervantes zgjodhi të ndiqte rrugën e armëve.

Ishte 24 vjeç (1571) kur u bë qitës dhe ishte pjesë e flotës Lidhja e Shenjtë (e formuar nga Papa kundër osmanëve, ku mori pjesë dhe Spanja e Filipit II). Por këtu jeta e tij mori një kthesë: ishte 7 tetor dhe Cervantesi nuk ndjehej mirë, kishte ethe, dhe u lejua të qëndronte në kuvertë, por ai donte të luftonte. Flota e krishterë ndodhej në afërsi të Lepantos, Greqi, dhe pas një beteje të përgjakshme arritën ta fitonin luftën përballë turqve të Mehmet Ali Pashës. Lidhja e Shenjtë fitoi, duke ndaluar përgjithmonë zgjerimin e myslimanëve në Europë. Të krishterët fituan, por Cervantesi humbi diçka: pavarësisht se arriti t’i mbijetonte plagëve të marra në disa pjesë të trupit, ai humbi përdorimin e dorës së majtë. Pas asaj beteje u bind që jeta ushtarake nuk bënte më për të, më shumë se kurrë tani që kishte humbur një gjymtyrë në luftë.

Në vitin 1575 vendos të kthehet në tokën e tij. Flota me tre anije, udhëtoi nga Napoli për në Spanjë por pranë bregdetit francez  u goditën nga dy stuhi të tmerrshme. Varka në të cilën ndodhej Cervantes, “Sol”, mbeti e izoluar në mes të detit.

Varka u rrethua e u sulmua nga anije piratësh të udhëhequr nga një shqiptar me emrin Arnaut Mami. Pasagjerët e “Sol” u detyruan t’i dorëzoheshin kriminelëve që i çuan në Algjeri me zinxhirë.

Letrat që Cervantesi kishte me vete i bënë piratët të besonin se ai ishte një njeri i rangut të lartë, për kokën e të cilit mund të jepej një shumë e madhe të hollash. Cervantesi ra në duart e piratit grek, Dali Mami. Ky i fundit ishte zëvendësi i piratit shqiptar Arnaut Mami.

Që Cervantesi të lihej i lirë, shuma që duhet t’i paguhej në dorë piratit Dali Mami ishte 500 eskudo të arta, një shumë marramendëse për kohën. Këtu nis edhe kalvari i vuajtjeve të Miguel Cervantesit.

Shpirti rebel i Cervantesit nisi të shfaqej vetëm pak kohë pas marrjes peng, në janar të 1576. Cervantesi bind një banor të fisit “Moor” të shkretëtirës dhe arratiset duke bërë katërqind kilometra rrugë nëpër dunat e Saharasë për të arritur fortesën më të afërt spanjolle të quajtur “Oran”. Por nuk ia del. Vendasi që e ndihmoi e tradhton. Cervantesi kapet nga fiset Berbere dhe i kthehet pronarit të vet. Për pasojë, Dali Mami e keqtrajton dhe i shton rojet. Kthimin e tij gjallë nga shkretëtira, në çdo kohë e kanë quajtur një mrekulli.

Në vazhdim Cervantesi tenton të arratiset edhe të paktën tri herë të tjera. Në një rast, në shtator 1577, ai fut në lojë spanjollët, që dërgojnë natën një anije për ta tërhequr bashkë me disa pengje të tjerë. Por dikush i tradhton. Ushtarët i gjejnë, Cervantesin dhe të tjerët, të futur në disa guva në bregdet dhe i shtrëngojnë që të dalin që andej.

Por në të kundërt, trimëria e Cervantesit në këtë rast shpërblehet. Vetë Hasan Pasha, kur dëgjon për kurajën e spanjollit të pamposhtur, ia fal jetën, madje shkon edhe më tej duke ia blerë pengun piratit Dali Mami kundrejt shumës së fiksuar që në fillim, 500 eskudo të arta.

Më 29 maj 1580 dy priftërinj, ndërmjetës të familjes së Miguel Cervantesit, mbërrijnë në Algjer. Por zotëruesi i qytetit refuzon të pranojë më pak se 500 eskudo të arta në këmbim të spanjollit. Gjithsesi, priftërinjtë nuk tërhiqen dhe pjesën tjetër të të hollave e sigurojnë nga tregtarët kristianë të Algjerit. Përfundimisht, Cervantesi fitoi lirinë pasi të hollat u paguan dhe më 19 shtator 1580 u nis për Spanjë.

***

Nga viti 1582-1583 Cervantesi shkroi romanin e tij të parë “La Galatea”. Libri, i publikuar në vitin 1585, i dha atij 120 dukatë (para e atëhershme në Spanjë), një shifër e madhe duke menduar që për të jetuar një jetë të mirë në Sevilje duheshin rreth 150 dukatë në vit. Publikimi i librit i dha atij besim dhe vendosi t’i përkushtohej të shkruarit me kohë të plotë. Në ato vite shkroi drama të shumta (shumica e të cilave humbën). Në vitin 1584 u martua me 20-vjeçaren Catalina de Palacios, vajzës e një pronari të vogël. Periudha e parë e martesës ishte mjaft e qetë: Migueli jetonte në Eskuivias, një fshat në kufirin mes Kastijes dhe Mançes, e kalonte kohën duke shkruar dhe administruar tokat e familjes. Në vitin 1587 filloi punë në Andaluzi, në fillim si ofrues ushqimi në flotën spanjolle e më pas si mbledhës taksash. Një punë me prestigj të madh, por jo shumë e mirë sepse për shkak të saj bëri disa armiq. Cervantesit i duhej të mblidhte para nga pasuritë e të tjerëve për t’ia çuar mbretit dhe madje të arrestonte atë që refuzonte ta bënte diçka të tillë. Dhe as kësaj radhe, telashet nuk vonuan të vinin. Në vitin 1597, i akuzuar për vjedhje parash nga buxheti publik, romancieri u burgos për 7 muaj në Sevilje.

Ndoshta aty filloi të ideojë kryeveprën: Don Kishoti i Mançes. Pas kësaj aventure të shëmtuar, Cervantesi u transferua në Valadolid me bashkëshorten e tij, motrat, nipërit dhe vajzën e paligjshme Isabel. Duke qenë se Cervantesi jetonte me të afërmit, bëheshin 20 persona në një shtëpi me 13 dhoma të vogla. Prandaj edhe njëherë Migel ishte viktimë e thashethemeve nga fqinjët e tij. Një mëngjes qershori në vitin 1605, pranë shtëpisë së tij u gjet kalorësi Gaspar de Ezpeleta i therur. Cervantesi ishte i dyshuari kryesor dhe përfundoi në të njëjtin burg në Valadolid ku kishin qenë babai dhe gjyshi i tij.

Por këtë herë për fat të mirë gjyqi zgjati vetëm një ditë e gjysmë dhe çështja u mbyll pa fajtor. Por reputacioni i Cervantesit u përkeqësua. Nuk dihet se çfarë efekti kishin të gjitha këto histori në mendjen e shkrimtarit. Megjithatë diçka e ngushëlloi: Libri i tij Don Kishoti (pjesa e parë e të cilit u publikua në vitin 1605, dhe e dyta në vitin 1615) filloi të ishte në gojën e çdokujt.

***

Miguel de Cervantes vdiq më 22 prill 1616, pak përpara bashkëkohorit të tij Uilliam Shekspir. Thuhet se ai u varros në Konventën e Trinitarëve të Madridit, por nuk dihet saktësisht se ku prehet trupi i tij, edhe pse në mars të këtij viti disa ekspertë mjeko-ligjorë në Spanjë kanë zbuluar një varr qindravjeçar, për të cilin ata besojnë se i përket shkrimtarit të njohur spanjoll, Miguel de Cervantes. Sipas studiuesve identifikimi dhe ndarja e eshtrave të tij do të jetë një proces i vështirë për shkak të dëmtimeve të mëdha që kanë pësuar nga faktori kohë.

***

Me një kalë, mburojë të vjetër dhe një pronar besnik tokash mund të ndryshosh botën. Por vetëm nëse jeni të bindur me të vërtetë. Po aq i bindur ishte Don Kishoti – protagonisti i romanit të famshëm të Cervantesit – që, i lindur me emrin Alonso Quijano, kishte lexuar aq romane kalorësiake sa që doli vetja, dhe në moshën 50-vjeçare, vendosi të niste një aventurë të pamundur.

Nuk dihet mirë se kur dhe ku Cervantesi e ideoi Don Kishotin e Mançes dhe si i lindi ideja e një kalorësi që luftonte në mënyrë të çuditshme me mullinjtë e erës, duke i ngatërruar ata me gjigantë të frikshëm me krahë të gjatë. Por sigurisht i njihet merita e shkrimtarit, falë dhe gjuhës së thjeshtë të përdorur dhe bisedave në libër.