Memaliaj, edhe pse një qytet i vogël, në banorët e saj ka patur të gjitha talentet dhe karakteret që ekzistojnë, si në sporte por edhe në ato të arteve. Një prej tyre është edhe bejtisti, Jorgo Xhelita, zhanër ky që kohët fundit në perëndim, është pagëzuar me fjalën, “Repist”.
Jorgua u lind më 29 korrik të vitit 1944 me prindër, Polikseni dhe Rui Xhelita. Nëna e tij, Polikseni është nga Çatistra e Gjirokastrës dhe familja e saj ka ndihmuar partizanët përgjatë LANÇ-re. Ndërsa babai i tij Rui, është nga Dunavati i Dytë i Gjirokastrës. Rui Xhelita dhe gjithë familja Xhelita, kanë dhënë kontributin e tyre në mbështetjen e LANÇ-të.
Babai i tij, Rui ka punuar në guroren e Gjirokastrës por edhe si murator në këtë qytet, duke riparuar e ndërtuar shtëpitë në kohën para çlirimit të vendit. Një nga këto shtëpi që ai kishte mirëmbajtur, ishte edhe ajo ku u lind dhe u rrit edhe Enver Hoxha. Familja Hoxha e ka ndihmuar Ruin, jo vetëm me punë, por edhe e kanë strehuar për një kohë tek shtëpia e tyre. Pas çlirimit të vendit, vetë Enver Hoxha e këshillon që të shkojë të punojë në minierën e bitumit të Selenicës, ka do të ishte më mirë për atë dhe familjen e tij, pasi vendi do ndryshonte dhe të ardhurat për punën që do të bënte, do të ishin shumë herë më të mira!
Rui e mori parasysh këshillën e tij dhe në vitin 1948, i drejtohet minierës së Selenicës dhe punon aty deri në vitin 1955. Aty mori eksperiencën e duhur dhe në vitin 1956, vendoset me familje në Memaliaj, pasi vjen si specialit në minierën e qymyrgurit, që njihet me emrin e këtij qyteti.
Familja Xhelita vendoset ne krahun perëndimor të qytezës që sapo kishte filluar të merrte formën e duhur. Kjo lagje edhe sot, njihet si “Lagja Xhelita”, pasi ishte një familje e madhe me pesë fëmijë emrat e të cilëve janë: Telat (1939), Jorgo (1944), Mitro (1946), Pandeli (1949) dhe Vasili (1955). Të gjithë janë të lindur në fshatin Dunavati i Dytë, përveç Vasilit, i cili është lindur në Selenicë.
Jorgo Xhelita, është shquar që në vegjëlinë e tij, për zërin e tij të veçantë, jo vetëm në komunikim, kur këndonte, humorin e tij unik, për shpirtin e tij zemërgjerë dhe kavalier, por edhe për bejtet e tij brilante. Është aktivizuar për disa vite me trupën e Estradës së Pallatit të Kulturës së qytetit; me trupën e Estradës së “Lagjes 4” , kur zhvilloheshin festivalet e estradave midis lagjeve të qytetit, i cili ka marr pjesë si solist dhe duke aktëruar nëpër skeçe të ndryshme. Një nga këngët e tij, të cilin e bëri të njohur në ato vite, jo vetëm në rrethin e Tepelenës, por edhe në jug të vendit, ishte kënga “Me 200 petrita, komunista lule “. Kjo këngë është kënduar nga këngëtari i mirënjohur gjirokastrit, Petrit Lulo, në një nga festivalet kombëtare dhe me trupën e qytetit tonë, e këndonte Jorgo Xhelita.
Jorgua e këndonte me gjithë shpirt dhe zëri i tij kumbues, e bënte këngën të dëgjohej me një karakteristikë të veçantë. Ai e këndonte në çdo kohë, kur ia kërkonin admiruesit e tij. Ka kënduar me korin e burrave, por ka qenë edhe pjesë e Fanfarës së qytetit, duke interpretuar me instrumentin e trompës.
Ajo që e bënte atë të veçantë, ishte se ai thurte bejte në çast dhe për këdo që takonte në rrugë dhe i kërkonin një gjë të tillë. Ai i rimonte aq bukur fjalët dhe me kuptim dhe herë-herë edhe pa kuptim, saqë të tërhiqnin ta dëgjoje me shumë vëmendje. Ka punuar në minierë në repartin e mirëmbajtjes, por edhe si shinashtrues, jo vetëm në sipërfaqe por edhe nëpër galeritë e nëntokës. Të gjithë dëshironin që të punonin me Jorgon, pasi dita ecte shumë shpejtë plotë qyfyre. Jorgua i kishte nervat zero dhe dukej një aktor i vërtetë komik, të cilin nuk e kam parë asnjëherë të mërzitur, nevrikosur apo të debatojë me të tjerët.
Kur isha në përfundim të vitit të katërt të teknikumit për teknik-miniere, ishim të detyruar që dy muajt e fundit duhet t’i kryenim në praktikë, duke punuar në fronte të ndryshme të nëntokës. Kam punuar dy javë edhe në frontin me të vështirë nëpër ciliqet, të cilat ishin të ngushta sa gjerësia e trupit dhe futeshim me këmbë, për të shtytur qymyrin që dilte nga shpërthimet që bënin minatorët dhe mbushnim vagonat, të cilat merreshin nga punëtorë të tjerë dhe i nxirrnin në sipërfaqe. Minatorët, këta heronj të vërtetë, na jepnin kurajo dhe mundoheshin të na ndihmonin përgjatë punës edhe pse punët ishin të ndara për secilin.
Kam patur fatin të punojë edhe në mirëmbajtje edhe me Jorgo Xhelitën, Adriatik Selfon dhe Gëzim Llakën, një treshe brilante që e filloje dhe e mbaroje punën me të qeshura dhe të mekura plotë lot. Memaliotët janë të veçantë, pasi humorin e vërtetë nuk e shikoje në skenën e qytetit, por në jetë reale ku shijoje një humor origjinal. Jorgos i kishte dalë nami sikur nuk punonte, por vetëm bënte bejte dhe këndonte, por nuk ishte e vërtetë pasi për aq ditë sa punuam bashkë, mundohej që të mos lodhesha.
Jorgua ishte aq brilant, saqë e fillonte bejten që kur dilte nga shtëpia në orën pesë të mëngjesit përgjatë përshëndetjeve kur shkonte në punë, në autobus duke udhëtuar për 20-30 minuta dhe përgjatë punës dhe në kthim! Këtë e bënte pa ndaluar, pasi i merrte të gjithë me radhë dhe për çdo moment përjetohej një atmosferë e veçantë dhe plotë energji pozitive.
Ai fliste shumë shpejtë dhe me atë tonin e tij metalik dhe karakteristik, t’i nguliste ato dy rreshta që t’i thurte për momentin, aq herë sa e takoje në rrugë apo në punë.
Sot këta bejtexhinjtë, në perëndim, quhen repista dhe shumë prej tyre nuk janë të lindur me këtë talent, por punojnë shumë, pasi kjo industri është në modë dhe shumë fitimprurëse. Ndërsa Jorgo Xhelita dhe shqiptarë të tjerë që kanë lindur me këtë dhunti, padyshim që do të ishin repista shumë të famshëm, pasi tekstet i kanë të çastit, ndryshe nga këta të sotmit, që paguajnë të tjerët për të krijuar bejtet!
Kam dëgjuar edhe ndonjë muzikant tepelenas, që nuk ndihet mirë kur dëgjon apo lexon kur shkruaj për Jorgon, të cilin e quaj repist, pasi këta të fundit janë të famshëm, por harron se në gjuhën shqipe, këta quhen bejtistë! Harrojnë që, ashtu si kënga labe që nuk i dihet mosha, por këndohet me shpirt dhe e pa shoqëruar me instrumenta muzikore, po ashtu edhe për bejtet, por me te vetmen ndryshim që sot shoqërohen me pjesë orkestrale!
Për Jorgo Xhelitën, ka shkrujatur tek botimi, “Udha për ferr” edhe kritiku i artit, studiuesi, shkrimtari dhe publicisti, Miho Gjini, ku në vitet e sotme, është dekoruar me titullin e lartë, “Mjeshtri i Madh”. Në kohën e regjimit, ishte një ndër të paktët kritikë të artit, që kishte vendi ynë dhe ngaqë lejoi në skenë shfaqje që nuk u pëlqyen nga qeveria e sistemit të asaj kohe, e dënuan duke e dëbuar nga Tirana dhe e internuan me punë në minierën e qymyrgurit të Memaliaj dhe të banonte nëpër kapanonet e punëtorëve.
Në botim, janë përmbledhur kujtimet që ai mbante në ditarin e tij në kohën e internimit. Në ditarin e tij të datës 2 prill 1976, ai shkruan: “Përfundimisht ditën e katërt më caktuan në brigadën e mirëmbajtjes. Kjo ndodhi më tepër nga dëshira që shfaqi Jorgo Xhelita. Këtë njeri e kisha hasur edhe herë tjetër. Fliste gati papushim dhe ngjante se qeshte me vetveten. Kur e pashë për herë të parë, vura re se ai kishte një fytyrë ovale dhe nuk duhej të ishte më tepër se 35vjeç. Qe shtatshkurtër dhe i shëndetshëm. Ajo që binte në sy te ky njeri, me të cilën ai tërhiqte vëmendjen, ishte shtrembërimi i tërë mbiemrave të njerëzve që njihte. Fill pas kësaj, ai niste me ca vargje banale, të cilat i thurte aty për aty dhe e deklamonte me një shpejtësi të çuditshme. Fytyra e tij, ndërkohë, ishte krejt e patrazuar. Para se të qeshnin të tjerët me ato që sajonte, ia hipte gazit i pari duke tundur gjithë trupin si kloun cirku. Bënte pak ftohtë sot dhe Jorgo Xhelita më ftoi fillimisht në barakën e tyre që të ngrohesha. Shpejt e shpejt ndezi sobën, pa harruar të llomotiste gjëra pakuptim. Ndërkohë jepte urdhra lart, poshtë, sidomos te njëfarë Maliqi, një stazhier që kishte mbaruar gjimnazin e që i bindej pa fjalë. Por zjarri s’po ndizej. Plasi një tym që të digjte sytë. Për ta gjallëruar zjarrin, iu desh që të shkulte ndoca dërrasurina të tjera nga veshja e brendshme e barakës. Si u ndez soba, hapi trastën e tij dhe vuri përsipër saj dy feta bukë për t’i thekur. Gjithmonë llomotiste e sajonte vargje pa kuptom. Më zgjati edhe mua njërën nga fetat e bukës, kurur i pa të thekura. Kundërshtova, por ai këmbënguli shumë, suke sajuar ca vargje të tjera, sa unë pranova.”.
Të gjithë ata që e njohin për momentin apo për pak kohë, padyshim që do jenë jo të qartë, në përshkrimin e natyrës së Jorgos. Nëse Jorgua do të kishte fatin që të vazhdonte studimet e larta për aktrim, sidomos atë komik, padyshim që sot do të ishte një emër i mirënjohur në skenën e artit shqiptar. Jorgua ka thurur aq shumë bejte, saqë matet me pjesën më të madhe të jetë së tij dhe nëse i matim me fjalë, përbëjnë thurje fjalësh sa vetë koha që ai ka kaluar. Shumë pak mbahen mend në tërësi, por ato mbahen mend vetëm në copëza nga vetë ata që Jorgua ua thurte në momentet kur i takonte, përshëndeteshin apo shkëmbeheshin në rrugë.
Jorgo Xhelita ka krijuar familje me Eresmia Kuremenaj nga Bularati i Gjirokastrës dhe kanë sjell në jetë edhe tre vajza, emrat e të cilave janë, Majlinda, Redlira dhe Elona. Të dy si çift, kanë dhënë kontributin e tyre në ndërtimin e Memaliajt dhe sot jetojnë në Athinë në vilën e tyre, të rrethuar me dashuri nga vajzat, nipërit, mbesat dhe dhëndurët e tyre.
Ngelen njerëz të veçantë, si familja e madhe e Rui Xhelitës, djemve të tij, por edhe e ajo e djalit të tij, Jorgos, të cilët gëzojnë një respekt të veçantë nga bashkëqytetarët e tyte dhe më gjerë.
Edmond Ismailati
Shkurt 2022