Aktualitet Një profil për dëshmorin e atdheut, Stefan Bregu dhe babain e tij,...

Një profil për dëshmorin e atdheut, Stefan Bregu dhe babain e tij, veteranin e LANÇ, Thoma Bregu

Ishte tragjedia e 10 shkurtit të vitit 1986, që hidhëroi jo vetëm familjen memaliote Bregu dhe të afërmit e saj, por të gjithë memaliotët dhe shqiptarët mbarë vendit.

Në afërsi të Libohovës, një ortek mori jetën e memaliotit Stefan Bregu dhe plagosi tre ushtarë të tjerë, emrat e të cilëve janë: Beqir Mahmuti, Vilzhan Bizhga, Beqir Mahmuti dhe komandantin e batalionit, Abaz Lluka, të cilët ishin në shërbim duke shkuar për në qendër, pasi kishin marr urdhër nga eprorët.

Memalioti, Sfefan Bregu, kryente shërbimin ushatarak në repartin Nr. 8555, në vitet 1986-88, në Libohovë, ku humbi edhe jetën në krye të detyrës. Për këtë ngjarje tragjike, komanda e këtij reparti, mbajti një raport të detajuar dhe të klasifikuar sekret, e cila u arkivua në arkivat e shtetit.

Dëshmori i atdheut, Stefan Bregu

Të gjithë memaliotët dhe mbarë vendi, i mësoi detajet nga ushtarët e repartit, ku kishte edhe memaliotë të tjerë që kryenin shërbimin në këtë repart, por edhe nga libohovitët dhe media e shkruar e kohës.

Për këtë ngjarje, më 13 Mars 1986, u publikua edhe një artikull në gazetën “Luftëtari”, me autor Petrit Llano. Nga ky artikull, shkëputa disa fragmente, të cilat po ia bashkëngjit këtij shkrimi si më poshtë:

“E gjetën të mbuluar me dy metra borë. Erdhën e u mblodhën rreth tij gjithë gratë dropullite të Vllahogoranxisë, Filluan ta qanin në gjuhën e tyre…. Kur erdhi koha për ta ngritur, nga mesi i fshatrave doli një burrë. I kishin hije trupi i mbajtur, flokët e bardha, rrudhat e thella, por, mbi të gjitha, fjalët që i dolën thellë nga zemra: “Deri në të dalë të fshatit tonë do ta mbajmë vetë mbi supe, se e kemi djalë dhe kaluar djalit”. … U përcoll me kurora prej degë palme që u prenë nga kopshti i Shtëpisë së Ushtarakëve të Gjirokastrës. … Një nënë e panjohur labe, këputi një lule dhe vuri në kurorë. Lëvizi lehtë buzët dhe e puthi ….”.

Nuk lexohet lehtë vazhdimi i fjalisë, pasi faqja e gazetës është dëmtuar nga palosja, por kuptohet se do ketë puthur kordelet e kurorave dhe është shprehur duke e nderuar me dy vargje: “Gjakun, bir, ta ngriu bora, Re me armën fort tek dora …”. Në shtëpinë e të atit të Stefanit sa s’u shkul e gjithë Tepelena dhe Memaliaj. Erdhën të gjithë minatorët, shokë të Stefanit dhe të të atit të tij. Këta njerëz të fort që i marrin mineralin tokës, mineral të fortë qëndrese i dhanë babait ish shokut të tyre minator, me fjalët që i thanë, me atë shtrëngim dore e me atë përqafim që dinë ta bëjnë vetëm minatorët. Erdhën dhe shokët e Partisë dhe të komandës së repartit. – Mbahu i fortë! Malet jepen, por nuk kërrusen!

Një nga pleqtë më afërt të shtëpisë nisi e foli me një zë të thellë epik, si në legjenda: “Kjo shtëpi është shtëpi dëshmorësh dhe në gjurmët e heroizmit të tyre ecën.”

Të gjithë memaliotët u hidhëruan jashtë mase për këtë humbje, sikur ta kishin vëllanë apo birin e tyre, dhe i qëndruan shumë afër familjes Bregu, për t’i lehtësuar sadopak dhimbjen!

Edhe pse vitet në kohë, zinin me radhë vendin e njëra-tjetrës, pasi koha bënë të sajën, por për familjen Bregu, hidhërimi nga mungesa e birit dhe vëllait të tyre, ishte kthyer në një ndalës të saj. Familja Bregu, ishte gjithmonë në kërkim të së vërtetës që mbahej prej vitesh nëpër arkivat, ku mbaheshin dosjet e informacioneve sekrete. Ishin përpjekjet e nënë Maros, që më datën 22 Prill 2010, bëri të mundur të nxirrte dosjen Nr.16/5, nga Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura, që ndodhet pranë Ministrisë së Mbrojtjes, për të mësuar të vërtetën që mbahej sekret në atë arkivë të sigurisë së lartë. Por përpjekjet e nënë Maro Bregut, nuk përfunduan këtu. Ajo, pasi tërhoqi zyrtarisht dosjen, vazhdoi në rrugë ligjore, përpjekjet e saj që shteti shqiptar t’i akordonte statusin “Dëshmor të Atdheut”.

Në fillim iu drejtua Këshillit Bashkiak të Memaliajt, duke iu dorëzuar dosjen e plotë, por këta, ngaqë nuk kanë të drejtë ligjore për të miratuar një status të tillë në rang vendi, jua dërguan Këshillit të Qarkut Gjirokastër, për ta shqyrtuar. Edhe këta të fundit, vepruan njësoj si Këshilli Bashkiak i Memaliajt dhe ja përcjellën Komisionit Qendror të Statusit në Tiranë, e cila më 8 prill të vitit 2013-të, mori vendimin me Nr. 656, për mosmiratimin e statusit që do të nderonte të ndjerin, Stefan Bregu, që dha jetën në krye të shërbimit ushtarak. Komisioni ngriti pretendimin se një rast i tillë, nuk i plotësonte kriteret për të marr këtë status.

Familja Bregu

Ky vendim u anulua, pasi nuk u pranua nga nënë Maro Bregu dhe kundërshtimi i saj me të drejtë, e çoi çështjen në Gjykatë, dhe në seancën e 5-të, u morë vendimi për t’i dhënë statusin e “Dëshmorit të Atdheut”, ushtarit të Republikës, Stefan Bregu.

Ky vendim, lehtësoi sadopak dhimbjen e familjes Bregu, por paharruar se edhe shpirti i “Dëshmorit të Atdheut” është mrekulluar, pra shenjtëruar!

Do të ishte jo e drejtë, nëse nuk do të nderohej me këtë vlerësim të lartë, pasi humbi jetën me armë në dorë, duke kryer shërbimin ushtarak, për të mbrojtur atdheun, njësoj si dëshmorët që ranë luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit.

Familja Bregu, është një ndër familjet e vjetra dhe të nderuara memaliote, që gëzon respektin e të gjithëve. Kanë punuar me përkushtim së bashku me fëmijët e tyre, në sektorë të ndryshme të ekonomisë, për zhvillimin e qytetit dhe atë të atdheut. Nënë Marua, punoi një jetë të tërë me përkushtim në Ndërtim Miniera, ndërsa xha Thomai, punoi me përkushtim në Sektorin e Komunales. Xha Thoma Bregu, ka qenë i inkuadruar në Brigagën e 11-të Sulmuese. Ndërsa nënë Marua, është e bija e dëshmorit, Janaq Vllaho, i cili ishte luftëtar i çetës se fshatit të Peshtanit të Tepelenës dhe u vra duke luftuar në Grykën e Mezhgoranit, ku i kanë ngritur edhe një lapidar në anë të rrugës kryesore të Mezhgoranit.

Nënë Maro dhe veterani i luftës, Thoma Bregu, sollën pesë fëmijë në jetë, emrat e të cilëve janë: Antoneta, Arben, Lili, Stefan dhe Altin, të cilët i rritën me mundime e sakrifica dhe i edukuan, për të dalë të aftë në jetë, për familjet e tyre, komunitetin, shtetas të nderuar dhe për t’i shërbyer atdheut me devotshmëri.

Stefan Bregu

Me Stefanin, jeta e solli që të punoja një muaj në Fabrikën e Tullave, pasi kisha synim mos filloja nxënës elektricist, por u largova, arsye që do i sjellë tek shkrimi kushtuar kësaj fabrike dhe punonjësve të saj. Duke punuar ndihmës në profile të ndryshme, dy javët e fundit punova me ty ndjerin Stefan dhe Arqile Dine. Të dy djemë florinjë, të fizikshëm, të dashur, të respektuar dhe të gatshëm për të ndihmuar, dhe nuk më linin të lodhesha. Kishin një humor tipik memaliot, por edhe shumë komik. Sa lëshonte njëri një të fortë për të qeshur, e priste tjetri duke lëshuar një më komike. Ato ditë kanë qenë shumë të bukura dhe kam qeshur me lot. Memaliotët kanë humor të larmishëm. Aty njoha nga afër shpirtin e tyre fisnik. Kjo vlerë e patjetërsueshme më shoqëroi për pak kohë, pasi u hidhërova shumë kur mësova largimin e tij tragjik, nga kjo jetë.

Dëshmori, Stefan Bregu u lind në Memaliaj, më 26 dhjetor të vitit 1965, ndërsa i ati i tij, veterani Thoma Bregu, u lind më 16 maj të vitit 1928-të dhe ndërroi jetë më 21 dhjetor të vitit 2008.

Lavdi veprës së tyre! Të dy, atë e bir, do të kujtohen dhe nderohen ndër breza, për jetën e tyre që kanë dhënë për çlirimin dhe mbrojtjen e atdheut.

Edmond Ismailati

10 Shkurt 2021