Extra Një rikthim në kohë/ Disa histori dhe rrëfenja për orëndreqësit dhe argjendarët...

Një rikthim në kohë/ Disa histori dhe rrëfenja për orëndreqësit dhe argjendarët tepelenas

Xhezo Karafili

Padyshim që orëndreqës dhe argjendar në profesion të lirë, ka patur para dhe përgjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe në qytetin e Tepelenës, por u ndalua çdo aktivitet privat pas çlirimit të vendit, pasi erdhi në pushtet Partia Komuniste Shqiptare.

Si gjithë shërbimet e tjera publiko-sociale, edhe në rrethin e Tepelenës ishte e domosdoshme hapja e reparteve të orëndreqësve dhe argjendarëve në qytetet Tepelenë dhe Memaliaj.

Orëndreqësi i parë në Tepelenë dhe për gjithë rrethin ka qenë Karafil Islami me origjinë nga Golemi i Gjirokastrës. Një tjetër orëndreqë, që vinte nga qyteti i Gjirokastrës dhe që punonte në Tepelenë ishte Aleko Zhulla dhe më pas Lefter Gravana. Orëndreqësi Petrit Sulejmani ishte me origjinë nga Saranda. Një tjetër orëndreqës që ka punuar në qytetin e Tepelenës është edhe Dhionis Barjaba.

Janë edhe orëndreqës të tjerë që kanë punuar në periudha të ndryshme në të dy qytetet, Memaliaj dhe Tepelenë. Ata janë memaliotët Xhezo Karafili dhe Pëllumb Aliaj. Ndërsa Novruz Hysi ka punuar vetëm në Memaliaj. Ndërsa tepelenasi Agron Sulaj ka punuar në të dy qytetet.

Në profesionin e argjendarit në Tepelenë ka punuar memalioti Bekim Agaraj, i cili njihet nga të gjithë si shumë krijues dhe shumë i talentuar, ku me unazat që porositeshin dhe punoheshin në repartin e tij, janë fejuar dhe martuar shumë çifte tepelenase dhe më gjerë! Ky repart argjendarie ishte i vetëm dhe mbulonte gjithë rrethin e Tepelenës.

Këtë profesion e kanë ushtruar edhe të tjerë në rrugë private, edhe pse ishte e ndaluar për kohën, por ata u kanë shërbyer familjes, të afërmve, miqve, shokëve dhe të njohurve të tyre, në formën e një kontributi shoqëror. Një prej tyre ishte edhe Barjam Sinani, i cili ka punuar privatisht në vitet 1966-77 në fshatin e tij Kashisht dhe më pas ka punuar orëndreqës në shtet në një repart që u hap enkas për punëtorët që punonin në Sektorin e III-të të minierës së Memaliajt. Ky sektor ishte nga më të mëdhenjtë dhe me më shumë punëtorë të nëntokës dhe të sipërfaqes, të kësaj miniere.

Në fillimet e para themelimit të qytetit të Memaliajt, që po ndërtohej dhe popullohej me hapa shumë të shpejta; qyteti gumëzhinte nga puna dhe jeta, si në qytet edhe nëpër sektorët e minierës. Përveç disa punëve në qytet, në minierë punohej me turne dhe të gjithë përpiqeshin që të bëheshin gati në kohë, për të kapur autobusët që çonin punëtorët nëpër sektorët. Shumë pak banorë kanë patur ora si ato të xhepit, dore dhe tavoline dhe si e tillë, nga drejtuesit e minierës dhe pushteti lokal, u mendua dhe u vendos që zgjimi për çdo trune të behej me sirenë dhe kjo zgjati për pak kohë, në hapat e para të asaj kohe të kësaj qyteze.

Mirëqenia në çdo familje sa vinte dhe rritej, pasi të gjithë punonin në minierë dhe ndërmarrje të ndryshme, të cilët siguronin të ardhura shumë të mira për kohën dhe si e tillë, pothuajse të gjithë blenë ora personale, por edhe nëpër apartamentet dhe shtëpitë e tyre. Popullsia sa vinte dhe rritej, si nga ardhjet por edhe nga lindjet e brezave të rinj dhe si e tillë, kërkesat për orët e dorës sa vinin dhe shtoheshin, por ishte shumë e vështirë për t’u gjetur në tregun shtetëror dhe atë të zi, që futej nga jashtë vendit prej atyre që i lejonte sistemi, siç ishin: shoferët, sportistët, artistë nga asamblet kulturore dhe ata që kishin të afërm në vende të tjera të ndryshme të botës, që u lejohej të vinin në Shqipëri apo t’u dërgonin pako të afërmve të tyre.

Të jem i sinqertë, nëse do të pyeten të gjithë fëmijët e atyre brezave, shpirt palodhur dhe heronjsh, e mbajnë mend shumë mirë, që prindërit e tyre çoheshin nga gjumi në oraret që ata i paramendonin, pasi ora e tyre biologjike kishte fituar një nivel të lartë ndjeshmërie me atë të shpirtit, që nuk fle kurrë!

Të gjithë ata që punonin në minierë dhe repartet e saj të sipërfaqes, mundoheshin që të ishin korrekt me kohën e fillimit të punës, por edhe me pjesëmarrjen e tyre. Kur humbisnin orarin e nisjes së autobusëve, mundoheshin që të shkonin në punë me makinat e rastit, që punonin tranzit, për transportin e qymyrgurit.

Një nga rastet që ka bërë shumë famë me sens humori për kohën, i cili mbahet mend edhe sot për nga humori, është kur një minator shkoi pak me vonesë në punë, pasi autobusi ishte nisur 5 minuta më parë, nga orari i caktuar. Kur ai mbërriti në sektor dhe u pyet nga brigadieri: – Pse ishte me vonesë? Ai iu përgjigj: – Unë u nisa nga shtëpia dhe mbërrita korrekt me kohën, për të kapur orarin e nisjes së autobusit, pasi isha fiks me Radio Gjirokastrën! Pra të gjithë ata që punonin, i mbanin veshët edhe nga transmetimi radiofonik i kësaj radio shumë të rëndësishme për kohën, që mbulonte Shqipërinë e Jugut dhe më tej.

Ora e xhepit në atë kohë përdorej nga një pjesë e vogël e banorëve të qytetit të Memaliajt dhe disa nga emrat e tyre janë: Izet Fejzo, Qani Ago, Dhimitër Karalliu, Majko Zhupa, Rexhep Hysi, Rexho Idriz Sinani, Misto Gjoka, Veliko Seferi, Mustafa Bodeci, Muharrem Guca (ia solli djali i tij, Shemsiu, kur ishte me studime në Leningrad), Myrto Hysi, Riza Hajno, Filip Muçi, Halim Alikomema, Sotir Sotiriu, Mato Mata, Shaban Kalemi, …etj.

Emrat e markave të orëve të dorës, që shiteshin në atë kohë dhe mbaheshin nga memaliotët ishin: Gub, Shangai, Prima, Atlantik, Omikron dhe ndonjë bark tjetër e orëve elektronike që u futën në fundin e viteve 1980.

Ndër pak ata pak që mbanin orë dore elektronike, ishin vëllezërit Reshat dhe Robert Sala. Nga moshat e vogla, që për kohën mund të ishte një rast i rrallë, pata fatin që të kisha një orë dore çek, të markës “Prima”, të cilën ma blenë prindërit kur isha 15 vjeç (1982). Në atë kohë bëja edhe lekë, pasi kisha filluar të qepja rroba në rrugë private. Një tjetër bashkëmoshatar, që edhe ai pak më vonë filloi të ushtronte privatisht profesionin e rrobaqepësit ishte Qerim Dosti, i cili më vitin 1987 bleu një orë dore kineze të markës “Shangai”. Në atë kohë, ora dore morën edhe dy rrobaqepësit e tjerë privatë, Kiço Todhe dhe Fitim Çumani, të cilët ishin pak më të rritur se ne. Nëse nuk gaboj, i kishin të markës “Atlantik” dhe “Omikron”. Mund të ketë patur edhe ndonjë tjetër në kohën kur vazhdonim shkollën e mesme, por nuk e kam dëgjuar, pasi për moshën në atë kohë ishte luks.

Në mbyllje të këtij shkrimi, shpresoj të kem sjell në kujtesë, sadopak të dhëna në lidhje me këta punonjës duarartë, të cilët u kanë shërbyer me përkushtim, të gjithë banorëve të rrethit të Tepelenës e më gjerë dhe meritojnë mirënjohje të thellë!

Edmond Ismailati

Dhjetor, 2023