Nga Klodi Kadillari
U riktheva mbas 13 vitesh në vendin që më hapi dyert e studimeve! U riktheva në tokën e trimave në vendin e shenjtë të Fadil Sulejmanit i cili luftoi për t’ju dhënë mundësi shqiptarëve të studiojnë në Tetovë! Rikthehem me zemrën plot nga Sardenja e detit vazhdoj në Malin e Sharrit dhe për të prekur Lumin e Vardarit për të ecur nëpër rrugët e Çarshisë duke lagur buzën me ujin e Tetovës dhe duke përshëndetur Nënë Terezën nëpër kalanë dhe rrugët që i pata shkelur kur xhironim dokumentarin e Nene Terezës! Pritja ime ishte në Gostivarin e Vardarit nga familja Gashi- Iseini një ndër familjet më intelektuale të vendit! E njohur me Bukurije Gashi Iseini në Kongresin e Lidhjes se Gruas si një lidere dhe intelektuale që ka lobuar dhe lobon në emancipimin e gruas jo vetëm në Maqedoni por në mbare trojet shqiptare ajo ndryshe njihet dhe ka respektin si e bija e Tajar Gashit profesorit dhe themeluesit të Teqes në Gjakove dhe Tetovë! E shoqëruar nga Bukurije Gashi Iseini vazhdoj ketë udhëtim për tu ndalur në fakultetin e Artit Dramatike Tetovë, ku na pret artisti dhe njëherazi profesori i nderuar Miftar Memeti ose si e quaj unë artisti i portreteve dhe thellësisë njerëzore! Ndalova pak sa për t’u përshëndetur me skenën ku luajt Natalia Stepanova dhe Mbretëreshën Gertrude për t’u përqafuar në distancë me disa kolegë dhe për të shkëmbyer disa batuta mes artistësh me profesorin Senad Abduli!
Dhe më pas udhëtimi vazhdon duke çelur përpara meje surprizën e prekshme e dukshme që më ka rrëqethur jo vetëm trupin, por edh shpirtin! Në hollin e madh të Universitetit të Tetovës aty ku vite më pare kisha studiuar Psikologjinë hapen përpara syve të mi portretet në forme mozaiku të personaliteteve shqiptare! Ekspozita e artistit Miftar Memeti “4 Performanca një Ide” Në këto performanca arrije të shikoje gjithçka ishin shumë dritare që të hapeshin dhe të ftonin të depërtoje boten duke u njohur me historinë, identitetin, kulturën me ngjarje dhe periudha që kanë ndodhur nëpër trojet tona që nga lufta, diskriminimet, padrejtësia duke përfshirë gjithë trojet tona deri te liria ku dominante në këtë performance është figura e heroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe shenjtorja Gonxhe Bojaxhiu!
Në këto mozaike që hapen si fletë historie arrita të shoh e të njihem me personalitete, me figura që kanë dhënë kontribute në krijimin dhe formimin e shtetit shqiptar deri te diskriminimet e demonstratat e shqiptarëve të Kosovës! Artisti Miftar Memeti sëbashku me studentët e tij kane prezantuar botën shqiptare përmes copëzave, detajeve, frymës që është kaq e padukshme, por është brenda nesh e cila mbulohet me një të kuqe si veladon duke përcjellë pa fjalë, pa britma, pa protestë se kjo është historia e tokës shqiptare e larë me gjak dhe e mbushur me dashuri! Këto performanca më dhanë mesazhin sesa e duam ne shqiptarët hapësirën dhe lirinë e tokës ku frymojmë dhe japim pasardhës, sepse gjaku që kalon nëpër venat tona i thërret njëri-tjetrit për të qenë bashke në harmoni me vetveten me tokën dhe me këtë hapësirë madhështore e virgjër dhe lirë! E keto performanca që më lanë shijen e të menduarit dhe të frymëzimit e kurorëzuan me pritjen e një takimi brenda ambienti të Universitetit të Tetovës me profesorin njëherazi dekanin z.Ibish Kadriu!
Me vitalitetin e një shqiptari dhe me karizmën e një intelektuali më përcolli energji kaq të mëdha për të ecur dhe për të vazhduar përpara duke u ndjerë krenare që isha pjesë e kësaj hapësire ku u zhvillova profesionalisht dhe artistikisht! Shtrënguam duart mes njeri-tjetrit mes shkëmbimeve te energjive që vetëm ata që kane sakrifikuar dhe e kanë çarë me mund rrugën e lirisë dhe të dijes dinë të transmetojnë energji pozitive dhe të bëjnë te ndihesh krenare për atë çfarë je dhe vendit ku je arsimuar! Erdha piva sërish ujin e Tetovës dhe nisem duke falënderuar intelektualet dhe artistët që ma bën këtë udhëtim kaq të bukur duke marrë me vete lutjet dhe shikimin e Nene Terezës qe kaq njerëzore i lashë ne hollin e Universitetit të Tetoves! Faleminderit Bukurije, Ferhat, Florent, Genta Iseini!
Faleminderit artistit Miftar Memeti që më dhurove emocionet e munguara ne këtë situate pandemie.
Faleminderit artistit Senad Abduli.
Faleminderit Dekanit z.Ibish Kadriu për pritjen dhe bisedën e ngrohte mes artisteve dhe mes shqiptarëve! E dua këtë vend dhe ndiej mall që sot këtu mungojnë dy figurat embleme dy emrat e artit shqiptar profesor Fahri Hysaj dhe profesor Sefedin Nuredini! Unë u riktheva, por juve nuk ju gjeta!