Politika Rama: Nuk jam ndjerë mirë kur e kam mbajtur maskën gjatë gjithë...

Rama: Nuk jam ndjerë mirë kur e kam mbajtur maskën gjatë gjithë ditës. Por duhet bërë

Kryeministri Edi Rama bëri edhe një herë thirrje për të mbajtur maskën e fytyrës, pavarësisht se pak javë më parë u falën të gjitha gjobat e vendosura në kohën e pandemisë.

“Ka dhe raste kur kush gabon, nuk paguan, por kjo nuk do të thotë që ai që respekton rregullat duhet të ndjehet keq. Kjo është një luftë, pavarësisht se disave nuk u pëlqen përdorimi i këtij termi. Duhet ta përballojmë të gjithë bashkë”, tha kryeministri.

“Për hir të së vërtetës sjellja e shumicës dërrmuese të shqiptarëve ka qenë mbresëlënëse. Mbajtja e maskave sot është 99%, me një sy të parë, ndërkohë që gjobat që janë vënë janë amnistuar në një moment të caktuar për të dhënë edhe një mesazh tjetër, që këtu nuk është çështja e frikës, ndonjë dëshirë apo nevojë që ne të fusim duart në arkën e familjeve dhe të marrim përmes gjobave para. Këtu çështja është që të kuptojmë mirë që duhet të gjithë të kontribuojmë.

Në faljen që bëmë vlerësuam edhe një fakt tjetër, që ata të cilët nuk kishin paguar ende, apo ata të cilët kishin ende makina të bllokuara, meritonin një mirëkuptim, pasi, sidoqoftë, një periudhë jo e vogël kaloi”.

Sa i përket gjobave që parashikohen në aktin normativ për maskat e fytyrës, Rama tha se nuk është ky qëllimi. “Asnjëherë nuk i kuptoj ata që thonë se gjobat janë të larta, për mua janë shumë të ulëta. Gjoba nuk është taksë, por ndëshkim për një shkelje që ti ke në dorë të mos e bësh. Por në rastin e gjobave në shkeljen e rregullave në këtë situatë duhet ta shohim në mënyrë pak më komplekse. Besoj që edhe kjo që ndodh sot është rezultat edhe i efektit që kanë dhënë gjobat e vëna, pavarësisht se edhe ne pastaj kemi zgjedhur të jemi tolerant. Jam i bindur që ata të cilëve u është falur gjoba nuk do ta përsërisin më. Sot nuk jam ndjerë mirë kur e kam mbajtur gjatë gjithë ditës. Por duhet bërë, dhe kaq!”.