Gjykatat franceze kanë dhënë të paktën 447 gjoba në 8 muajt e fundit, që kur hynë në fuqi ligjet e reja që luftojnë ngacmimet nëpër rrugë të femrave. Ligji për “veprat seksiste” u miratua në gusht të vitit 2018 dhe lejon gjobitjen në vend me një shumë të konsiderueshme, deri në 750 euro.
Gjoba e parë e këtij lloji u vendos vetëm një muaj më vonë, ndaj një mashkulli që i preku të pasmet një gruaje në një autobus dhe më pas shoqëroi edhe me komente “të turpshme”.
Ministrja për Barazi, Marlene Schiappa tha se numri i rasteve të diktuara tregon dhe provon se masa të tilla funksionojnë. Në progres raportin e dorëzuar në Parlamentin francez, ajo tha se shifrat nuk janë aspak për t’u konsideruar të turpshme.
“Shumë prej jush në këto karrige na keni thënë se ligji nuk do të funksionojë kurrë, apo se ne duhej të gjenim një përkufizim të sjelljes ofensive me natyrë seksiste”, tha ajo, teksa premtoi se kjo masë do të mbetej në fuqi.
Megjithatë, Marlene Schiappa veçoi abuzimin “online” si fushën ku duhet bërë më shumë, teksa tha se platforma si “Twitter” nuk ishin treguar bashkëpunuese në identifikimin e individëve që fshiheshin pas llogarive të caktuara, apo më e pakta të hiqnin përmbajtjet ofenduese.
Ligji i ri lejon gjobitjen nga 90 deri në 750 euro në “flagrancë”, masë e cila është përzgjedhur pikërisht e tillë për shkak të numrit të lartë të femrave, të cilat nuk preferojnë t’iu futen proceseve të stërzgjatura ankimore në autoritetet e drejtësisë.
Ligji ishte parashikuar prej thuajse një viti, por hyri në fuqi vetëm një muaj pas publikimit të një videoje, ku një person shfaqej teksa sulmonte një grua të ulur në një kafene, e cila tronditi francezët dhe mbarë botën.