Nga Lutfi Dervishi
Historia e mëposhtme sado e paimagjinueshme të duket ka ndodhur me të vërtetë.
Vëllai i një ministri takon një zyrtar të burgjeve dhe i qan hallin për një tender. Kërkesa e vëllait të ministrit ishte pak e çuditshme: nëse kompania ime del me pikë të barabarta shiko se mos e fitoj unë. E kërkonte këtë mundësi/nder sepse “u bë një vit që nuk ka kapur asnjë punë”.
Para se të ndodhte kjo histori ministri ishte në një drek pune. Por shpenzimet e drekës kishin kaluar kuotën e parashikuar.
Pehlivanët që janë gjithmonë të pranishëm sugjerojnë te kabineti ministrit që “e rregullojmë ne këtë punë”.
Si do të rregullohet?
Do të shtojmë numrin e personave në drekë dhe mbetemi brenda kuotës….!
Kjo nuk u pranua nga kabineti ministrit dhe Ministri pagoi shtesën nga rroga e vet!
Kjo histori ka ndodhur vërtet dhe ka ndodhur në Shqipëri, më saktë në Tiranë, më saktë në Ministrinë e Drejtësisë.
Kur u bë publik “skandali” i vëllait të ministrit, publiku nuk e di se çfarë qëndrimi ka mbajtur ministri ndaj vëllait, por di çfarë qëndrimi mbajti ministri ndaj vetes! Dha dorëheqjen menjëherë.
Atëherë “humbëm” ministrin e Drejtësisë Rusmali dhe fituam standardin Rusmali.
Me çfarë ka ndodhur që nga ajo ditë dhe me çfarë po ndodh çdo ditë, është mirë që ky standard të dërgohet në muze!
Vetë PD-ja e atëhershme dhe kjo e tanishmja nuk e përmend standardin Rusmali. Dhe u kujdes dhe kujdeset që Rusmali të jetë sa më larg PD-së.
Të përmendësh sot në publik standardin Rusmali rrezikon që numri 112 i emergjencës/urgjencës të bllokohet nga njoftimet se një i çmendur po tregon një histori të pabesueshme.
Kështu që është mirë që ky standard të dërgohet në muze dhe ciceroni të cicërojë dhe t’u thotë vizitorëve vendas dhe të huaj se kjo ngjarje ka ndodhu vërtet në Shqipëri një dekadë më parë në vitin jo aq të largët 2008!