Britania e Madhe raportoi 936 viktima të reja nga Covid-19 ditën e mërkurë, duke shënuar një tjetër rekord të trishtë në krizën që sa vjen e thellohet. Autoritetet shëndetësore thanë se viktimat janë nga mosha 22 deri në 103 vjeç, ndërsa numri total i tyre shkon në mbi 7 mijë.
Mes frikës se emergjenca po vjen duke u rënduar, kabineti qeveritar i mbetur pa shef, konfirmoi se masat e forta kufizuese nuk do të rikonsiderohen të hënën e Pashkëve ashtu siç ishte planifikuar. Piku i pandemisë mund të jetë 1 javë e gjysmë larg, sipas ekspertëve.
Situata përkeqësohet, ndërsa kryeministri Boris Johnson kaloi ditë e tretë në terapi intensive. “Downing Street” njoftoi më herët se kryeministri por reagon mirë ndaj trajtimeve dhe është nën monitorim të rreptë nga mjekët në spitalin “Saint Thomas” në Londër. “Është i qetësuar, në gjendje të qëndrueshme dhe humor të mirë”, tha ministri i Shëndetësisë Edward Argar të mërkurën.
Sekretari për punët e jashtme Dominic Raab, i cili po zëvendëson Johnson ne krye të kabinetit, njoftoi martën se kishte besim që kryeministri do ta mundte sëmundjen, dhe e cilësoi atë si një luftëtar. Në një fjalim në “Downing Street”, Raab shtoi se Johnson po i nënshtrohet trajtimit standard me oksigjen, dhe po merrte frymë pa ndihmën e pajisjeve të tilla, si ventilimi mekanik. Kryeministri u shtrua në spital të dielën, me këshillim të mjekut të tij, pasi vazhdonte të kishte kollë dhe temperaturë, 10 ditë pasi rezultoi pozitiv me Covid-19. Por gjendja e tij u përkeqësua shpejt e pas disa orësh, u zhvendos në njësinë e terapisë intensive.