Aktualitet Flet djali i ish-boksierit që humbi jetën nga Covid-19: Vdiq një ditë...

Flet djali i ish-boksierit që humbi jetën nga Covid-19: Vdiq një ditë pasi u shërua mami

Djali i ish-boksierit Skënder Kurti, që humbi tragjikisht jetën tek Spitali Infektiv, pasi u infektua me koronavirus, rrëfeu përballjen me ngjarjen e tmerrshme.

Në një lidhje me “Skype” në emisionin “Me Zemër të Hapur”, në News24, Renato Kurti tregoi se me koronavirus ishte prekur edhe nëna e tij, e cila ishte shtruar në spital bashkë me të atin, por që ajo e kishte mposhtur.

Djali i ish-trajnerit të boksit tha se edhe nëna e tij ka qëndruar rreth dy javë në spital dhe vetëm një ditë pas daljes së saj i ati ka ndërruar jetë. Ai foli dhe për varrimin e trishtë të ish-boksierit me vetëm dy persona, ai me të vëllanë, si dhe një shok dhe një hoxhë, që i kishte kënduar xhenazen.

Pjesë nga intervista:

Si i dalluat shenjat e para dhe si ishte gjendja e tij në fillim?

Ishte një grip, kishim edhe fëmijët të gjithë me grip. Më 8 mars ishim bashkë për të festuar festën e nënës, kishte temperaturë të lehtë, por menduam se ishte grip. Nuk e mendonte njeri këtë të keqe, këtë lloj mortje. Vazhdoi me temperaturë, por s’e mendonim të keqen kurrë. Më 16 pati përkeqësim, e shtruam në spital, ku rezultoi pozitiv.

Si arriti shtrimi në spital?

Procedurat ishin të rregullta. Erdhi ambulanca, e dërguam në spital. Pati shumë probleme me frymëmarrjen, ndaj e njoftuam urgjencën.

Kur i morën tamponin dhe doli pozitiv, si u prit lajmi?

Kur shkoi në urgjencë ishte me oksigjen. Ishim me besim të gjithë, se gjërat do të shkonin mirë. Flisnim në telefon me të. Te spitali i kanë ndenjur mbi kokë, ato gra të shkreta, se shumica janë gra, që janë në vijën e parë të rrezikut.

Kur e mësuat për vdekje klinike?

Ishte tmerr. Rikthimi në jetë m’u duk si mrekulli e Zotit dhe thamë që s’do na e marrë më. Pak a shumë ishim përgatitur, por shpresa nuk vdiste.

Luftoi si një boksier i vërtetë edhe në spital…

Zoti na e jep jetën, edhe na e merr. Janë punët e Zotit.

Ku mund të jetë infektuar?

Zot shyqyr ai të paktën nuk infektoi njeri tjetër në familje e në lagje. Nuk e kam fare idenë ku mund të jetë infektuar. Në spital ka qenë mami, ka dalë negative. Ka qenë e prekur edhe nëna, por e ka kaluar më lehtë, tani ka dalë nga spitali. Rreth dy javë qëndroi e shtruar në spital, ditën që doli ajo, të nesërmen dha shpirt babi.

Do ndalojmë dhe te një moment i rëndë i varrimit…

Vendosa të mos tregoja orën e varrimit, sepse do të vinin shumë njerëz. Na ra përsipër neve kjo, ishim vetëm unë me vëllanë. Morëm vetëm hoxhë Ahmed Kalanë, që fali xhenazen. Ishte dhe një shok i vet. Kështu u bë varrimi.

Kush ishte biseda e fundit me të?

Pas datës 11, po kthehesha me biçikletë, poshtë pallatit, i thashë të vinte lart, por ishte me grip. Kur jemi gjallë, nuk i vlerësojmë ca gjëra, pasi i humbasim e kuptojmë.

Me sa persona është takuar babai?

Nuk e di, njihte shumë njerëz.

Çfarë iu thanë mjekët?

Janë ato që jepen dhe në televizor. Babi u shtrua me bipolare. Virusi lufton mushkëritë. Mamaja u shtrua në spital pas vdekjes klinike të babait.

Sa të vështirë e ka pasur nëna juaj?

Nuk kam çfarë të flas për këtë pjesë, se dihet. Duhet me i dhënë forcë asaj.