Libri i ri me kujtimet e ish Presidentit Barack Obama do të dalë në treg më 17 nëntor në të gjithë botën dhe do të jetë i përkthyer në 25 gjuhë.
Libri me 768 faqe, me titull “Një Tokë e Premtuar”, do të jetë i pari nga dy vëllimet. Kjo u njoftua të enjten nga shtëpia botuese që do të botojë autobiografinë, “Crown”, së cilës Barack dhe Michelle Obama në 2017 i shitën të drejtat për të botuar kujtimet e tyre për 65 milionë dollarë.
Në këtë vëllim të parë, Obama do të tregojë përvojat e tij të para politike, ngritjen e tij si një udhëheqës deri në fushatën e tij të parë presidenciale, dhe mandatin e tij të parë deri në vdekjen e Osama bin Laden në 2011. “Crown” ka planifikuar një tirazh të parë, për botimin amerikan, prej 3 milion kopjesh. Një milion kopje do të shtypen në Gjermani dhe do të transportohen në Shtetet e Bashkuara në 112 kontejnerë në tre anije.
Në 1995, 14 vjet para se të bëhej president dhe kur karriera e tij politike ende nuk kishte filluar, Obama botoi “Ëndrrat e babait tim”. Një përrallë e racës dhe trashëgimisë, gjithashtu një libër autobiografik i shkruar pasi ai u zgjodh si presidenti i parë afro-amerikan i Harvard Law Review, gazeta e shkollës juridike të Universitetit të Harvardit.