Kryesore Një ushtarak misterioz spikat në fotot e presidentit Meta në Izrael

Një ushtarak misterioz spikat në fotot e presidentit Meta në Izrael

Gjatë vizitës që po zhvillon në Izrael, Presidenti Ilir Meta vizitoi bazën ushtarake të Ramlës, pjesë e Forcave izraelite të Mbrojtjes.

Meta u takua me personelin ushtarak, një pjesë e të cilit dha kontribut të veçantë për tejkalimin e pasojave të rënda që la pas tërmeti tragjik që goditi Shqipërinë më 26 Nëntor 2019.

Presidenti Meta inspektoi dhe ndoqi nga afër demonstrimet e operacioneve dhe të teknikave të kërkim-shpëtimit, duke vënë në dukje se “personeli i Njësisë izraelite jo vetëm ndihmoi në operacionet e kërkim-shpëtimit si dhe në vlerësimin e banesave dhe shtëpive të dëmtuara, por luajti një rol të jashtëzakonshëm psikologjik për qetësimin e banorëve të prekur nga tërmeti”.

Dekorata

Me këtë rast, Meta vlerësoi Njësinë izraelite të Shpëtimit Kombëtar me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” duke shprehur mirënjohjen shtetërore, por edhe në emër të qytetarëve shqiptarë për ndihmesën e jashtëzakonshme dhe profesionalizmin e lartë gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit.

Gjenerali Major Tamir Yadai, ideatori i dërgimit të Njësisë izraelite të Shpëtimit Kombëtar, theksoi se “kur planifikuam të udhëtojmë drejt Shqipërisë, e dinim historinë dhe lidhjen e fortë mes dy popujve, sepse ne gjithmonë do t’u jemi mirënjohës shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dëshiroj t’ju bëj me dije se nëse shqiptarët do të kenë sërish nevojë për ndihmën tonë, ne do të jemi patjetër aty”!

Ushtaraku misterioz

Por ajo që bie në sy në fotot e publikuara është se Presidenca është kujdesur t’i mbulojë fytyrën njërit prej ushtarakëve në foto. Arsyeja mbetet enigmë, edhe pse dyshimet janë se personi në foto mund të jetë pjesë e shërbimit sekret ushtarak.