Nga Ilir Alimehmeti
“Është e natyrshme ta shohësh qartë botën pasi të kesh pranuar idenë se ajo duhet të jetë e qartë”, thoshte Albert Camus…
Më poshtë le të hedhim një sy epidemiologjik mbi ecurinë e COVID-19 në Shqipëri, që ditën e rasteve të para e deri më sot.
Të gjitha të dhënat janë zyrtare dhe të përftuara përmes faqes së Ministrisë së Shëndetësisë që raporton çdo ditë dhe në mënyrë transparente përditësimet mbi COVID-19 në Shqipëri.
Duhet marrë parasysh se duke qenë Shqipëria një shtet me popullatë të ulët dhe duke qenë se shifrat e rasteve të reja kanë luhatje ditore për shkaqe operative ose rastësore, e bën të paqartë në pamje kurbën e COVID-19 në Shqipëri.
Kjo mund të ndodhë sepse testi RT-PCR mund të jetë kryer në ditë të ndryshme të ecurisë së sëmundjes së një pacienti dhe si rrjedhojë trendi mund të pësojë bias në pamje të parë.
Megjithatë, ekzistojnë metoda për të minimizuar biasin e operacionalitetit dhe të rastësisë.
Një prej tyre është edhe marrja në konsideratë e kurbës së rasteve aktive.
Metodë tjetër është të heqim dorë prej idesë së shpërndarjes Gaussiane (shpërndarje normale), pasi në këtë patologji kjo gjë nuk është vënë re.
Disa prej hipotezave çuan drejt mendimit se shpërndarja Gompertz (shpërndarja e probabilitetit të vazhdueshëm) mund ta shpjegonte më mirë ecurinë.
Megjithatë, këto shpërndarje mund të diskutoheshin nëse do të lihej virusi të kryente ecurinë natyrore të tij. Por, e dimë shumë mirë se masat shtetërore nuk e kanë lënë virusin të kryejë ecurinë natyrore, por me ashpërsimin dhe lehtësimin e masave do të kishte hipje dhe rënie të numrave.
Si rrjedhojë, funksioni polinomial duket se është modeli më i përshtatshëm dhe që shpjegon shumë më mirë variacionin e të dhënave.
Le të shohim rastet aktive në Shqipëri (Figura 1).
Duke përdorur funksionin polinomial arrihet përputhja pothuajse maksimale e linjës me rastet aktive në bazë ditore. R2 është 0.9811 (p for trend <0.001), ku maksimumi perfekt është pikërisht 1.0.
Mund të vërehet kështu edhe se si rastet hipin fillimisht deri në fund të prillit, e më pas fillojnë bien duke arritur minimumin në periudhën e 18 majit, kur filloi edhe hapja. Rastet më pas, vazhdojnë rriten pas hapjes.
Kujtoj që duhet të lejoni një vonesë në kohë prej 1-2 javësh nga efekti (masa e vënë apo e hequr) e deri te pasoja (ulja apo rritja e rasteve aktive).
Në Figurën 2 mund të vëreni përqindjen e testeve RT-PCR që rezultojnë pozitive (TPP) në bazë ditore.
Kujtoj se objektivi i rekomanduar i OBSH-së është që TPP të jetë ≤10%.
Nëse vini re, në periudhën kur infeksioni ishte nën kontroll (gjysma e prillit – java e parë e qershorit) ky objektiv arrihej në mënyrë pothuajse konstante. Ndërkohë që ka korrelacion rritja e TPP-së mbi nivelin e rekomanduar pikërisht me rastet e rritura, si në fillim të epidemisë (mars-prill), ashtu edhe në periudhën qershor-korrik.
Luhatja e variacionit e shpjeguar përmes funksionit polinomial është R2= 0.5322 (p for trend <0.05).
Lajmi i mirë është që kur ky indikator të rifutet në vlerën e objektivit, për pak kohë edhe infeksioni do të rifutet nën kontroll.
Pra, ky rekomandim i OBSH-së funksionon edhe për Shqipërinë!
Në Figurën 3 mund të vëreni një grafik me rëndësi epidemiologjike klinike, pra përqindjen e rasteve aktive që kanë nevojë për shtrim spitalor.
Edhe ky grafik flet qartë. Ecuria i nënshtrohet funksionit eksponencial negativ dhe R2 = 0.822 (p for trend <0.001).
Pra, përqindja e rasteve aktive që kërkojnë shtrim spitalor është në rënie konstante duke arritur një maksimum prej 58.1% më 25 mars 2020 dhe duke rënë në 5.6% më 25 korrik 2020.
KUJDES: Këto janë vlerat relative epidemiologjike. Në shërbime spitalore u kushtohet rëndësi vlerave absolute me të drejtë. Aktualisht shtrimet në total janë në të njëjtat nivele si në mars dhe fatkeqësisht kemi edhe humbje jete.
Në vijim do të vazhdojmë me konsiderata të tjera epidemiologjike… por kujdes…
Këto analiza dhe shifra janë për të na ndihmuar të kemi një pamje më të qartë dhe jo të harrojmë masat tashmë të njohura:
Distancë fizike
Higjienë e rregullt
Maskë në ambiente të brendshme
Maskë në ambiente të jashtme nëse nuk mbahet dot distanca
*Ilir Alimehmeti është epidemiolog klinik pranë Fakultetit të Mjekësisë, UMT