Ministria e Shëndetësisë raporton se në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar 125 raste të reja me Covid-19, ndërsa një 55-vjeçare nga Vlora ka humbur jetën.
Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik tha se në Spitalin Infektiv dhe tek “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 122 pacientë, 19 në terapi intensive dhe tre të intubuar. Ndërkohë 37 qytetarë janë shëruar nga sëmundja duke e çuar numrin total në 3379.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 68 raste në Tiranë, 15 në Korçë, 10 në Durrës, nga 4 raste në Shkodër, Lezhë, Berat, Gjirokastër, nga 3 raste Lushnje, Kurbin, 2 në Devoll, nga 1 rast Elbasan, Kukës, Pukë, Përmet, Sarandë, Divjakë, Kolonjë, Gramsh. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 37 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3379, që nga fillimi i epidemisë.
Gjatë javës që lamë pas, Ministria e Shëndetësisë thotë se është vënë re një rritje e numrit të rasteve të konfirmuara, si edhe e numrit të testimeve në mbi 1/1000 banorë.
“Incidenca e sëmundjes COVID-19 në Shqipëri deri në javën që lamë pas është 214.9 raste për 100 000 banorë. Në nivel qarku, incidenca më e lartë është në Tiranë e ndjekur nga Durrësi dhe Shkodra, ndërsa qarku me incidencën më të ulët është Elbasani. Mosha mesatare e rasteve të konfirmuara është 47 vjeç. Grupmosha 55-64 vjeç zë përqindjen më të lartë të të prekurve me 19.7% të rasteve të konfirmuara e ndjekur nga grupmosha 25-34 vjeç me 18.5% të rasteve të konfirmuara”, deklaroi Rovena Daja.