Bota Me maska edhe në ambiente të hapura, Franca shton kufizimet për të...

Me maska edhe në ambiente të hapura, Franca shton kufizimet për të frenuar pandeminë

Virus Outbreak France

Franca ndjek shembullin e Spanjës dhe nga kjo e hënë e bën të detyrueshme mbajtjen e maskës edhe në ambiente të hapura. Urdhri është i vlefshëm për personat mbi 11 vjeç dhe për zonat e populluara të Parisit, të tilla si anët e lumit Senë apo tregjet e hapura.

Sipas një liste që i është dërguar policisë, qytetarët janë të detyruar të mbajnë maskën në më shumë se 100 rrugë. Megjithatë atraksionet turistike; të tilla si Kulla Eiffel, Harku i Triumfit apo Champs Elysee, përjashtohen nga masa e re.

Mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura publike ka qenë e detyrueshme që më parë. Të gjithë ata që nuk respektojnë rregullin rrezikojnë të gjobiten me 135 euro.

Hyrja në fuqi e urdhrit të rivjen ndërsa vendi është i përfshirë nga valë e të nxehtit afrikan, me temperaturat që i kaluan 40 gradë Celsius në disa rajone. Vapa do të zgjasë deri të martën, e mbajtja e maskës pritet të jetë tejet sfiduese. Për disa masa është e panevojshme.

Pas një izolimi strikt disamujor, Franca arriti të sheshonte kurbën e infektimeve të reja, por që prej muajit korrik, rastet kanë qenë në rritje. Të premten vendi raportoi 2288 infektime të reja në 24 orë, shifra më e lartë kjo në periudhën e post-izolimit.  Ekspertët e shëndetësisë kanë paralajmëruar se Franca mund të humbasë kontrollin ndaj Covid-19 në çdo moment.