Në Lombardi, rajoni më i prekur nga koronavirusi, çuditërisht ka disa vende pa infeksion, në mesin e tyre Ferrera Erbognone, një qytet me pak më shumë se një mijë banorë në zonën e Pavias, e cila tani bëhet objekt studimi nga Instituti Neurologjik Mondino.
Qëllimi është që të ekzaminohet gjaku për të zbuluar praninë e antitrupave. Dje, kryetari i bashkisë (njëkohësisht mjek në profesion) Giovanni Fassina bëri një njoftim për qytetarët, pasi ishte nënshkruar një rezolutë e këshillit për këtë çështje. Banorët mund të rezervojnë deri më 2 prill për t’iu nënshtruar një ekzaminimi hematokimik në laboratorin e Sannazzaros.
“Ne kemi zgjedhur Ferrera Erbognone – shpjegoi menaxheri i përgjithshëm i Mondinos, Livio Tronconi – sepse është një komunitet në të cilin ende nuk ka ndodhur asnjë rast i prekjes nga koronavirusi: rrjedhimisht studimi i popullatës mund të na sigurojë të dhëna të rëndësishme, që më pas do të ndahen me virologët dhe me komunitetin shkencor të rajonit të Lombardisë”.