Zv/kryeministrja e Kosovës dhe njëkohësisht ministrja e Jashtme Donika Gërvalla ka shpallur këtë të premte “persona non grata” dy shtetas rusë. Bëhet fjalë për Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev të cilët akuzohen se kanë cenuar sigurinë kombëtare të vendit.
Alexey Kryvosheev është diplomat rus që nuk e ka për herë të parë që shpallet “non grata”. Në janar edhe qeveria shqiptare e shpalli Alexey Krivosheev person non-grata me argumentin se ky i fundit kishte “shkelur vazhdimisht masat e COVID-19”, por nën zë u tha se dyshimet ishin të tjera dhe që lidheshin me sigurinë kombëtare.
Për shpalljen non grata të dy diplomatëve rusë ka reaguar edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së.
Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë, për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse”, – tha Osmani.