Quajeni “të përzgjedhur”, ose vetëm me fat. Fakti është që njeriu i momentit te Juventusi është padiskutim Moise Kean. Italia e ka zbuluar pa pritur dhe pa kuptuar, kështu krejt rastësisht. Juventusi e gjeti deçiziv në një periudhë delikate.
Në moshë 19 vjeç e 32 ditë, sulmuesi i lindur në Verçeli ka treguar në fushë se është gati për hapin e madh, edhe pse Allegri edhe pas ndeshjes me Empolin e “ul me këmbë në tokë”. Por, Kean vazhdon në rrugën e tij dhe tashmë fanella e katër herë kampionëve të botës, pra Italisë, i përket, ashtu si po aspiron për titullar edhe te klubi me më shumë trofe kombëtarë.
Numrat janë në anën e tij. Këtë vit ka shënuar tri gola në Serie A në tre tentativat e parë në portën kundërshtare. Me Empolin i mjaftuan 2 minuta e 30 sekonda nga aktivizimi për të shënuar dhe për t’u bërë kështu futbollisti më i ri që ka realizuar teta gola në kampionat që prej Mario Balotellit (18 vjeç e 242 ditë, viti 2009).
Pra, një Mbret Mida, që e kthen në ar gjithçka që prek. Dhe tani nuk do të jetë e lehtë që ta kthesh në stol ose të negociosh rinovimin e kontratës, sidomos duke ditur se “peshkaqeni” Raiola, agjenti i tij, pret të hapet ankand.
Për sa i përket pjesës së parë, Allegri dukej me ide të qarta. Nga këtu në fund të sezonit, Kean do të ketë hapësira, por nuk mund të jetë kurrsesi titullar, të paktën kur të gjithë “big”-ët të kthehen dhe të kenë kaluar problemet fizike.
Trajneri toskan e di mjaft mirë se si të sillet dhe menaxhojë 20 vjeçarët, Moise duket se është dakord dhe për tani e ka mbajtur kreshtën e ulur, duke pranuar vendimet dhe zgjedhjet e trajnerit. Pikërisht kjo duket që është edhe një nga aftësitë e tij. Asnjë kërkesë, në fakt. Një sinjal i rëndësishëm edhe për Juven që mund të vendosë të synojë te ai për të ardhmen, duke rinovuar me shifra të rëndësishme.
Ajo që me siguri do të përfitojë Raiola për të qëndruar në Torino. Do të jenë vendimtare javët e ardhshme, por përshtypja është që jemi përballë një lojtari të fortë fizikisht, teknikisht, por edhe me kokën pas shpatullave. Cilësia më e madhe për t’u bërë “top”.
Në një mbrëmje pozitive, shqetësimi i vetëm i Allegrit lidhet me Dybala. Argjentinasi mungoi ndaj Empolit pasi pati problem fizik gjatë nxehjes. Megjithatë, ka optimizëm për rikuperimin e argjentinasit. Me shumë mundësi do të lihet pushim për transfertën në Sardenjë, ndaj Cagliarit, për t’u kthyer të shtunën ndaj Milanit, testi i fundit përpara Ajaxit.