Edi Rama gjatë një konference për mediat për ecurinë e punës së Njësisë Speciale Antiinformalitet, deklaroi se publikimi i pagave për mbi 630 mijë qytarëve në vend ka dhënë efekte pozitive.
Nisur nga kjo, Rama tha se në Këshillimin e ardhshëm Kombëtar, qytetarët do të pyetën nëse janë pro apo kundër publikimit të të gjitha pagave njëherë në vit.
“Vendet që e bëjnë këtë punë dhe që thonë se ka efektin më të madh vetërregullues, pasi përmes transparencës krijon presionin pozitiv në komunitetin e biznesit. Ne mendojmë se kjo është shumë e vërtetë”, deklaroi Rama.
Kryeministri Rama paralajmëroi se krahas kontratave të punës, do të verifikohet edhe paga e deklaruar dhe stili i jetesës. Lidhur me këtë, kreu i qeverisë u shpreh nuk mund të kesh shtëpi e makina të shtrenjtë, për sa kohë ke një rrogë që nuk i justifikon ato.
“Ne do bëjmë një punë intensive lidhur me kontratat, ministria ka nisur me disa raste specifike dhe po punojmë, për mbështetje të punëmarrësve dhe ndihmuar punëdhënësit për kontratat që garantojnë dy palët. Ne do shkojmë në tutje në ballafaqimin e pagave te deklaruara me stilin e jetesës, kjo vlen për ata që marrin paga të larta dhe që i shmangen deklarimeve në mënyrë të ndryshme, ka një axhustim për t’u bërë. S’mund të kesh të ardhura X dhe të kesh shtëpi e vetura që nuk bëhen kurrë me ato të ardhura. Ne do e kthejmë këtë mbështetje në masa ligjore për të cilat do të flasë ministrja.” u shpreh Rama.