Sot Andre Brugiroux pushon i qetë dhe shijon natyrën dhe pensionin në shtëpinë e tij në juglindje të Parisit, në një qytezë të vogël dhe shtëpinë me kopsht, ku mbi tryezë nuk mungon harta e botës.
Teksa duart tashmë të rrudhosura të Andre Brugiroux tregojnë hartën e botës në tavolinën e kopshtit të tij, francezi 83-vjeçar tregon historitë e shumta të udhëtimeve dhe aventurave ku ka qenë protagonist. Secili prej udhëtimeve ka një histori.
“Përshëndetje. Emri im është Andre Burgiroux. Unë jam nga Franca, sot jam 83 vjeç. Kam realizuar ëndrrën time që të vizitoj çdo vend e çdo territor të botës”, thotë ai.
Andre thotë me krenari dhe nostalgji se përgjatë të gjithë jetës, ka shëtitur e ka vizituar çdo vend të botës. Sipas llogarive të tij, janë 251 shtete që ka arritur të vizitojë, me shpenzimet e veta, madje edhe shtete të panjohura zyrtarisht si Somaliland apo ishullin e Tristan de Cunha, që është arkipelagu më i largët dhe i pabanuar i globit.
“Ndoshta mund t’i bëj njerëzit për të qeshur por mendoj se që të udhëtosh mirë ka vetëm një recetë dhe kjo nuk është guida turistike. Duhet ti dashuroni njerëzit dhe ashtu ata do të vijnë tek ti. Sepse duhet të kuptoni që udhëtimi varet vetëm nga udhëtari. Në qoftë se do të shkoni në një vend si pushtues, do t’ju qëllojnë. Po të shkoni si turist, do t’ju mashtrojnë dhe shumë mirë do jua bëjnë. Po të shkoni si mik, keni shanse që t’ju mirëpresin si mik”, thotë Brugiroux.
Aventurieri u largua për herë të parë nga Franca në moshën 17-vjeçare, pasi përfundoi studimet për katering. Ai u zhvendos në Skoci për të punuar si kamerier. Por ai do të niste nga ajo udhëtimet, fillimisht nga rrethinat e Parisit përqark Europës, në Kanada dhe më pas përqark botës.
Nga viti 1967 deri në 1973, ai udhëtoi 400 mijë kilometra duke kërkuar autostop me makinë, varka dhe avionë. Kishte vendosur të mos shpenzonte më shumë se 1 dollar në ditë.
“Pas një muaji, kuptova që kisha shpenzuar një dollar në ditë. Dhe mendova: prit një minutë, në qoftë se vazhdon të shpenzosh vetëm një dollar në ditë, atëherë e gjithë bota është e jotja. Atëherë e kuptova se nëse do të bëja autostop pa shkuar në hotele, do të mund të shihja të gjithë botën. Kjo u bë metoda ime, fillimisht në Amerikën e Jugut. Nuk e dija që do përshkruaja 400 mijë kilometra vetëm me autostop. Thjesht ndodhi. Por duhet të bëni kujdes me kë zgjidhni të udhëtoni. Rrugës konsumoja kikirikë, ka patur ditë edhe që kam agjëruar, ndërsa disa netë janë vërtet të frikshme por unë jam treguar hero. Si në rastin e Alaskës, ku temperaturat arrinin në -45 gradë celsius dhe nuk shkoje dot në hotel. Aty mund të thuash se luan me jetën”, rrëfen i moshuari.
Ai ka udhëtuar deri tani vonë, por hoqi dorë nga rruga pasi kushtet shëndetësore dhe mosha e detyruan të rikthehet në shtëpinë e tij në Francë, për t’iu nënshtruar mjekimit. Çdo vit ka udhëtuar, deri në fund të vitit 2019, kur vendosi të dorëzohet, pasi mosha nuk ja lejonte më që të dilte në rrugë e të ecë për kilometra të tëra.
“Nisa të llogaris se teksa përshkova 400 mijë km përmes autostopit në mbarë botën, kisha ecur 12 km në ditë. Në fakt unë kame ecur gjithnjë. Ecja është baza për një shëndet të mirë. Sot, jam 83-vjeç dhe përsëri eci një orë në ditë, por kam kuptuar diçka. Nuk eci dot shpejt si dikur. Edhe zonjat më në moshë se unë ecin shumë më shpejt. Por rëndësi ka që ende mund të eci”, vijon Burgiroux.
Andre ka shkruar disa libra, ka prodhuar edhe një dokumentar duke përdorur pamjet që vetë i ka regjistruar gjatë udhëtimeve të tij dhe ka dhënë me qindra konferenca, si i ftuar në universitete të ndryshme, ku ka ndarë me të tjerët, aventurat e tij qark botës.
Një influencë të jashtëzakonshme në mënyrën sesi Andre nisi të perceptojë botën pati besimi Baha, një besim i botës moderne në Iran, vend të cilin francezi e vizitoi në vitet ’70. Atje, thotë se kuptoi sensin e vërtetë të njerëzimit.
“Edhe në Iran kam udhëtuar falë autostopeve. Ishte e çuditshme. Njerëzit atje nuk bënin autostop dhe të mendosh që unë isha veshur edhe me të shkurtra. Iranianët nuk vishen me të shkurtra. Ata surprizoheshin dhe kush ndalonte për të më marrë më thoshte: hajde minifundi. Sipas tyre, ishte koha e minifundeve. Në Iran po ashtu përfundova 2 herë në fund, si “spiun sovjetik”, tregon ai.
Andre ka fjetur kudo: në natyrë, në çadra e varka, buzë detit apo majë malit, në shtëpi apo edhe në qeli.
“Kishte vendeve që as nuk e kam imagjinuar që njerëzit do të më ftonin të flija në shtëpinë e tyre apo në disa raste, pse jo, e kam kaluar natën në burg. Shkoja në komisariate, trokisja dhe i thoja: përshëndetje zotëri. Jam në një tur botëror dhe po kërkoj një vend për të fjetur sonte. Kam vetëm çantën e kurrizit. Keni një qeli bosh për mua? Dhe përgjigja ishte e shkurtër: Po ose Jo. Shumë herë ma kanë hapur derën. Në shumë raste më kanë marrë për ndonjë spiun, guerrillas, pirat etj…”
Në fund, 83-vjeçari, që ka vizituar 250 vende të botës, ka një këshillë për të rinjtë sot, kryesisht të rinjtë që i dashurojnë udhëtimet:
“Njerëzit kudo, kanë një zemër dhe ndjenja. Të gjithë i dimë gëzimet dhe hidhërimet. Të gjithë janë të mençur, në mënyrën e tyre. Unë kam patur fat me udhëtimet e mia dhe kam arritur të kuptoj diçka: përfundimi im pas gjithë këtyre viteve është se bota është një vend i vetëm dhe ne jemi të gjithë qytetarë të këtij vendi. Është shumë e rëndësishme ta kuptojmë këtë. Dhe duke udhëtuar, ne lëmë pas çdo paragjykim. Ndaj udhëtimi është shumë i rëndësishëm. Të udhëtosh siç duhet, në natyrë, të ecësh dhe jo të shkosh në hotele me 5 yje por të takosh njerëz, të takosh njerëz me zemër të hapur”, përfundon udhëtari i pamposhtur.