Sinisa Mihajloviç dha sot lajmin se vuan nga sëmundja e rëndë e leucemisë, ndërsa premtoi se do nisë një betejë të fortë kundër të keqes, deri sa ta mposhtë atë, por pa lënë mënjanë karrierën e tij si trajner te Bologna.
Nuk munguan as mesazhet nga futbollistë të kampionatit italian, trajnerë apo ish shokë skuadre të Sinisa Mihajloviç dhe deri te zv/kryeministri i Italisë, Matteo Salvini, të cilët u rreshtuan krah serbit në këtë betejë.
Me një karakter të fortë, që e ka shoqëruar edhe në karrierën e tij si futbollist e si trajner, Mihajloviç zbuloi se është diagnostikuar me Leucemi akute dhe se ka vendosur të luftojë sëmundjen e ta mposhtë atë.
“Doja që lajmin ta jepja vetë dhe prita më shumë respekt për privatësinë time, por disa gazeta, për të shitur 100 apo 200 kopje më shumë, zgjodhën të hedhin poshtë miqësinë 20-vjeçare me mua. Kisha temperaturë dhe nuk udhëtova me skuadrën, por shkova për një kontroll rutinë, nga ku zbulova se kisha leucemi. Kalova ditë di mbyllur dhe duke qarë, por në fund vendosa të vazhdoj përpara dhe të luftoj sëmundjen, deri sa ta mposht atë. Unë në jetë asgjë nuk e kam marrë dhuratë dhe më është dashur të luftoj shumë për të ardhur deri këtu, ndërsa tani jam gati të luftoj edhe më shumë, për të shkuar përpara dhe për të mposhtur sëmundjen”, tha ai.