Rritja e numrit të viktimave dhe të infektuarve të rinj me koronavirus ka detyruar autoritetet në shtetin e Nju Jorkut të zgjasin deri në 15 maj masat shtrënguese për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të pandemisë.
Guvernatori Andrew Cuomo, i cili dha lajmin për zgjatjen e masave të izolimit tha vetëm ekspertët do të jenë ata që do të vendosin se kur shteti i Nju Jorkut do të hapet.
“Vendimet nuk duhet të jenë politike apo emocionale. Të dhënat dhe shkenca do të vendosin. Jemi duke folur për jetë njerëzish”, u shpreh Cuomo.
“Punonjësit jothelbësorë duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi. Rregullat e distancës sociale mbeten”, tha në Twitter Cuomo, duke thënë se zgjatja ishte “në koordinim me shtetet e tjera”.
Duke folur në një konferencë të përditshme për shtyp, guvernatori tha se shteti po përparon në përmbajtjen e përhapjes së virusit falë politikave distancuese sociale.
“Ne e kemi nën kontroll këtë bishë. Ne e kemi ulur shkallën e përhapjes”, tha Cuomo.
“Çfarë ndodh pas kësaj? Unë nuk e di”, tha ai lidhur me zgjatjen deri më 15 maj.
“Ne do të shohim në varësi të asaj që tregojnë të dhënat”, shtoi Cuomo.