Bota Koronavirusi, Britania zgjat dhe 3 javë masat shtrënguese

Koronavirusi, Britania zgjat dhe 3 javë masat shtrënguese

Britania e Madhe ka vendosur të zgjasë dhe për 3 javë masat shtrënguese kundër koronavirusit për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të pandemisë.

Lajmi u dha nga sekretari i shtetit Dominic Raab përmes një deklarate për shtyp ku u bë dhe përditësimi i bilanci i viktimave dhe personave të prekur nga virusi i ri me origjinë nga Kina.

Sekretari Raab, i cili është mandatuar dhe si zëvendësuesi i kryeministrit Johnson, konfirmoi se numri i viktimave në Britaninë e Madhe ka shkuar në 13 729.

“Masat tona hap pas hapi po merren pas konsultimet me autoritetet shëndetësore dhe kanë si qëllim për mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Në të njëjtën kohë po punojmë dhe për rritjen e kapaciteteve në spitale për personat e infektuar”, u shpreh sekretari Raab.

Princi William hap një spital emergjence për Covid-19

Princi William, nipi i Mbretëreshës Elizabet, hapi një spital emergjence për të prekurit me Covid-19, i cili u ndërtua për 8 ditë, në një qendër panairesh në Birmingham.

Duka i Cambridge e përuroi spitalin e ri për NHS në Qendrën Kombëtare të Panaireve përmes një videomesazhi.

Ky spital është i dyti nga 7 që po ndërtohen në Angli, për t’iu përgjigjur pandemisë së koronavirusit, e cila deri tani iu ka marrë jetën mbi 13 mijë personave në këtë vend. Ai ka një kapacitet prej 500 shtretërish, por mund të arrije deri në 1500.

Rreth 400 kontraktorë civilë dhe personel ushtarak si dhe 500 anëtarë të stafit mjekësor u përfshinë për ndërtimin e tij.