Nobmimi Nobel për Mjekësi 2019 u është ndarë bashkërisht William Kaelin Jr., Sir Peter Ratcliffe dhe Gregg Semenza për studimin e tyre lidhur me atë se si qelizat njerëzore reagojnë ndaj ndryshimit të niveleve të oksigjenit. Dy prej tyre janë amerikan ndërsa njëri është britanik
Duke shpallur çmimin në Institutin Karolinska në Stokholm të hënën, komiteti Nobel tha se zbulimet e treshes i kanë hapur rrugën strategjive të reja për të luftuar aneminë, kancerin dhe shumë sëmundje të tjera.
“Laureatët e Nobelit për mjekësi 2019 kanë identifikuar makineri molekulare që rregullon veprimtarinë e gjeneve në përgjigje të niveleve të ndryshme të oksigjenit. Rëndësia e oksigjenit është e ditur prej kohësh, por tani mund ta kuptojmë se si qelizat përshtaten për të mirën e kurës”, thotë Komitetit i Çmimeve.
Randall Johnson, anëtar i komitetit të çmimeve, e përshkroi punën e treshes si një “zbulim në favor të edukimit dhe librave shkollorë”.
“Kjo është diçka themelore që studentët do ta mësojnë qysh në moshën 12 ose 13 vjeç, apo edhe më të ri. Nxënësit tash e tutje në biologji do të mësojnë mënyrat themelore si funksionojnë qelizat. Ky është një aspekt themelor se si funksionon një qelizë dhe, nga ky këndvështrim i vetëm, duket një gjë shumë interesante”.