Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka raportuar në Kuvend në lidhje me takimin që pati me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë fjalës së tij, Kurti u shpreh se që nga fillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, normalizimi i plotë nuk është pjesë e premtimeve verbale, por i atyre me shkrim.
“Që nga fillimi i mandatit tim jam zotuar ta riformatoj dialogun në një mënyrë të tillë që ta shndërroj atë në një proces të rregullimit të marrëdhënieve ndërkombëtare me Serbinë, pra një dialog ku jemi të barabartë dhe të cilin e karakterizon simetria. Nga 9 shtatori, kur na u prezantua drafti fillestar i propozimit franko-gjerman, kemi hyrë në formatin e ri të dialogut.
Kjo gjë u paralajmërua në takimin e 18 gushtit, kur pika e parë e agjendës ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Për herë të parë, që nga fillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, normalizimi i plotë nuk është pjesë e premtimeve verbale, por i atyre me shkrim. Tuneli është ende i gjatë, por unë besoj se atij po i vjen fundi”, theksoi ai.