Aktualitet “Nostalgjia për Vjosën” – Një bisedë për Memaliajn me aktorin e mirënjohur,...

“Nostalgjia për Vjosën” – Një bisedë për Memaliajn me aktorin e mirënjohur, Vasil Vaso

-Pjesa e dytë, pjesën e parë e lexoni këtu-

Ajo që kam ende nostalgji, është edhe Vjosa.

Lumin Vjosë e njoha nga afër, ku së bashku me bukuritë, përjetova edhe rreziqet në rrjedhën e saj.

Në behar, ku uji pakësohej dhe anës Vjosës krijoheshin gropa të thella me ujë, të cilat ngjanin si liqene të vogla, shkonim dhe mësonim si të notonim. Hidheshin nga një shkëmb anash dhe zhyteshim deri në fund, sa preknim zhavorirn dhe prisnim për sa mund ta mbanim frymë.

Lumi nuk të mban lart si deti i kripur dhe si e tillë noti është me i vështirë.

Tmerri i Vjosës, ishte në dimër. Kur në Greqi dhe në jug të Shqipërisë, binte shi për disa ditë rresht, niveli i ujit rritej aq shumë, saqë rrezikonte qytetin tonë Memaliaj. Prurjet ishin të shumta dhe të vrullshme, të cilat përplaseshin në kthesën bregore, në jug të fushës ku shtrihet qyteti, kthesë kjo, e cila ndryshonte rrjedhën e Vjosës, ku edhe sot, duket sikur përqafon Memaliajn, ku me bardhësinë e zallishteve, kaltërsinë e ujit dhe gjelbërimin përreth, të jep ndjesinë e një nuseje me vello, ku ngjyra i ndryshon sipas stinëve dhe motit.

Mbaj mend një herë në ato vite, kur Vjosa hipi 20 cm mbi tokë dhe gjithë qytetarët u nisën për në fshati Memaliaj, ku ishte kodër. Të nesërmen u kthyen, pasi ra niveli i ujit.

Në qytet, jetonte dhe një dembel, që nuk punonte, Po kërkonte ndihmë nga banorët.

Emrin e kishte Ago, ndërsa për mbiemrin, nuk e mbaj mend mirë, por më duket, Bago dhe kjo duhet saktësuar.

Në këtë ditë, nuk ikte, pasi shkonte në shtëpitë që donte, të cilat ishin pa mbyllur me çelës nga nxitimi i ikjes dhe ai hante e pinte, çfarë i donte qejfi. Për rritjen dhe pakësimin e nivelit të ujit, qyteti lajmërohej nga Përmeti dhe kjo shërbente për qytetarët dhe qeverinë lokale të kohës, që të merrte masat.

Në atë kohë, nuk ishte ndërtuar ura prej betoni, që më pas u pagëzua nga qytetarët, si “Ura e parë”. Punëtorët shkonin dhe ktheheshin në punë me një lundër, e cila përdorej normalisht, pasi ishte e lidhur në një kavo të trashë dhe e komandonte një burrë, rreth 1.90 m i gjatë, që quhej Meti. Vetëm në kohën që dilte lumi, përdorej një teleferik ku mbante një kosh, që mund të hipnin deri 10 veta. Qëllonte në këtë kohë, që kur koshi vinte në mes të lumit dhe krijohej një kurbatur (ulje), lumi e godiste dhe e rrezikonte.

Një arganelo që lëvizte kavon mbajtës të koshit, rrezikohej të mbytej nga uji.

Sa herë që e shikonim në ketë pikë ku rrezikohej të mbytej, ne shkonim dhe e stakonim nga korrenti dhe e ngrinim lart rreth 4 metra varur në një pemë që ndodhej aty, për t’mos u lagur dhe dëmtuar. Disa minatorë rinin matanë lumit gjithë natën, sa të ulej niveli i Vjosës. Disa trima minatorë, hipnin në koshat që sillnin qymyr me teleferikun tjetër, pa i mbushur me qymyr dhe duke u rrezikuar, vinin në qytet.

 Përgatiti Edmond Ismailati

Mars 2022