Bota Çfarë është avioni i “fundit të botës” që ka mbërritur me presidentin...

Çfarë është avioni i “fundit të botës” që ka mbërritur me presidentin Biden në Europë?

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka dërguar një avion të njohur si “Pentagoni Fluturues” në Europë, i projektuar për t’i bërë ballë shpërthimit të luftës bërthamore, raporton The Independent.

Avioni, i njohur si “avioni i fundit të botës” është pjesë e një flote avionësh që udhëton me presidentin amerikan Joe Biden ndërsa ai viziton Brukselin në vazhdën e bisedimeve me liderë të tjerë botërorë për luftën në Ukrainë.

Aeroplani E4-B, një Boeing 747 i modifikuar, është parë duke fluturuar mbi Kanalin Anglez ndërsa tensionet e luftës rriten nga frika se Vladimir Putin mund të përdorë armë bërthamore, kimike ose biologjike.

Forcat Ajrore të SHBA-së kanë katër avionë E-4B, njëri prej të cilëve quhet Nightwatch, i caktuar si qendër komandimi dhe kontrolli në rast të një sulmi bërthamor.

Është projektuar për t’i bërë ballë goditjes elektromagnetike nga një shpërthim bërthamor. “Pentagoni Fluturues” do të shërbente si bazë ajrore për Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së dhe personelin e lartë ushtarak për të kryer operacione luftarake.

Avioni prej 200 milionë dollarësh, i cili mund të transportojë 112 anëtarë të ekuipazhit, ka 18 shtretër dhe gjashtë tualete, një sallë takimesh, një sallë konferencash, zona pune dhe dhoma të stafit komandues.

Zgjatja në anën e sipërme të saj, e quajtur “kupola e radarit”, përmban dhjetëra pjata satelitore dhe antena që mund të dërgojnë komanda në çdo anije, nëndetëse apo avion luftarak amerikan kudo në botë.

Autoritetet amerikane zakonisht tregohen të fshehtë kur pyeten për avionin Nightwatch, por dihet se ai ka mbrojtje termike dhe bërthamore dhe mund të fluturojë për ditë të tëra me karburant nga ajri.

Dritaret e avionit besohet të jenë të mbuluara me rrjetë teli për të mbrojtur ekuipazhin nga çdo shpërthim.

Doomsday është gati të ngrihet në çdo moment dhe të mërkurën u ngrit nga Uashingtoni, kaloi Atlantikun dhe Kanalin Anglez përpara se të nisej për në bazën RAF në Suffolk, Britani e Madhe.

NATO ka konfirmuar se do t’i sigurojë Ukrainës pajisje për mbrojtje kundër armëve bërthamore, kimike, biologjike dhe radiologjike. Biden paralajmëroi për “një kërcënim real që Rusia mund të përdorë armë kimike, siç bëri në Siri”.