Aktualitet “Nuk do të doja kurrë të vrisja motrën time”, Gjykata vendos për...

“Nuk do të doja kurrë të vrisja motrën time”, Gjykata vendos për Marsela Pushanin

Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për Marsela Pushanin, e akuzuar për vrasjen e motrës së saj, Amanda Pushani, krim i kryer në kryeqytet në fundjavën që lamë pas.

Në sallë, Pushani ka pohuar se nuk donte kurrë të vriste motrën e saj, por se kishte reaguar në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi viktima e kishte kërcënuar teksa ishte në gjendje të dehur.

Marsela Pushani ka kërkuar masë më të butë sigurie, me pretendimin se duhet të kujdeset për nënën e moshuar.

“Nuk do të doja kurrë të vrisja motrën time. Dua të më jepni një masë më të lehtë se nuk ka kush të kujdeset për nënën”, tha autorja.

Gjithashtu, avokati i saj i ka kërkuar gjykatës “arrest shtëpie” dhe ndryshim të kualifikimit të veprës së “vrasjes në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.

Mëngjesin e së dielës, policia njoftoi se arriti të zbardhë vrasjen e 37-vjeçares, e cila më herët ishte deklaruar si vdekje natyrale nga familjarët. Por ekspertiza zbuloi se e reja kishte një plagë me thikë në bark, që i shkaktoi dhe vdekjen.