Politika Mbledhja e opozitës pa grupin e Bashës/ Bardhi: Të unifikojmë qëndrimin kundër...

Mbledhja e opozitës pa grupin e Bashës/ Bardhi: Të unifikojmë qëndrimin kundër qeverisë më të korruptuar në Europë

Deputetët e opozitës janë mbledhur në një takim të thirrur nga kryetari i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi me synim për t’u unifikuar në Parlament.

Në këtë mbledhje të thirrur nga Bardhi janë deputetët e grupit të Sali Berishës, si dhe aleatët e djathtë të opozitës. Ndërsa nuk ka pranuar të shkojë Lulzim Basha dhe mbështetës të tij.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka mbajtur fjalën i pari në mbledhjen e përbashkët të opozitës të thirrur prej tij.

Në fjalën e tij, Bardhi deklaroi se opozita duhet të unifikojë qëndrimin në aksionin kundër keqqeverisjes së Kryeministrit Edi Rama.

“Për fat të keq debatet brenda opozitës gjatë këtyre fu viteve i kanë krijuar një komoditet një prej qeverive më të korruptuar në Europë po ndoshta edhe në glob. Kjo e bën emergjente në gjykimin tim këtë takim të parë me prezencën e të gjithë deputetëve të opozitës në parlament, dua të përshëndes kolegët që janë lidhur online për shkak se ndodhen jashtë vendit, znj. Jorida Tabaku, znj. Ilda Dhori, z.Lefter Gështenja dhe z.Petrit Doda.

Një nga çështjet që na bën të gjithë bashkë është prioritet që kemi shpallur më parë, masakrën zgjedhore që bën urgjente detyrën e opozitës.

Në Kuvendin e Shqipërisë ka funksionuar një komision i Reformës Zgjedhor në 2 vite punë dhe nuk ka arritur të prodhojë asnjë produkt.

Çështja e parë që duhet të diskutojmë është se si opozita parlamentare do ta çojë përpara Reformën Zgjedhore.

Bën të domosdoshme ndërtimin e një axhende llogaridhënie nga opozita përmes ngritjes së disa komisioneve hetimore. Duke qenë se është takimi i parë pas zgjedhjeve të 25 Prillit, gjykoj që sot duhet të flasim për çështje që na bëjnë bashkë, për të ndërtuar një axhendë të përbashkët parlamentare. Respektoj secilin në këtë sallë për çështje që na kanë ndarë deri në këtë moment. Por ndasitë në mendime nuk duhet të na shfokusojnë nga përgjegjësia që kemi ndaj qytetarëve. Prandaj duke respektuar qëndrimin apo mendimin individual të secilit prej kolegëve, ndaj bindjen që kjo nuk do të na pengojë që sot të unifikojmë një qëndrim të aksionit tonë opozitar kundër keqqeverisjes së Edi Ramës”, deklaroi Gazment Bardhi.