Një paketë cigare nuk do të mund ta blejmë dot në çdo dyqan lagjeje, supermarket, apo lokal.
Ministria e Shëndetësisë me anë të një projektligji për ndryshimin e ligjit për duhanin, kërkon që pikat e shitjes së produkteve të duhanit të pajisen me një licence të veçantë.
Qëllimi i këtij ndryshimi në ligjin “për mbrojtjen e shëndetit të nga produktet e duhanit” është kufizimi i numrit të pikave të shitjes së këtyre produkteve në vend. Ndryshimet parashikojnë dhe ndalimin e shitjes së paketave me 10 cigare ose më pak, raporton Monitor.
Aktualisht produktet e duhanit shiten në të gjitha supermarketet, dyqanet e vogla, dyqanet e dedikuara, bare, restorante dhe lokale nate dhe në total përllogariten rreth 20 mijë pika formale të shitjes, por pesha që zë tregtia e paligjshme shitjet në rrugë apo tregje të hapura është e konsiderueshme, ku sipas operatorëve të tregut shkon deri në 40%.
Operatorët e tregut pohojnë se kufizimi i pikave të shitjes me anë të një ligji rrezikon rritjen e informalitetit në treg, duke aplikuar çmime më të lira për shkak të mungesës së taksave dhe duke futur në treg produkte të pakontrolluara. Nga ana tjetër ky draft mund të çojë dhe në monopolizimin e tregtimit të këtij produkti përmes kushteve që mund të vendosen për marrjen e kësaj licence, shkruan Monitor.