Edhe pse doli kundër vendimit të LSI për të mos dorëzuar mandatin, deputeti Lefter Koka thotë se vazhdon të jetë pjesë e kësaj force politike.
Në një deklaratë për mediat nga jashtë Parlamentit ai tha se marrëdhëniet me kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi kanë qenë dhe janë shumë të mira.
“Të gjithë në emër të popullit kanë marrë një vendim. Disa mos ta dorëzojnë mandatin, disa të tjerë për ta marrë dhe disa për tu larguar, – u shpreh deputeti i Durrësit. – Sigurisht që jam pjesë e LSI-së, nuk kemi patur kontakte nga ai moment kur vendimi im ishte i ndryshëm nga ai i grupit parlamentar. Ne me të vërtetë propozohemi nga një forcë politike, sepse ashtu është kodi, por secili në momentin që zgjidhet përfaqësohet në parlamentin shqiptar”.
Koka ka deklaruar më pas se duhet riparo kodi zgjedhor, sepse sipas tij “jemi kthyer në qesharak për shkak të këtij kodi. Nëse vazhdojnë deputetët t’i binden urdhrit të kreut të partisë për t’u emëruar e shkarkuar nuk është normale në një vend demokratik. Marrëdhëniet me kryetaren e LSI-së? Kanë qenë dhe janë marrëdhënie shumë të mira”, – komentoi ai.