Policia federale u detyrua të përdorte gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve që godiste me gurë dhe vezë zyrën e Emigracionit dhe Doganave në Portland, Oregon, të mërkurën në mbrëmje.
Një grup prej 200 personash, të cilët mbanin në duar pankarta të ndryshme, u mblodhën para godinës ku dogjën edhe flamurin amerikan, në shenjë proteste. Godina është sulmuar disa herë nga protestuesit, të cilët identifikohen si pjesë të organizatave Antifa (AntiFascist) dhe BLM (Black Lives Matter), që prej vrasjes së George Floyd 25 majin e vitit 2020.
Protesta nisi vetëm pak orë pas inaugurimit të Joe Biden si president i Shteteve të Bashkuara, edhe pse ky i fundit firmosi një urdhër ekzekutiv për të ngrirë për 100 ditë deportimet dhe ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën.
Pjesëtarë të Antifa-s thyen edhe xhamat e selisë së Partisë Demokratike në Portland, edhe pse udhëheqësit e saj i kanë mbështetur protestat e tyre. Protesta pati edhe në Denver, Siatëll, Kolumbus dhe Sakramento.