Gazetari Blendi Fevziu ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së dielës në Tiranë, ku nga breshëria e plumbave drejt një lokali humbi jetën Mimoza Paja.
Gruaja ishte banakiere në këtë lokal, në zonën e Don Boskos, punë që kishte pak kohë që e kishte gjetur. Ajo jetonte dhe kujdesej për mbesën e saj 10-vjeçare, e cila mbeti e lënduar nga copat e xhamit, pasi ndodhej në lokal në momentin e ngjarjes.
Në reagimin e tij, Blendi Fevziu thotë mes të tjerash që, ajo që e bën edhe më të rëndë këtë sulm kriminal është humbja e një jete të pafajshme si Mimoza Paja, para syve të mbesës së saj të vogël, të cilën sot e ka lënë vetëm.
“Nuk e hiqja dot nga mendja imazhin e kësaj gruaje të vuajtur gjatë ditës sot”, shkruan Fevziu, teksa sjell në vëmendje që 58-vjeçarja kishte pasur një jetë të vuajtur, kishte punuar tërë jetën, e mbetur jetime që në fëmijëri.
“Nuk e hiqja dot nga mendja imazhin e kësaj gruaje të vuajtur gjatë ditës sot. Mendoja se si priste të mbaronte turnin, me mbesën ulur pranë. Mbesën që nuk kishte ku ta linte, ndaj e mbante pranë vetes, duke bërë edhe detyrat e shkollës aty. Priste të mblidhej bashkë me të dhe të ishin pak momente të qeta. Jeta nuk ishte treguar bujare me asnjërën prej tyre. Gjyshja e mbetur jetime dhe mbesa me prindër të divorcuar, i kishin lidhur fatet bashkë. Në varfërinë, por edhe në përpjekjen për të mbijetuar. Mimoza Paja kishte punuar gjithë jetën, e mbetur jetime që në fëmijëri. Mbesa e saj 10 vjeçe mbeti vetëm kur prindërit u divorcuan. Ajo rrinte aty, pranë gjyshes, duke e ndihmuar nga pak e duke u përpjekur t’ia reduktonte lodhjen e ditës.
Gjyshja kishte pak ditë që kishte gjetur punë dhe ato me siguri kanë qenë të gëzuara për këtë. Por fati që i lidhi bashkë edhe i ndau dje në mbrëmje. Gjyshja po punonte dhe vajza e vogël ishte ulur aty pranë kur një grup kriminelësh derdhi ndaj lokalit breshëritë e frikshme të kallashnikovit. Gjyshja vdiq në vend; mbesa u plagos. Gruaja qe e vetmja viktimë e një konflikti, që as e dinte, as e njihte dhe që as do ta marrë vesh kurrë. Një konflikti banditësh e kriminelësh që nuk e mbajnë dorën as ndaj një fëmije 10-vjeçare. Iku duke lënë në këtë botë kujtimin e një gruaje që nuk pa një ditë të bardhë dhe një mbese që sot ka mbetur edhe më e vetme në këtë botë kaq të padrejtë. U prehsh në paqe Mimoza Paja”, shprehet Fevziu në reagimin e tij.
Të paktën 3 persona morën pjesë në atentatin mafioz të një nate më parë. Përveç 58-vjeçares, nga plumbat mbetën të plagosur 5 persona të tjerë. Lokali në fjalë ishte në pronësi të dy vëllezërve me precedentë kriminalë.