Aktualitet Drogë me kampera luksozë drejt Greqisë, kapen 260 kg kanabis në Vlorë....

Drogë me kampera luksozë drejt Greqisë, kapen 260 kg kanabis në Vlorë. Pranga 4 rumunëve

Drejtori i Policisë së Vlorës Ermal Muça ka dalë në një konferencë për mediat këtë të Hënë ku dha detaje mbi mega-operacionin ku janë arrestuar 4 rumunë për trafikim droge.

Sipas policisë, 260 kilogramë lëndë narkotike kanabis po transportohej me “Camper” drejt Greqisë nga të rinjtë. Në pranga janë vënë shtetasit Marius Cimpeanu, Mihaela Cimpeanu, Florin Tucan dhe Andreea Pislaru.

Muça deklaroi se ka nisur puna për gjetjen e 5 bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë aktivitet kriminal.

“Finalizohet megaoperacioni policor antidrogë i koduar “CAMPER”. Arrestohen 4 shtetas. Sekuestrohen 260 kg lëndë narkotike kanabis dhe 2 automjetet kamper që ishin përshtatur për transportimin e lëndës narkotike. Jam sot këtu, me zëvendësdrejtorin për hetimin e krimeve, të qarkut, dhe shefin e seksionit të narkotikëve, për të bërë prezente rezultatet e megaoperacionit policor të koduar “CAMPER”.

Në vijim të operacioneve policore për goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, strukturat hetimore dhe Forca Operacionale e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, si dhe shërbimet e Komisariateve të Policisë Sarandë dhe Himarë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, bazuar në inteligjencën policore, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “CAMPER”.

Në kuadër të këtij operacioni, sot, në orët e para të mëngjesit, u bë e mundur kapja dhe prangosja e 4 shtetasve rumunë që transportonin një sasi prej 260 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, me 2 automjete luksoze të tipit “Camper”, me targa rumune, me qëllim trafikimin e kësaj lënde në shtetin grek e më tej.

Konkretisht u arrestuan në flagrancë shtetasit: M. C., 20 vjeç, M. C., 20 vjeçe, F. T., 24 vjeç dhe A. P., 21 vjeçe, të katërt me shtetësi rumune. Gjithashtu janë shpallur në kërkim 5 shtetas, si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale, por për arsye hetimi të dhënat e tyre nuk bëhen publike.

Gjatë kontrollit të automjeteve të tyre, në tentativë për të dalë nga territori shqiptar, u gjetën të fshehura në një ndarje të fshehtë dhe të përshtatur artificialisht, në automjet, një sasi prej 260 kilogramë lëndë narkotike. Vendet e fshehta të përshtatura u zbuluan në të dy CAMPERAT e sekuestruar.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, për llogari të disa bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, tashmë të shpallur në kërkim, kamufloheshin si turistë, duke marre me qera campera luksozë, dhe të ndarë në dy çifte kryenin trafikimin e lëndës narkotike nga vendi ynë për në Greqi dhe më tej.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti, si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë të bashkautorëve të tjerë shqiptarë tashmë të shpallur në kërkim nga Policia.

Policia e Vlorës është e angazhuar maksimalisht për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Vlen të theksohet se strukturat e DVP Vlorë, muajt e fundit, janë angazhuar maksimalisht, falë dhe bashkëpunimit dhe besimit të qytetarëve, për të parandaluar ngjarjet kriminale, për goditjen e kultivimit në ambiente të mbyllura dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri.

Sigurojmë qytetaret se Policia e Shtetit është në shërbim të tyre dhe shumë e vendosur për të luftuar bashkërisht, me partnerët dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme”, tha Muça në deklaratë për mediat.