Aktualitet Nuk ishte sot në GJKKO për Gërdecin, reagon Shkëlzen Berisha

Nuk ishte sot në GJKKO për Gërdecin, reagon Shkëlzen Berisha

Shkëlzen Berisha ka mohuar që të ketë pasur një fletëthirrje për të qenë i pranishëm, ditën e sotme, në seancën për “Gërdecin”. Pas akuzave ndaj SPAK si një institucion i kapur nga kryeministri Edi Rama, Shkëlzen Berisha theksoi se në adresë të tij nuk ka mbërritur ftesë për t’u paraqitur për të dëshmuar!

Ai thotë se është i gatshëm që të paraqitet sapo të ketë një ftesë të tillë.

“Në lidhje me disa raportime mediatike për “mos paraqitjen” time si dëshmitar në gjykatë, më duhet të sqaroj se ne asnjë adrese timen fizike apo elektronike nuk ka mbërritur asnjë ftesë për t’u paraqitur për të dëshmuar! Pretendimet e SPAK, që janë qartaz në funksion të qëllimeve politike e mediatike të Edi Ramës, bien poshtë, si nga njoftimet e mëparshme që janë ekzekutuar me sukses, ashtu dhe nga fakti që personalisht në dëshminë e dhënë para SPAK kam depozituar adresën e saktë, si dhe nr e telefonit! Mbetem i hapur për t’u paraqitur konform ligjit me të marre ftesën”, shkruan Shkëlzen Berisha.

Në seancën e kësaj të enjteje, Gjykata e Posaçme u njoh me dëshminë e ish-ministrit të Drejtësisë së asaj kohe, Aldo Bumçi si edhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Ky i fundit, duke folur për mediat pas seancës së sotme për çështjen Gërdeci, tha se të gjithë ata që kanë shkelur ligjin duhet të ndëshkohen.

“Fatmir Mediu ka vepruar në respekt të ligjit. Ka pasur një marrëdhënie korrekte me të gjitha strukturat. Nuk ka pasur asnjë reklamim te ministri për çështjen që mund të kishte probleme në Gërdec. Sot i vura në dispozicion edhe një dokument të policisë ushtarake që përpara se të fillonte ky demontim kishte filluar punimet kompania për të prishur objektet në mënyrë të paligjshme. Qëndrimi im ka qenë i prerë, që të procedoheshin të gjithë ata që kishin shkelur ligjin”.

I pyetur nëse do të ballafaqohet në seancën e ardhshme me Shkëlzen Berishën, Mediu u shpreh: “Unë do paraqitem në çdo seancën. Ky demontim ishte domosdoshmëri, ishte çështje sigurie, detyrim ligjor dhe kërkesë e partnerëve tanë. Kërkesa e kompanisë amerikane, ka qenë një kërkesë e vlerësuar sipas proceduarave për të shkuar më pas te momenti se si është zgjedhur vendi i demontimit. Nuk ka asnjë praktikë që ministri zgjedh vendin”.