Politika Berisha: Hapjen e negociatave nuk e ka bllokuar Greqia, por Rama për...

Berisha: Hapjen e negociatave nuk e ka bllokuar Greqia, por Rama për interesat e tij mafioze

Sali Berisha tha se Edi Rama është autori kryesor që Bashkimi Evropian nuk hapi negociatat me Shqipërinë.

Në një deklaratë me gazetarët nga selia e PD, Berisha tha se, ishte pikërisht Rama ai që bllokoi për të disatën herë hapjen e negociatave, ndërsa shtoi se masa e radhës e partisë që ai drejton do të jetë pikërisht kërkesa për dorëzimin e mandatit të kreut të qeverisë.

“Në deklaratën e liderëve të BE, të mbledhur në Bruksel me udhëheqjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, rezulton se Shqipëria mbetet në klasë. Prej një viti e gjysmë nga takimi i Brukselit, negociatat de facto nuk po hapen.

Edi Rama është shkaktari kryesor i këtij bllokimi de facto të procesit të integrimit nga viti 2013 gjer në vitin 2023, pra nj dekadë me radhë. Edi Rama ka përkeqësuar për interesa personale të pushtetit të tij demokracinë, gjendjen ekonomike. Ka zëvendësuar shtetin ligjor me kodin e mafies dhe narkoshtetit. Ai është sot kreu i qeverisë më i pavlerësuar, më i pabesueshëm në të gjithë qeveritarët e Europës, më konkretisht vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE.

Edi Rama ka zgjedhur bllokimin me çdo çmim dhe duke penalizuar çdo shqiptar që ka ëndërr integrimin evropian, bllokimin e komisioneve hetimore për Edi Ramën, familjarët e tij, për aferat superskandaloze, vjedhjet e mëdha me djegësin e shekullit, me Portin e Durrësit, me sterilizimet, por dhe dhunimin e Kushtetutës nga anëtarë të familjes Rama, për çka PD do paraqesë kërkesën për dorëzimin e mandatit nga ky hajdut që nuk njeh ligj, moral dhe Kushtetutë.

Nuk ka diskutim se në këtë vendim një peshë të veçantë ka pasur dhe ka qëndrimi ndaj minoriteteve, por ky qëndrim i BE është një parim themelor që nuk ka lidhje me Shqipërinë në mënyrë specifike, por ka lidhje me çdo vend aty ku jetojnë minoritetet.

Edi Rama mund ta akuzojë Greqinë duke mashtruar shqiptarët, por e vërteta është se shkaku kryesor nuk është Greqia. Thashë, pika e parë është mungesa e dialogut. Por shkaku kryesor është dhunimi nga Edi Rama i parimeve më themelore të të drejtave të njeriut dhe parimeve ndërkombëtare të drejtësisë.

Pra është Edi Rama me qëndrimet e tij dhe jo Greqia, e cila nuk kërkon asgjë tjetër, vetëm atë që ligjet shqiptare dhe praktika shqiptare dhe botërore përcakton në parimin e pafajësisë dhe atë që praktika shqiptare e ka përcaktuar në raste të tjera, kur kandidatët kanë qenë shqiptarë.

PD, duke dënuar me forcën më të madhe Edi Ramën si përgjegjësin kryesor Edi Ramën për moshapjen e negociatave, kapitullit të parë, garanton partnerët ndërkombëtare dhe BE se ajo ka shpallur dhe shpall si interes, si yll polar, procesin e integrimit të Shqipërisë në Europë dhe është e vendosur që ndërmarrë çdo akt, veprim dhe ligj për një ecuri të pandalshme të Shqipërisë në BE”, u shpreh ndër të tjera Sali Berisha.